Nga Nada Biraçi
Fotografia: Erion Beshiri
Nëse nuk doni të shpenzoni para në marketing dhe reklamimin e produktit tuaj, atëherë krijoni një produkt pa të cilin njerëzit nuk mund të jetojnë dot dhe që do të zgjidhte problemin e tyre më të madh. Një produkt i tillë është padiskutim i vështirë për t’u krijuar, ndaj në çdo rast nëse je apo mendon të bëhesh një biznesmen i sukesshëm, me siguri do të të duhet të trokasësh në derën e një marketieri…Anaid Kaloti, tashmë një brand-manager sqaron për Bordo, gjithçka duhet të ketë një reklamim i mirë për të shkuar menjëherë tek klienti sepse duket se nëse përmbajtja e një produkti është zjarri; media sociale dhe marketimi është benzina!
Anaid Kaloti, emri juaj si brand i shërben menaxhimit, apo ju jeni në shërbim të tij?
Të dy jemi në shërbim të njëri-tjetrit, por kam përshtypjen që unë jam shërbëtor më i mirë. Unë drejtoj një kompani që kryesisht operon në digital marketing dhe në fokus ka trendin më të ri të të marketuarit të shërbimeve dhe produkteve, atë nëpërmjet influencers.
Me pak fjalë, unë dhe mbi 300 influencer i shërbejmë përditë dhe fuqishëm çdo produkti dhe shërbimi apo brandi që marketohet vetëm në digital.
Një menaxher duhet të jetë një imazh publik, apo edhe një i panjohur mund të jetë një menaxher shumë i mirë?
Disa nga shembujt më të mirë në botë, kanë treguar që imazhet nuk vetëkrijohen nga hiçi. Në fillim nis si i panjohur edhe pse ky nuk është rasti im, pastaj është puna, pasaporta, që kthen në publik imazhin e atij që nuk punon me orë por me ditë-natë. Nëse do ishe vetëm person publik dhe do të anashkaloje gjënë më të rëndësishme që është të informuarit në kohë, përshtatjës dhe punës së palodhur, kalaja e publikes do të rrëzohej më lehtë se një kala rëre e ndërtuar buzë detit, që prishet aq lehtë edhe nga këmba e një fëmije.
Si kompani digitale, duket se në kohën kur e gjithë bota u mbyll, për ju nisi puna…Po tani me rihapjen e vendit si vijon puna juaj?
Fluksi i punës tonë ka nisur atëherë kur gjithçka filloi të mbyllej. Ne kemi nisur si një industri digitale luftën, në kohën kur bizneset gjendeshin më në vështirësi se sot, diku rreth Marsit të vitit të kaluar 2020.
Atëherë gjithçka ka qenë më e vështirë sepse duhet të organizonim fushata dixhitale që kryesisht kishin në fokush shitjen, në një vend ku në rrugë nuk gjeje askënd. Sot që mendoj gjithçka po shkon drejt përmirësimit, mbase kemi më shumë fluks me kërkesa për shkak edhe të sezonit dhe nëse do të më duhej të veçoja disa nga problematikat, do zgjidhja të vija në fokus vetëm njërën. Atë që hasim më shpesh. Biznese të cilët pasi operojnë me kompaninë tonë dhe i rezulton fushata e suksesshme i gjejmë në screen Shot-et e inbox-eve të SHET, influencer të cilët na i dërgojnë ofertat e tyre që përpiqen t’i ndërrojnë apo t’i joshin ata me dhoma falas apo pjata makaronash. Kleringu është një formë mesjetare pagese dhe koha të jap një grosh, më jep një kafshë i përket të kaluarës së largët që nuk lidhet aspak me të ardhmen që ndryshon formë çdo ditë.
Prej pak kohësh keni krijuar “Shet Influencer Industry”! Sa i rëndësishëm është ‘Influencer Marketing’ për një biznes?
Do thoja, 80% e specialistëve të komunikimit dixhital prej vitit 2019, sugjerojnë marketingun direkt me influencers. Pse? Do të jepja një shembull të thjeshtë, ti kë do të zgjidhje; një krem që e sheh në foto me një sqarim të stërgjatur në shkrim që përpiqet të të mbushë mendjen apo një krem që po e vendos në fytyrë dikush që ti e ndjek prej vitesh, që i beson stilit të tij të jetës dhe prezencës së tij në publik, i cili të sqaron në 15 sekonda rezultatet apo informacionet mbi produktin?!
Nisur nga eksperienca juaj cilët janë ‘tipset’, pikat kryesore për një fushatë të suksesshme marketingu?
Duhet të jenë prezent në të gjitha platformat; duhet të kenë një kreativitet të fortë; nuk duhet të zgjaten shumë në narracionin apo fabulën e një produkti sepse njerëzit nuk shohin më produkte të stërzgjatura; duhet të zgjedhin kohën perfekte të postimit, atëherë kur rrjeti është më i ngarkuar. Dhe më e rëndësishmja, domosdoshmërisht duhet të bashkëpunojnë me SHET. Pse e them këtë? Sepse, edhe nëse një biznes nuk ka informacionin e mjaftueshëm apo buxhetet përkatëse për të organizuar veten mirë në dixhital, ne kemi një teknikë që e quajmë posta e informimit. E thënë ndryshe ju dërgojmë informacion të përjavshëm pa pagesë të gjithë bashkëpunëtorëve tanë qoftë për përditësimet e reja mbi platformat, si edhe për mënyrën se si duhet t’i qasen këtyre ndryshimeve.
Cili është stili juaj i menaxhimit?
Pozitiv, pozitiv, pozitiv. Research (Kërkime), research, research. Në kohë, në kohë, në kohë.
A mund të jetë një produkt i suksesshëm edhe pa marketing?
Mund të jetë i suksesshëm, por kollaj i konkurrueshëm. Që do të thotë, nëse i dalim ne atij produkti para me të gjitha armët që ofron teknologjia sot, do të mund ta konkurronim me të fundit në listë.
Faleminderit për intervistën, uroj që t’ju shërbejë lexuesve tuaj.