Haxhi Xhemajli nga Drenasi pretendon se mbesa e tij, Zarife Imeri, 23-vjeçare, ka ndërruar jetë për shkak të vaksinimit, raporton Gazeta Sinjali. Ai thotë se mbesa e tij është vaksinuar në Qendrën e Vaksinimit në Drenas, më 13 shtator rreth orës 15:29 dhe 48 orë më pas, ka ndërruar jetë.“U detyrove të vaksinohesh që të qëndron në vendin e punës. Ajo vaksinë pas 48 orësh të shkaktoi vdekjen. Mos na detyroni, mos na kushtëzoni. Prehu në paqe, mbesa jonë”, shkroi ai në Facebook.
Klinika Emergjente e Qendrës Klinike Universitare e Kosovës ka dalë me një sqarim rreth rastit. Sipas QKUK-së, e ndjera kishte hemoragji të brendshme. “Klinika Emergjente e Qendrës Klinike Universitare e Kosovës, në lidhje me lajmet e publikuara për vdekjen e Z. I ( 1998), nga fshati Zabel i Drenasit, sqaron se, pacientja vjen në Klinikën Emergjente në QKUK në ora 16:30, të datës 15 shtator 2021, me autoambulancë nga Qendra e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, për shkak të humbjes së vetëdijes, me bebëza të zgjeruara, pa tension arterial, pa puls periferik, me frymëmarrje të vështirësuar. Menjeherë mjekët dhe stafi shëndetësorë ka ndërmarrë masat reanimatore, pacientes i bëhen analizat laboratorike, radiologjike dhe konsulencat tjera mjekësore. Përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi i Klinikën Emergjente, pacientja nuk arriti të mbijetonte, vdekja konstatohet në ora 17:45. Diagnoza përfundimtare e vdekjes ishte hemoragjia intraabdominale ( gjakderdhje në bark) , shok hemoragjik. Familjarët kanë refuzuar autopsinë, kontrollin mjekësor të trupit”.



















