Kujtimi i tyre do të jetë i përjetshëm, ndonëse ikja fizike nga kjo botë trishtoi jo pak; të njohur e të panjohur; familjarë e dashamirës që i adhuruan nga ekrani. Për shkak të pandemisë 2020-ta nuk do të harrohet lehtë nga e gjithë bota, ndërsa Shqipërisë së vogël ju shkëputën Yje që i dhanë dritë për dekada artit e kinematografisë shqiptare!
16 Janar 2020; një sëmundje e rëndë i merr jetën aktorit Xhevdet Feri
Prej 16 Janarit të vitit 2020, Borës i mungon shoku i saj më i ngushtë babi, e Rozetës i mungon bashkëudhëtari i jetës që ‘tradhëtoi’ betimin për të qenë bashkë përjetësisht mesajanarin e ketij viti. Shumë do ta kujtojmë si aktorin që shënjoi kinematografinë shqiptare me talentin, por edhe pamjen e tij. “Burri i bukur“ i ekranit, e kanë quajtur disa, megjithatë Ferri ishte më shumë se kaq. Me rolet brilante përgjatë karrierës së tij, aktori që ka qenë më së shumti protagonist në filmat shqiptarë, la një gjurmë që nuk do të shlyhet lehtë. Ai u shua nga një sëmundje e rëndë në moshën vetëm 59 vjecare. Pak muaj më parë ishte bërë gjysh, por iku përpara se ta shijonte sa duhet këtë gëzim qe i fali vajza e vetme Bora.
7 shkurt; legjenda e muzikës shqiptare Nexhmije Pagarusha mbylli sytë përgjithmonë
Më 7 shkurt, Nexhmije Pagarusha, legjenda e muzikës shqiptare, Bilbili i Kosovës, u nda nga jeta në moshën 86-vjeçare. Ajo vuante nga një sëmundje e rëndë.
Nexhmije Pagarusha u lind më 7 maj të vitit 1933, në Pagarushë, një fshat në afërsi të Malishevës, Kosovë. Karrierën muzikore që përshkon 40 vite ajo e nisi në vitin 1948 në Radio Prishtina. Ajo interpretoi këngë si “Baresha,” “E dehun jam,” “Shota” etj. që konsiderohen kryevepra të muzikës shqiptare; interpretoi vepra të përkthyera në shqip të Bethovenit, Puçinit, Verdit, në një koncert të parë të llojit të tij që për fat të keq nuk u regjistrua.
5 Prill 2020; Teksa e gjithë Shqipëria ishte e izoluar nga Covid; aktori Gëzim Kruja la këtë botë përgjithmonë
Pak muaj pasi i festuan 80 vjetorin e lindjes, të afërmit dhe miqtë i dhanë lamtumirën e fundit Gëzim Krujës. Humoristi shkodran u nda nga jeta pas problemeve shëndetësore që i vuante prej kohësh në heshtje, në pamundësi për të folur. Për mbi 60 vite ikona e humorit shkodran kontribuoi duke u bërë një prej figurave më të dashura të artit shqiptar me pjesë të pafundme humoristike duke u kthyer në emblemë të skenës.
21 Prill 2020; Shuhet ikona e kinematografisë Rikard Ljarja
Aktori i mirënjohur i kinematografisë shqiptare ndërroi jetë në moshën 77-vjeçare, pasi vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë. Ikona e kinematografisë dhe teatrit shqiptar, mbylli sytë përgjithmonë në banesën e tij pranë bashkëshortes Marjeta Ljarja. Rikard Ljarja do të mbahet mend si aktor protagonist në shumë filma, si “Fletë të bardha”, “Pesha e kohës”, “Dueli i heshtur”, “Ndërgjegjia” dhe si regjisor e aktor në filmin “Skëterr 43”, “Në pyjet me borë ka jetë” etj. Ai ka krijuar mjaftë personazhe në filmat e tij që kanë mbetur në fontin e kinematorgrafisë shqiptare.
7 Maj 2020: Shuhet arkitekti dhe piktori Maks Velo
Shuhet në moshën 84-vjeçare arkitekti dhe piktori i njohur Maks Velo. Lajmi është konfirmuar nga të afërm të Velos të enjten e 7 majit. Velo u nda nga jeta në moshën 84 vjeçare teksa ishte prej ditësh i shtruar në QSUT, duke qenë se prej kohësh ai vuante nga anemia e theksuar. Ai është cilësuar si një ndër 175 arkitektët më të mirë në botë.
28 Qershor 2020; ndahet nga jeta kolosi i valles popullore Besim Zekthi
Mjeshtri i valles popullore shqiptare Besim Zekthi u shua më 28 qershor në moshën 84 vjeçare. Artisti mbylli sytë përgjithmonë si pasojë e një sëmundje të rëndë nga e cila vuante prej vitesh. Zekthi dha frymën e fundit në banesën e tij në Tiranë, pranë familjarëve.
21 korrik 2020 ndahet nga jeta aktori Anton Krosaj
Ndahet nga jeta në moshën 54-vjeçare aktori i njohur i humorit shqiptar, Anton Krosaj, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Aktori me origjinë nga Shkodra ishte pjesë e estradës së teatrit “Migjeni”, ndërsa numëron mjaft role në komedi dhe skeçe. Anton Krosaj u lind më 26 Janar 1966 në Shkodër. Ai nisi si aktor me Fabrikën e Duhan-Cigareve, Shkodër. Gjatë kësaj kohe mori pjese ne shumë shfaqe dhe luajti shumë role ne shfaqet e Fabrikës Duhan-Cigare.
9 Gusht 2020: pabesia e Covid i merr jetën skulptorit Arben Bajo
Me gjithë thirrjet dhe përpjekjet e kolegëve e miqve për t’i ardhur në ndihmë artistit Arben Bajo duke dhuruar gjak, fatkeqësisht ai nuk ja doli dot të fitojë betejë me Koronavirus. Në vapën zhuritëse të gushtit, mëngjesin e datës 9 të njohur e të panjohur të artistit u trishtuan pa masë teksa mësuan se ai e la përgjithmonë këtë botë, fare i ri në moshën 53 vjeçare. Bajo nuk mundi dot të t’i përballojë komplikacionet e shkaktuara nga Covid-19, që fatkeqësisht i shkaktuan atij ikjen e parakohshme.
29 Tetor 2020; Shuhet në moshën 92 vjeçare Avni Mula
Kompozitori i njohur Avni Mula u nda nga jeta në muajin tetor të këtij viti, në moshën 92-vjeçare. Baritoni dhe kompozitori i njohur Avni Mula, është vlerësuar dhe nderuar për krijimtarinë që ka sjellë jo vetëm në skenën operistike, por dhe në atë të këngës në festivale të ndryshme. Ai është kompozitor i këngëve të famshme si “Nënë moj do pres gërshetin”, “Këngët e atdheut tim”, “Valsi i lumturisë”, “Një djep në barrikadë” etj.
8 Nëntor 2020; Nuk e fitoi dot betejën me Covid; ndërron jetë Koço Devole!
Komediani Koço Devole nuk e fitoi dot betejën me Covid-19 dhe fatkeqësisht mëngjesin e 8 nëntorit nga ambientet e spitalit Infektiv u dha lajmi i trishtë se komediani është ndarë nga jeta. Devole ka mbyllur sytë përgjithmonë në spitalin e Infektivit ku prej ditësh ndodhej i intubuar. Fatkeqësisht Koço Devole nuk ja doli dot; aktori që rriti breza me humorin e tij dhe ka bërë shqiptarët të qeshin për dekada me radhë, këtë Nëntor e la këtë botë përgjithmonë! Koço Devole është një nga personalitet më të njohura të humorit shqiptar. Përveçse aktor i shkëlqyer humori, Devole është karikaturist, skenarist, regjisor dhe prezantues spektaklesh.
22 Nëntor 2020; Shuhet Muharrem Fejzo
Kineasti Muarrem Fejzo është ndarë nga jeta. Lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të regjisorit të njohur e ka dhënë në rrjetet sociale djali i tij. Muharrem Fejzo lindi në Kolonjë në vitin 1933. Fejzo bëri praktikë si sufler në Teatrin Popullor në Tiranë. Ai gjithashtu kreu studimet në degën e aktrimit dhe nga pasioni i madh që kishte për kinemanë, Muharrem Fejzo kontribuoi si grimier në disa nga filmat e parë shqiptarë. Vite më vonë u bë drejtori i Shtëpisë së Kulturës në qytetin e Kukësit.



















