KreuBusull

Intervista/ Monika Milo, A Beautiful Mind

Nga Olsi Kolami

Me një pamje tej mase të kuruar dhe paraqitje elegante, Monika Milo më hap derën dhe më fton të hyj në zyrën e saj, e cila ndodhet godinën e qelqtë të zyrave qëndore të Bankës Credins. Një ambient me interior minimalist, aspak i zakontë nga ato që jam mësuar të shoh tjetër kund, por ajo që ndoshta do të më prishte imazhin që kisha krijuar për një drejtuese banke, ndoshta duke e vizatuar sipas modelit Christine Lagarde, është fakti se personazhi i Bordo ka një stil të rafinuar. Monika Milo, është zëvendësdrejtore e Bankës Credins, një nga pozicionet më të rëndësishme, por edhe një nga figurat më dominante në sistemin tonë bankar. Por çfarë fshihet pas një pamje kaq të rafinuar? “Prej rreth 25 vitesh punoj në sistemin bankar, ku dua të veçoj periudhën e gjysmës së dytë si drejtuese e lartë; Institutin Credins ku kam mbajtur pozicionin e Drejtores Ekzekutive dhe Bankën Credins, ku drejtoj sot në pozicionin e zëvendësdrejtores së Përgjithshme, që prej vitit 2003, kur edhe është themeluar Banka”- shpjegon Milo.

Gati çerek shekulli një grua si ajo ka udhëhequr Credins me sukses në një sektor, cili në pjesën më të madhe konsiderohet feminist në rangun operativ dhe këtë e dëshmon raporti femra – meshkuj, 71/ 29, po ti referohesh niveleve të larta drejtuese, i cili është është më tepër maskilist, gra si Monika Milo, me karrierë dhe suksese si e saj, numërohen me gishtat e njërës dorë në Shqipëri. “Nuk është aspak e lehtë për një grua të qenit në pozicione drejtuese, dhe jo vetëm në Shqipëri, ca më tepër në sistemin bankar. Të jesh drejtues i lartë do të thotë përgjegjësi në nivelet më të larta, angazhim dhe përkushtim total, autoritet i lartë dhe komunikim i kujdesshëm, por edhe pranim ndaj ndryshimeve e gjetjeve inovative”-zbulon kështu çelësin e suksesit të saj zv/drejtoresha e Credins.

E thënë ndryshe, një pozicion që të bën të mos të zërë gjumi natën, por ajo ja ka dalë dhe kjo reflektohet në performancën, rezultatet dhe imazhin e Credins në tregun banker. “Në vitin 2001, kur u themelua Instituti Credins, mbaja postin e Drejtoreshës Ekzekutive dhe fillimin e aktivitietit të Bankës Credins deri në 2003 ku u emerova Zv/Drejtore e Përgjithshme, i kujtoj si shumë impenjative, punohej 12 orë në ditë, madje edhe të shtunë dhe të dielë, me shumë përkushtim, pasion dhe emocione..”.

Fakti që është drejtuese e lartë e sidomos grua mbi gjithçka shpesh e bën të gjendet para vendimeve të vështira, qoftë si zv/drejtore, por edhe si anëtare e Bordit Ekzekutiv të bankës.

Nuk arrin të ndajë dot nëse bashkëpunimet më të mira i ka me stafin femëror apo mashkullor, ndoshta sepse ka gjetur të mesmen e artë. “Bashkëpunoj shumë mirë si me stafin femëror dhe mashkullor, që janë vartësit e mi, por edhe vetëm me stafin kryesisht mashkullor që përfshin Drejtorin e Përgjithshëm, eprorin tim, anëtarët e Bordit dhe aksionerët e Bankës”.

Impenjimet profesionale i marrin pjesën më të madhe të kohës, që zgjasin nga 8 deri në 10 orë në ditë, pa përjashtuar as fundjavat. Madje edhe kur gjendet në kafe apo darka me miq, pjesën më të mirë të kohës e kalon me diskutime që kanë kryefjalë bankën Credins, sepse siç e shpjegon bisedat lindin natyrshëm, duke shpjeguar shërbime apo produkte që banka ku ajo punon ofron. “Kjo është meritë e Bankës që është kaq inovatore, që nuk rresht së ofruari produkte të reja, apo të përmirësuara, për të qenë gjithmonë atraktive për klientët e gjithë partnerët e saj të biznesit. Një iniciativë e re, shumë e rëndësishme jo vetëm për Bankën Credins, por për ekonominë shqiptare dhe sistemin tonë financiar është krijimi i Bursës së parë Shqiptare, e ndërmarrë nga Banka Credins e cila është një prej aksionerëve të saj, me mbështeje dhe përkrahje të rëndësishme nga institucione të tjera bankare dhe financiare në Shqipëri”

Ndërsa zbuluam se Monika Milo është një profesioniste e suksesshme, në rolin e mamasë është po kaq e dedikuar, sepse edhe familja është po kaq e rëndësishme. “Gjej kohën e nevojshme t’i përkushtohem familjes, veçanërisht vajzës time 7 vjeçare, Leah Gabriel, që ndjek klasën e parë, e që ma kthen këtë përkushtim në energji e frymëzim”- zbulon kështu Monika edhe një pjesë të familjes.

Por pozicioni i saj, nuk e do vetëm të merret me shifra e vendime që lëvizin mekanizmat bankarë, ndaj gjithmonë gjen kohë të kujdeset për veten. “Pamja e jashtme është mjaft e rëndësishme.  Ajo shpreh vlerësimin dhe respektin që kam për veten dhe mendoj që ndihmon për një prezantim sa më të mirë të pozicionit tim”.

Përtej kostumit të një drejtuese, Monika Milo do t’ju befasojë me pasionet e saj, të cilat nuk lidhen kurrsesi me shifrat, por ama reflektojnë qartazi edhe formimin e saj, jo vetëm si një drejtuese e zonja, por edhe si një grua e rafinuar në shije. “Pasioni im është muzika pa bërë dallimin e zhanrit. Kur kam qenë fëmijë kam luajtur violinë. Sot këtë pasion e ka trashëguar vajza ime, e cila këndon shumë bukur dhe ka filluar të luajë piano. Tjetër pasion është arredimi. Kudo dhe kur më jepet mundësia, me njerëzit e mi, familjarë, miq apo kolegë, kontribuoj me shumë dëshirë, për t’i orientuar apo dhënë ide”. Kjo prirje për interiorin, ka rënë në sy edhe nga profesionistë me të cilët ka pasur rastin të bashkëpunojë. Rasti konkret është zyra e saj e cila pasqyron idetë dhe shijet e saj, madje edhe një pjesë e ambienteve të Bankës Credins janë transformuar falë ideve të saj. “Para dy vitesh vendosëm të investonim për zyrat e reja qëndrore të Credins Bank në godinën prestigjoze në Rrugën Vaso Pasha në Tiranë, godinë e projektuar nga studio e famshme franceze, Architecture Design. I jam përkushtuar shumë konceptimit dhe arredimit të interiorit të saj ku së bashku me kolegun dhe njëkohësisht Drejtorin e Përgjithshëm të Bankës, z.Maltin Korkuti, kemi asistuar dhe bashkëpunuar ngushtësisht me arkitektët, që punuan dhe arreduan ambientet e Bankës, duke dhënë konsiderata të rëndësishme konceptuale. Sot me mburrje themi që kemi Zyrat Qëndrore të nivelit më të lartë bashkëkohor europian që duhet të ketë një bankë komerciale”- përfundon Monika Milo, zëvendësdrejtore e Përgjithshme e Bankës Credins.

Tags:

Home Dossier

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF