KreuFashion

Ta mësojmë një herë e mirë se çfarë është “Haute Couture”

Historia e veshjeve unike që mbrohen me ligj nga Franca, krijimet e rralla të stilistëve që tkurrën modën, por aspak fantazinë dhe prurjet e shtëpive të modës.

Për francezët, termi ‘haute couture’ është më shumë sesa një fustan i bukur, elegant dhe madhështor balloje. ‘Haute couture’, është një zonë e mbrojtur nga ligji francez. Etimologjia e fjalës ‘Couture Haute’ do të thotë ‘qepje të rafinuar’ ose ‘modë të lartë’, një hap mbi prêt-à-porter, ku stilistët krijojnë koleksione unike, të papërsëritshme, pasi çdo veshje është një dhe e vetme, nuk ka asnjë të ngjashme me atë.

 

Ndaj punëtorët mund të kalojnë deri në 700 orë duke krijuar këtë veshje, e cila projektohet për një klientelë ekskluzive prej rreth 2,000 blerësish. E thënë ndryshe, nëse një veshje është emërtuar haute couture, kjo do të thotë se është krijuar me porosi për një klient të caktuar.

Pas qindra viteve mode, ku gjithçka qepej me dorë, arriti një mrekulli në fushën e modes, ishte shpikja e makinës qepëse nga Isaac Singer, duke sofistikuar veshjet edhe më shumë. Deri atëhere, 70 për qind e rrobave realizoheshin me dorë, ndaj dhe nuk ishin fort të përsosura. Por shtresat e larta nisën të kërkonin veshje më të rafinuara dhe luksoze, ndaj edhe lindi Haute Couture.

Edhe pse shumica mendojnë se Haute Couture është sinoni i kulturës franceze, ai që e krijoi ishte një anglez. Kur Charles Frederick Worth u zhvendos nga Bourne, në Paris në 1856, ku hapi një departament të rrobaqepësisë në dyqanin e rrobave Gagelin, duke krijuar veshje për klientët e tij të shtresë së lartë. Ëorth fitoi një popullaritet stratosferik kur Princesha Eugenié, e cila u martua me Napoleon III, u mahnit nga një fustan mëndafshi ngjyrë jargavan me zambakë, duke zgjedhur që stilisti të krijonte vetëm për atë.

Charles madje konsiderohet stilisti i parë i cili organizoi sfiltat e para me modele, derisa kërkoi zyrtarisht të ishte pjesë e Federatës së Modës Franceze të Haute Couture. Në vitin 1921 Shoqata për Mbrotjen e Autorësisë përfshiu veshjet ‘haute couture’ në ligjin francez duke i mbrojtur ato me ligj, si prodhime autentike, duke respektuar krijuesit e tyre, ç’ka shamngte riprodhimin e tyre. Ligji saktëson “Veshjet Haute Cautore bëhen me porosi për klientët private dhe çdo atelier duhet të ketë së paku 20 anëtarë staf”.

Ndër market e certifikuara nga Haute Couture në Paris janë shtëpitë e modës: Chanel, Givenchy, Valentino, Schiaparelli, Lanvin, Jean Paul Gaultier, ose në total, 14 stilistë që mbajnë këtë etiketë. Industria e modës në Francë u ringjall me sukses në 1947 nga Christian Dior, por edhe Yves Saint Laurent mund të konsiderohet një pioner i saj, pasi lançoi linjën e tij me veshje unike, por edhe me atelierin që plotësonte standartet e kërkuara nga ligji. Fill pas krijimit të markave Haute Couture, lindi edhe Java e Modës Paris Haute Couture, ku klientët VIP, porositnin vehsjet e tyre, të cilat kushtonin më shumë se 20,000 dollarë.

Në vitin 1970 numri i shtëpive të modes Haute Couture ra ndjeshëm. Shumë stilistë fajësonin rregullat e rrepta të Le Chambre Syndicale de La Haute Couture, të cilat kishin tkurrur klientelën. Thierry Mugler dhe Christian Lacroix u mposhtën nga shpenzimet e larta të Couture. Shumë shtëpi mode e humbën linjën, për shkak të kostove të larta dhe shitjeve jo fitimprurëse. Orët e pabesueshme të punës të shpenzuara për krijimin e rrobave ishin dërrmuese për këto marka. Në 2004 Versace u detyrua të ndalojë sfilatën e tij si rezultat i recesionit, duke e rikthyer atë vetëm në vitin 2012.

Christian Dior solli në 2014 shfaqjen e parë të haute couture në Shanghai duke u bashkuar dhe Ralph & Russo, si marka e parë britanike me mbi 100 vjet në Javën e Modës Couture.

Një nga momentet më të paharrueshme të modës në historinë e kohëve të fundit, ishte kur Karl Lagerfeld organizoi sfilatën Haute Couture Vjeshtë/Dimër 2016 te Fendi në Shatërvanin e Trevi në Romë. Në festimin e përvjetorit të 90-të të shtëpisë së modes, ai festoi 40 vjet pjesëmarrje në ‘ligën’ e veshjeve unike, duke ftuar në pasarelë modelet Kendall Jenner dhe Bella Hadid.

Por veshjet Haute Couture mbeten ende ‘mollë e ndaluar’ për  shumë njerëz, pais janë krijime unike me kosto të lartë dhe çmime shumë kripura, me përjashtim të atyre më fanatikëve. Daphne Guinness është një nga blerësit më të famshëm të haute couture. Ajo i ka qëndruar besnike krijimeve të stilistëve Alexander McQueen. Po ashtu, Elena Perminova, gruaja e miliarderit Aleksandër Lebedev është fanatike e Christian Dior, ndërsa mbretëresha Rania e Jordanit, preferon Givenchy.

Megjithëse couture haute mbetet ajka e modes, kërkesat e e tregut janë ulur, ndaj edhe stilistët kanë krijuar një linjë të ndërmjetme, të cilat nuk kanë zbehur qëllimin e veshjeve të stilit të lartë, përkundrazi, për shumë stilistë mbetet një ëndërr e largët, e cila kushton shumë shtrenjtë…!

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF