KreuFashion

Shkodra, qyteti im … / nga Ambra Hysa

Shkodra, qyteti im … / nga Ambra Hysa

Shkodra, vatra me Koronavirus që po shpërthen frikshëm, Shkodra që rënditet e dyta në Shqipëri për nga numri i rasteve është shndërruar në një zonë të nxehtë tashmë, një tokë të minuar e të rrezikshme.
Shkodra, qyteti im…është qyteti i të gjithëve sepse mikpritja kësaj zonje të bukur, i buron thellë në shpirt.

Shkodra për ata që nuk e njohin, është një zonjë elegante me aromë të mirë trëndafilash, kujtimi i së cilës nuk venitet asnjëherë nga mjegullat e kohës.

Sot përvëlohet në ethe dhe qëndron kokëulur, e ka humbur disi ngjyrën, shkëlqimin dhe entuziazmin e mëparshëm duke u zhytur thellë në izolimin shpirtëror përtej atij fizik.

Po çfarë është Shkodra e bukur pa humorin e saj, pa jaret, këngët dhe sofrat që bashkojnë njerëzit plot gëzim?

Çfarë është Shkodra me teatrin bosh pa zë, me pedonalen e vetmuar pa gumëzhimat e fëmijëve, studentëve e të rinjve?

Çfarë është Shkodra pa flokët e bardhë të gjyshërve dhe hapat e tyre të ngadaltë, pa shpindën e kërrysur plot dinjitet?

Shkodrës i shkon gjithçka përveç mërzisë…përveç heshtjes së shurdhët dhe vetmisë.
“Se Shkodra ka lind e gëzume”.

“Në Shkodër, edhe shiu asht i amël..nostalgjia asht mrekulli, melankolia ka veç doza romantike lumtuniet”.

Shkodër, të gjithë kanë drejtu sytë dhe gishtin për tek ti..por unë e di se ti do ia dalësh kryelartë edhe këtë herë, të gjithë bashkë do e kalojmë edhe këtë sfidë, duke u mbështet në mençurinë, maturinë dhe forcën që ty të karakterizon, boshtin e ditëve tona.

Sëmure veten veç me durim dhe qëndro në shtëpi, se pranvera këtë herë ka ardhe aty..brënda shtëpive tona.

Ndërkohë… unë do të thur për ty vargjet më të bukura të poezisë, për të treguar sa e bukur je, që ty kjo të të behet forcë, të të bëhet shpresë…

“Ka nji qytet,
ku edhe mendimet
i filtron ajri i liqenit,
e ato lyhen të pastra,
në mëndjet e njerëzve.

Ka nji qytet,
me aromë sheqerke,
në formë zemre,
nji qytet që zgjohet,
me kunorë prej vese.

Nji qytet,
ku balta,
asht ma e ambël se mjalta,
ku muzika,
asht përherë kryefjala.

Nji qytet ku zilet e biçikletave,
nuk pushojnë asnjiherë,
ku buzëqeshjet freskohen
me aromë luleborë,
ku të dashuruarit,
ecin dorë për dore.

Jo më kot,
e quajnë qytet i dashnisë,
qytetin tem të fëminisë,
atij edhe qielli i kërruset,
vëç me ia puth pak buzët.

Rrugicat ia lexoj,
me sytë e mëndjes,
mi gërvisht krejt
telat e zemrës.

Tingujt e fizarmonikës,
i derdhen ballkoneve,
Shkodrës,
e s’munden me ia shemb,
as muret e kohës.

Ky qytet,
asht ndërtu mbi supet e nji gruaje,
mos e harro legjendën, trashëgoje, thuaje.

Ky qytet,
mban qënien e saj fisnike,
ec nëpër shekuj
tu fsheh lot e dhimbje.

Nuk pushojnë lotët,
në qytetin e baladave,
nuk pushon kurrë
shiu i shtrëngatave.

Ky qytet i përqafon
shikimet tona afër,
nuk mund të krijonte natyra,
dhuratë ma të pasun.

Shkodra asht beku
me bukuri të ashpër,
e asnji shoqe nuk mundet,
me i ardhë afër.

Nga Ambra Hysa.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF