KreuArt

Kinemaja shqiptare dje qeshi. Dje qau!

 

Kasti shqiptar i “Derë e hapur” parakalon në Festivalin e Sarajevës… Gjergj Xhuvanit i thuhet ‘Lamtumirë’!

Nga Ilda Lumani

Shqiptarët nga dasma kanë ikur në luftë… kur ka rënë morti dasma ka vazhduar … në ditën e zezë i vdekuri është varrosur dhe çifti është martuar… është vajtuar dhe është ngritur dolli për çiftin e ri…

Janë të shumta bestytnitë dhe ritet e pashkruara shqiptare, që nuk e kanë cënuar në asnjë rast gëzimin e dasmës! Edhe kur vdekja ka mbërritur në shtëpinë e saj!

Tirana dje qau! Përcolli një nga emrat më të rëndësishëm të kinemasë shqiptare të pas viteve ’90. Gjergj Xhuvani, regjisori i “Parrullave”, “I dashur armik”, “Lindje, perëndim, lindje”, iku fare i ri… me brenga, me dhimbje, maraze… gjendje shpirtërore, që vetëm ai e dinte!

Dje ai u fut në arkëmort për të gjetur paqen e ëndërruar… Ne na la testamentin  “Liqeni im”!

Kilomtra larg në Sarajevë miq, kolegë, pretendentë të rinj të kinemasë parakalonin në Tapetin e Kuq, si yje hollivudi! Çfarë pamje e mrekullueshme! Sa hirëplotë kasti shqiptar! Sa emocion!

Ecin aty Luli Bitri, Florenc Papa, Jonida Vokshi, Pirro e Eno Milkani, e të tjerë… Çfarë emocioni ka filmi… Prezantimi i tij në një kompeticion ndërkombëtar ka qenë ëndrra e çdo kineasti. Dhe ky gëzim u jetua këtë herë nga grupi i filmit “Derë e hapur”…

Një kimi e mirë dallonte mes tyre në pamjet dhe fotot që u shpërndanë në rrjetet sociale. I kishin dhënë seriozitet eventit dhe kishin respektuar Tapetin e Kuq. Dhe përnjëherësh teksa kalonin në grup buzagaz, shend e verë m’u duk se e kapërcyen vëmendjen e Shqipërisë!

Përnjëherësh m’u duk se morën famën përtej Shqipërisë! Jo se fama është Tapeti. Nuk jam delirante, por hija që ju kishte rënë i bëntë të ngjanin po aq të bukur dhe të suksesshëm sa yjet ndërkombëtarë. (Uroj që kinemaja e tyre të këtë bërë po këtë efekt!).

Dje në Sarajevë ky grup i vogël kineastësh festoji pjesëmarrjen në një Festival prestigjoz. Dje në Tiranë Gjergj Xhuvani u fut në dhe… Kinemaja shqiptare dje qeshi. Dje qau!

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF