100 vjeç/Gëzuar ditëlindjen recipetë!!!

Nga historia e dhimbshme e korseve gruaja preku sensualitetin e mëndafshit të sytjenave, deri tek modelet sportive, që mbajnë nën kontroll shëndetin e gruas

Magjia e sfilatave të Victoria’s Secret, një event dedikuar tendencave të të brendshmeve, prej vitesh konsiderohet një paradë amazonash, që ecin mbi pasarelë të veshura vetëm me sytjena. Por, si ka evoluar kjo veshje kaq intime dhe sensuale dedikuar gruas? Nuk do ta besoni, pasi shkëlqimi që shihni sot, është shumë larg rrënjëve të tyre origjinale. Sytjena e parë e gjetur nga arkeologët është 600-vjeçare, u zbulua në një kështjellë austriake, ishte liri, dhe e zbukuruar me dantella. Deri atë kohë, veshjet e brendshme të grave ishin ‘pajisje’ të forta dhe gati torturuese. Termi Brassiere, ose recipetë përmendet për herë të parë në 1910 në revistën Vogue Amerika duke hyrë zyrtarisht në fjalor. Çuditërisht në 1914, një grua rreth të njëzetave, Mary Phelps Jacob, krijoi sytjenat e saj me dy shami të lidhura fjongo që nxirrnin në pah dekoltenë e një fustani mbrëmje, ku shamitë formuan gotat dhe shiritat rripat.

Ardhja e sytjenit erdhi pikërisht, kur pararendësja e saj, korseja, e cila kishte si bazë një kornizë metalike, kërkonte shumë tel për t’u realizuar, ndaj u ndalua të vishej, sepse mungonte metali, i cili shërbente për ushtrinë gjatë Luftës së Parë Botërore. Kështu, korsetë e çmendura, u hodhën tej, duke sjellë versionin e parë të sytjenave moderne i cila daton në vitin 1920. Ato u gjetën në Britaninë e Madhe, janë me bazë mëndafshin dhe thurje teli të hollë, ndërkohë Herminie Cadolle nga Franca, ishte ajo e cila krijoi modelin që ngjan me gjimbajtësen e sotme.

Revolucioni më i madh erdhi dy vjet më pas, kur Bandeaus, sugjeroi një model i cili rrafshoi bustin duke u dhënë grave një pamje paksa androgjene. Por, Ida Rosenthal, i riktheu atyre sensualitetin, duke krijuar sytjenin me kupa, duke u përshtatur me formën natyrale të gjirit të gruas.

Aktorja Marilyn Monroe arriti të popullarizojë pamjen e vajzës së ëmbël në vitin 1950, duke sugjeruar modelin stil plumbi, duke e kthyer sytjenën në një trend të momentit, por edhe një nga më sensualet e të gjitha kohërave. Edhe pse kjo veshje kaq delikate ishte kthyer në një element identifikues për gruan, në vitin 1968 e deri në vitet 1970, sytjenat kishin funksion thjesht estetik, për të përmirësuar pamjen e gjinjve të një gruaje nën veshjen e saj, derisa lëvizjet e grave në vitet 1960 dhe70 në Amerikë, u bënë një katalizator për zhvillimin e tyre.

Në konkursin Miss Amerika 400 gra hodhën sytjenat në Broduej në shenjë proteste kundër presionit të shoqërisë. Ishte momenti që ky aksesor, të kthehej në një stil jetese. Përshtatja e modelit klasik, në një sytjenë më sportive, erdhi  në 1977, kur tre studentet Lisa Lindahl, Linda Mille dhe Polly Smith, shpikën Jogbra, e cila përbëhej nga 2 rripa të qepura së bashku, me një formë më të theksuar, e cila mund të vishej edhe gjatë ditës, duke u mbuluar me këmishë të tejdukshme. Ndryshimi erdhi falë Christine Haycock, e cila zhvilloi një sondazh, i cili tregoi se gratë sportiste kishin dëmtime dhe dhimbje të gjirit gjatë stërvitjes, duke zbuluar se gjinjtë lëviznin në një model sinusoidal, ndaj rekomandohej një model i ngushtë dhe sportiv.

Këngëtarja e muzikës pop Madonna bëri një deklaratë të guximshme mode gjatë turneut “Blond Ambition” në vitin 1990, kur u shfaq me korse me kupë me majë, të dizajnuar nga Jean-Paul Gaultier, si një shenjë e cila tregonte evolucionin e gruas. Sytjenat, me një stil kaq të rafinuar, provokues dhe joshës, ndryshe nga shumë veshje në historinë e njerëzimit, që deri atëherë mund të përdoreshin edhe nga burrat, këtë herë ishin ekskluzivitet i femrave. Sytjenat kanë bërë një rrugë të gjatë këto 100 vjet, por cili është statusi aktual i tyre?  Dy nga problemet më të mëdha janë përshtatja dhe rritja e madhësisë së gjoksit. Ekspertët mendojnë se në mënyrë që një sytjenë të mbështesë gjinjtë në mënyrë të mjaftueshme, duhet që ajo të përshtatet në mënyrë korrekte. Sutjenat nuk do të kufizojnë lëvizjen e gjirit. Fatkeqësisht, 85 për qind e grave veshin madhësinë e gabuar. Arsyeja? Sepse madhësia e sytjenave nuk është standartizuar: gratë përshtaten me një gamë të caktuar, ku sistemi i madhësisë së tyre bazohet në dy matje të perimetrit të kraharorit dhe jo në masën e vëllimit të gjoksit.

Rekordi 

Reçipetat Red Hot Fantasy u vlerësuan 15 milionë dollarë duke hyrë në Librin e Rekordeve Guinness. Prej sateni të kuq, rubinë Thai dhe diamante, ato konsiderohen sytjenat më ekstravagante dhe të shtrenjta të krijuara ndonjëherë.

 

Previous Article