KreuArt

Stinët e Oltsen Gripshit

Ndjesi personale të përkthyera në momente njerëzore, të cilat kalojnë nga errësira në dritë, nga jeta në vdekje gjithë ciklin e njerëzimit

Olsi Kolami

Si një feniks që ringjallet nga hiri i tij, Oltsen Gripshi ka arritur të nxjerrë nga gërmadhat e shtëpisë së tij të fëmijërisë në qytetin e Durrësit, madje gjithë Shqipërisë së goditur nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, një histori unike, njerëzore, atë që thellë-thellë nënkupton universin dhe ciklet e jetës. Duket paksa e çuditshme, por edhe e guximshme, sesi pas asaj çoroditje njerëzore, kur kushdo do të merrte vrapin për të gjetur një strehë të sigurt, mendja e Gripshit arriti të përballonte jo vetëm goditjen tektonike, por arrin të krijojë nga ky armagedon, jetën.

Ai nis të mbledhë mes kujtimesh, duke nxjerrë nga gërmadhat e së shkuarës momente plot dritë, kujtime që e lidhnin fort me të shkuarën e bardhë që kishte lënë pas, shkëndija objektesh, historish, të qeshurash, pse jo edhe ndonjë loti që rrjedh mbi faqe. Ai ka guximin që si një krijues, të rindërtojë jetën nga e para, duke i dhënë çdo objekti forcën e rilindjes. Përmes metaforave kaq jetësore, duke i mbledhur tok, si një dedikim ndaj jetës, Oltsen Gripshti çeli ekspozitën “Stinët e Qenies apo Himni i Jetës”, ku përmes simbolesh e ngjyrash të forta, arrin të kuptosh sesi autori arrin të zbërthejë një realitet që ndoshta syri i një njeriu të zakonshëm nuk mund të përtypë aq kollaj. “Përjetimi është krejt personal dhe kam dashur që pjesën e kësaj drame kaq të madhe, një errësirë dhe zbrazëti kaq të madhe shpirtërore dhe psikologjike, ta përkthej në një vepër arti ku mbizotërojnë ngjyrat dhe optimizmi për jetën”- rrëfen për Bordo Oltsen Gripshi.

Artisti ka arritur që duke zbërthyer nocionin e katër stinëve, një simbolikë kaq e fuqishme, të krijojë një instalacion të madh, i cili është ndërtuar me copëza të vogla të nxjerra dhe mbijetuara nga rrënojat e shtëpisë, por ama shumë të vyera që e lidhin pazgjidhshmërisht me të shkuarën.

E nëse të gjithë do të nisnin stinët nga pranvera, Gripshi e nis nga Dimri, momenti kur edhe ndodhi gjëma e madhe, duke vënë në qendër të vëmendjes objekte me kontraste të thella. Një prej këtyre sendeve të mbijetuara është një jorgan i kaltër i së ëmës së Oltsenit, i cili ka një simbolikë shumë të fuqishme, duke e shkëputur nga konteksti i të përditshmes. Kjo relikë kaq intime dhe familjare sjell në këtë ekspozitë stinën e dimrit, e bashkë me të vjen edhe korbi, duke ndërtuar një kontrast të fortë mes dritës dhe errësirës, një ndjesi e cila të bën të mendosh se pas stinës që ftohtë, ka gjithmonë një çlirim ngrohtësie që pritet të vijë nga çasti në çast.

Pranvera nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe, shfaqet me ngjyrat e ngrohta, ato të shpresës, me një shpend lajmëtar si dallëndyshja, figurat e së cilës edhe pse të vendosura në një sfond me ngjyra pastel, janë përceptuar nga Gripshi si një hapësirë e pafundme, duke i dhënë një dinamikë të theksuar, aq sa ky shpend pranveror ngjan herë sikur rri, e herë sikur është gjatë gjithë kohës duke fluturuar në ajër.

Kur ndalesh para stinës së nxehtë, dimensioni përthithës i gjarprit të tremb. Gripshi shpjegon se koncepti i tij për Verën i cili vjen përmes një të verdhe kaq shumë të ndezur, ku simboli që spikat është gjarpri i cili gjarpëron kanavacën, ka domethënie të fortë:  ky zvarraniku në vepër nënkupton aftësinë që ai ka për të mbrojtur një territor, që zakonisht është një shtëpi, por nga ana tjetër edhe fakti që kjo gjallesë e cila përmes ndryshimit të lëkurës rigjallëron veten, të jep ndjesinë se gjithçka ndryshon vazhdimisht dhe ripërtërihet. E në fakt, kur sheh sesi ky gjarpër me një të verdhë diellore rri e shikon një mizë të vendosur në qendër të kanavacës, e cila nënkupton forcën, më vijnë në mendje orët e eposit të kreshnikëve, që shfaqen në formën e një zvarraniku të bukur, i cili mbron çdo shtëpi nga e keqja.

Vjeshta lozonjare për Gripshin është e mbuluar me gjethe të kafenjta, një qilim i cili nis nga toka e përqafon një mur të zi. Vjeshta me gjethet e thata që ngrohin historikisht tokën, është perceptuar nga artisti njësoj si simboli i jorganit, duke na dhënë një ndjesi më intime, ngrohtësinë, një mbulesë poshtë krejt natyrale brenda së cilës ne mund të fantazojmë, por nga ana tjetër, ato janë shpjegimi më i thjeshtë i ciklit jetësor, ku pas një rrugëtimi, çdo gjë lind e pastaj vdes. Madje kur del nga kjo stinë, e cila është edhe e fundit e instalacionit të krijuar nga Oltsen Gripshi, pasi ke ndjerë kërcitjen e gjetheve mund të marrësh me vete një prej tyre, duke të dhuruaar një emocion të fortë. “Ekspozita ka gjithashtu edhe disa elementë të tjerë ndërstinorë që lidhen me simbolet e stinëve. I pari është një tulipan i freskët i vendosur në një vazo me ujë, i cili ka domethënien e lindjes së jetës, e më pas një kafkë, e cila nënkupton rrugëtimin e jetës së njeriut, ndërsa në fund klesidra, ora e rërës, simbol i kohës që nuk ka as fillim, as mbarim”- shpjegon Gripshi. Por, ajo që të bën akoma më shumë përshtypje është se lart në qendër të instalacionit gjendet një vezë, e cila na sjell në mendje embrionin, zanafillën prej nga lind universi.

Një muaj ekspozim në Ministrinë e Kulturës, instalacioni i Oltsen Gripshit na dha një mësazh të fortë për jetët tona, se asnjëherë nuk duhet të pikëllohemi nga fatkeqësitë, kurrë nuk duhet të dorëzohemi nga disfatat, pasi gjithmonë vjen drita e cila largon errësirën dhe gjithçka rilind nga e para.

Ndërkaq, artisti është duke punuar për projektin e tij të ardhshëm, si kurator i ekspozitës së ardhshme të piktorit Helidon Haliti, e cila pritet të jetë një ndër eventet artistike më të bukura të këtyre viteve të fundit, jo vetëm për autorin, por edhe ndër më uniket për artin, i cili në këtë periudhë pandemie është zbehur.

 

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF