Bordo Art/Të varfërit artistë të pasur

Falë përdorimit të materialeve dhe ritualeve universale,”Arti i varfër” është një urë lidhëse midis kulturave të largëta.

Ekziston vetëm një lëvizje tjetër e njohur si Art i varfër dhe ajo është Futurizmi.

Kur galeritë ishin ende me shina, zinxhirë në mure për të varur pikturat dhe piedestale për të vendosur skulpturat, tregtarët filluan të linin apartamentet në katin e parë dhe të merrnin me qera gjëra të çuditshme si garazhe, laboratorë dhe bodrume sa më të mëdhenj.

Fati i Artit të varfër është se hyri në sistemin kulturor ende pa u perceptuar koleksionimi i tij.

Që nga fillesat e veta ishte e qartë se gjërat e lindura nga duart, mendjet e të varfërve dhe jo nga metodat e avancuara nuk ishin të destinuara për sallone. Materiale të brishta, konservim i vështirë, dimensione të papërshtatshme me një shtëpi normale, i adresuan menjëherë këto vepra drejt koleksionistëve muzealë si privat ashtu edhe publik e si rrjedhojë rritja e vlerës së tyre ishte e menjëhershme.

Lum të varfërit (artistët natyrisht)

Në 50 vjet protagonistët e Artit të varfër kanë fituar çdo betejë. Ata u bënë të pasur dhe të famshëm, pushtuan muzetë në të gjithë botën e thyen rekordet e ankandit.

Është e kotë ta mohojmë që nëse shpesh arti gjendet nën prozhektorët mediatikë kjo sigurisht është jo veçanërisht për ndonjë zheni apo potencial të lindur se sa për kuotizimin që një vepër mund të arrijë. Në një ankand flitet gjithmonë për vlerën monetare të veprës dhe pothuajse aspak për autorin apo përmbajtjen e saj pavarësisht se autori mund të jetë Picasso, Mondrian, Kandinsky…

Artistët duhet të jenë të varfër, të ndëshkuar dhe të destinuar të punojnë pa u ndalur për lavdinë që vjen gjithmonë pas vdekjes. Por ja që nuk është plotësisht kështu.

Tiziano ishte aq i pasur dhe i pushtetshëm sa vetë perandori Carlo V u përkul për t’i mbledhur penelat që i kishin rënë nga tryeza e punës. Me shumë gjasa edhe Van Gogh nëse nuk do të kishte vdekur në një moshë aq të re do ta kishte prekur shumë shpejt suksesin. Picasso dha Dali mund të themi me bindje se nuk vdiqën në mizerje.

Duhet mos të harrojmë kurrë që çmimi dhe vlera e një vepre janë dy gjëra të ndryshme që jo gjithmonë përputhen. Shumë artistë kushtojnë pak por kanë një vlerë të madhe artistike dhe anasjelltas. Shumë e rëndësishme e për t’u theksuar është dhe fakti që nuk duhen konsideruar kurrë të njëjta me një spekulim financiar veprat me një çmim të konsiderueshëm. Edhe kur çmimet duken tejet të ekzagjeruara pasi kalojnë shumë shtegje të tregut të artit, nuk duhet të shpërqendrohemi nga indinjata por të përpiqemi të kuptojmë atë që vepra do të përcjellë. Duke lënë mënjanë paragjykimet mund të gjendemi përballë surprizave të këndshme që mund të na dhurojë një vepër prej disa mijëra eurosh po ashtu edhe një vepër prej miliona dollarësh.

Të mendosh pozitivisht nuk do të thotë aspak t’i konsiderosh të gjitha prurjet, pasi Arti si çdo fushë tjetër nuk i ka shpëtuar abuzimeve.

Shumë e kanë shndërruar në burime të ardhurash duke shfrytëzuar termat e artit, shumë të tjerë vetëdeklarohen artistë. Ka një kosto dhe jetëgjatësi për çdo rast.

Një vepër që ka përshkuar rrugëtimin e rrjeteve sociale instagram, facebook dhe një vepër që ka qarkulluar nëpër galeritë më prestigjoze kanë një hapësirë të pakapërcyeshme midis tyre, dhe ky është një kuotizim i shpejtë që nuk ka nevojë për komisione e specialistë të fushës për të evidentuar diferencën midis dy fenomeneve.

Previous ArticleNext Article