Festivali folklorik këtë në Shqipëri do të mirëpresë 12 shtete ballkanike për të garuar në disiplinën e valles tradicionale.
Juria e këtij festivali përbëhet nga 12 personalitete të artit, koreograf, muzikolog, etnomuzikolog apo drejtor ansamblesh, të cilët do të ulen në vendin e anëtarit të jurisë së këtij festivali, ku secili shtet ka sjellë edhe përfaqësuesin e tij në juri. Festivali do të çelë siparin më 18 shtator për të vijuar më 21 e 22 shtator, netë të cilat do të transmetohen për publikun e gjerë nga DigitAlb.
12 grupet do të garojnë për 5 çmime të mëdha: Çmimi i madh për ansamblin më të mirë është “Lahuta e Artë” dhe 4 çmime speciale “Lahuta e Argjend”. Çmimi i madh, do të vendoset natën e dytë të festivalit nga një sistem elektronik pikësh që organizatoret po e projektojnë duke shmangur dyshimet e duke bërë kështu një votim elektronik dhe transparent.
Çmimi i madh “Lahuta e Artë” për grupin më të mirë, ‘Lahuta e Argjend” çmimi i Produksionit, ‘Lahuta e Argjend” veshja origjinale, dhe “Lahuta e Argjend” kërcimtari e kërcimtaria më e mirë e festivalit.
Simboli i lahutës është përzgjedhur nga organizatorët si simboli i ballkanasve, vegla muzikore më e lashtë në rajonë. Ky event do të mirëpresë edhe dy ansamble të cilët do të vijnë si të ftuar specialë të këtij edicioni, grupi nga Bjesko Biala / Poloni dhe grupi Arbëresh nga Italia, të cilët do të sjellin një atmosferë krejt ndryshe për spektatorin dhe telespektatorin.
Nën produksionin e Sokol Gugës, prezantimin e Jonida Lloha e Klaus Bardeli, me skenografi të Dea Martinit e kostumet e Samoela Aderit dhe me regjinë televizive të Neritan Gjiksanës, edicioni i këtij viti starton në datat 18 deri në 23 shtator.
Është një staf i madh që punon për këtë event, por nuk do të mungojnë edhe artistët shqiptarë që do të përshëndesin festivalin, të cilët nuk janë vetm nga Tirana, por edhe grupi i çiftelive të Mirditës, të cilët janë parashikuar të jenë prezent apo grupi polifonik nga labëria, të cilët do të sjellin një atmosferë krejt ndryshe.



















