Gjithmonë kam qenë kurioze të di se si ndihet një artist, piktor kur nga portofoli i krijimeve të tij shkëputen një nga një copëza nga bota e tij?! Ndonëse secili piktor mund të ketë përgjigjen e tij rreth kësaj kureshtje timen, në thelb s’do mend, ose të paktën më pëlqen të besoj se të gjithë kanë përgjgjen që kam marrë diku, dikur nga një artist rruge:
“Unë nuk shes një materie (piktura), dhuroj një pjesë të shpirtit tim, edhe pse kompromisi i jetës ka dashur që ndonjëherë shkëmbimi të jetë në para”
Helidon Haliti, artisti që ‘shkruan poezi’, në pikturat e të cilit mund të humbësh e të udhëtosh në imazhe që pasqyrojnë shpirtin e tij; Shqipërinë, etnologjinë, përrallat, baladat e legjendat shqiptare. I dashuruar pas një totemi të thjeshtë siç është dhia, një kafshë që artisti e lidh pashmagshëmrisht me Shqipërinë, siç një indian është i lidhur me lopën, apo një beduin me devenë.
Dhia, kafsha që pëlqen sfidat dhe kullot në terrene të thepisura, duke sfiduar ndonjëherë edhe mudnësitë e saj; rebelja me katër këmbë për të cilën liria është jetike; dhia kafsha që për piktorin Haliti është simbol i vendit tonë. Helidoni përdor totema fare të thjeshta, të cilat në kompozimet e tij vijnë në qindra dimensione, me anë të të cilës vizitori, artdashësi zbërthen veten dhe botëkuptimin e tij personal.
Fundjavën që lam pas, një ndër vizitorët e poetit vizual ishte gazetari Blendi Fevziu, i cili si njohës i mirë i artit pamor, rrëmbeu nga atelieja e Halitit një ndër punimet më të preferuara të artistit; pikturën; magjia e dhive.
Prej 2 dhjetorit, Helidon Haliti ka hapur studion ku mirëpret këdo që admiron punimet e tij, dhe jo vetëm si blerës por edhe si vizitorë të thjeshtë, për të kundruar se si pikturat e këtij rebeli që e sjell lirinë ndryshe…fiks siç edhe Ismail Kadare e ka quajtur; pikturat e Helidonit janë të lidhura jo nga prangat, por nga mjetet e lirisë.



















