KreuCelebrity

Dashuria si një vizion ekzistencial në librin me poezi “Trup e Shpirt” të Timo Fllokos!

Nga Rudina Papajani

Vëllimi poetik “TRUP e SHPIRT” i Timo Fllokos është shkruar me një stil të veçantë ku bie në sy rrjedhshmëria e vargut të poezive në përgjithësi dhe i poemave në veçanti. Niveli artistik dallohet së pari, për shijen estetike dhe elegancë në konceptimin e vargut. Çdo poezi ka nënshtresat e saj, ku diku të rrëmben ëndrra mistike e një tokësori, me bekimin parajsor, që kthehen si shtrojë tematike, në trajtim, në shtrirje fushimi dhe lëvizjeje, si pjesë ekzistence përmes të bukurës-dominimit të femrës, si figurë stoike e një të ardhmeje sublime. Emocionet dhe ndiesitë e autorit përcillen nën një frymë shpirtërore, ku bie në sy lidhja e një ëndrre, midis reales në tokë dhe irreales në qiell. Vetë vëllimi letrar merr nocione e trajta të paparashikueshme, duke u shfaqur me trille ëndrrash si në mitologji, si riti i një ringritjeje pas një pushimi e heshtjeje të gjatë dhe pastaj pritja e ardhjes apo e zbritjes së të dashurës (ndoshta imagjinare), nga qiejt, si hyjneshë bukurie, për tokësorin, jeta e të cilit nuk matet me vite dritë dhe e kërcënon plakja…

Eja…

Mos vono prej larg,

se për ardhjen tënde, krijesë yjore,

100 vite janë pak,

(Nxito, ose do t’më gjesh të plakur).

te poema “Natë në Montparnasse”

Dashuria panoramohet në të katër hapësitë, me të gjitha hiret e saj, por e mbetur në largësi, si një profeci a një realitet në mundësi, që nuk u realizua, duke mbetur ashtu e brishtë, e paprekur në lirinë e vet të kufizuar si në ngrirje, e pakalueshme, e pakthyeshme, në atë frikën njomëzake, pa ngritje krye, eterne, ikonike…

E bukura jetë shfaqet kryeneçe si ëndrrat e një dielli që lind në fshehtësi, i një lumturie të penguar po aq sa dhe sublime, si pikë takimi në përtej, diku në një botë që vetëm njerëzit e fantazojnë, e shtegtojnë drejt saj me krahë imagjinarë me dëshirën ta prekin, të përjetësohen por që, në fakt, mbërrijnë në pandehma dhe asnjëherë nuk takohen. Ky është dimensioni i pakufi i kësaj shtrirjeje të paanë.

Aty këtu poezitë vijnë si rrëfime historish intriguese (dhe ato të imagjinuara, me simbole e metafora të sendeve e me motive të botës së prekshme) me një kulm ngjitjeje, krahasimi e reflektimi, për të përkryer një bosht narrativ me vlera e nuanca çastesh, figurash letrare, sa të prekshme aq dhe poetike. Antagonizmi dhe konfliktet tek personazhi _Maria_ japin idenë e një ëndrre pa mbarim, që tejkalon gjithçka për t’u ritakuar me atë që ka dashuruar në jetën e saj të shkuar (tani e mbijetshme), të cilës si esencë e vetë dashurisë, fuqisë së saj mbi vdekjen, ajo ka rezistuar, tashmë mjerisht, e kthyer nga kohët dhe transformat në një robot të pandjeshëm, pa ndiesi në trup e në shpirt… por ndodh frenimi, duke zgjuar në fshehtësi të vetëdijes së hershme ato ndjenja njerëzore dikur, që janë shuar por që kujtesa universale e qënies i rikthen. Kjo gjetje, transfigurimi i Maries, pas kthimit të të dashurit nga rrugëtimi në qiej me një anije kozmike, me shpejtësinë e dritës, është unike, e veçantë dhe mbresëlënëse në kulm. Shpesh, në disa poezi ndeshim njeriun hulumtiv, i cili ngase e dashuron jetën deri në qelizë, reagon i paqetë dhe lufton me veten, për t’i ruajtur copëzat e së shkuarës si brilante, për të mos u fshirë nga koha, t’i fosilizojë e varrosë në harresë… dhe njeriu rilind përmes kujtimeve.

Brenda këtij universi interior të shpirtit, poeti thërret e endet si një qënie plot shpresë e dhimbje në botën frymore, duke mbjellë mallin dhe dashurinë si parcela lulesh të egra në pyllin e jetës… Mjafton kthimi nga viset e largëta i një mjellme, shtatlastar, e cila ka humbur dashurinë (ngrohtësinë e zemrës), dhe lufton me jetën në emër të dashurisë, e për hir të saj, ajo do ta çojë shtegtimin gjer te yjet derisa ta rigjejë dashurinë. Ndërthurja dhe përshtatja në kohë krijon një gjendje emocionale të një niveli të lartë ku udhëtimet ëndërrore janë përzgjedhur me mjeshtëri, si një “kurth”, që syri të mos ketë as mundësi apo shans të shkëputet nga ajo botë mirazhi, trillesh artistike e detajesh mbresëlënës nëpër faqet e librit, me një shtrirje e hapësirë motivesh përtej oqeanit, madje qiejsh, nga Nju Jorku, te shkretëtira afrikane, nga e ardhmja pas në antikitetin e lashtë. Jo pa qëllim dhe titujt dhe emrat janë zgjedhur si kontekst kyç, duke marrë trajta metaforash siç është poemthi për trumcakun, mjellma, si më lart, robi i manive, Christel-a (kristali) apo Maria si Mari Magdalena e Krishtit, etj. Të bie në sy e shkakton dhembje e mungesa e Maria-s, dashuria e lënë në zenit’hin e vet, dashuria e pafat, aq e bukur dhe e përmallshme, që mbetet nderur, mes qiellit dhe tokës, e ngrirë, në amshim…

“Tani, ti je era që fryn, Mari

në amshimin tim”

Autori e vesh poezinë mirëfilli me art, duke e bërë fjalën magjike, mençurisht të përzgjedhur, moderne e të fuqishme emocionalisht, me gjeneracione epike që lënë gjurmë e shenjë nëpër fletët e librit, saqë me raste lypset të penetrohet në brendësi për një deshifrim kodesh të heshtur enigmatikë, në thelb të ëndrrës a nën lëkurë, pikërisht aty ku shpirti i tij bëhet një, si me magji me rrufetë e padukshme që shkundin retë dhe qiellin, si një trup, si pjesë e ëndrrës së dashurisë tokësore me qielloren, e të përtejmen. Kjo “arenë” e shndërron gjithë dhimbjen e një brenge në një liri njerëzore të pakufishme, që e ka thirrjen SOS të vetes, veçse në asht e në thelb të shpirtit. Mirazhet e dashurisë vijnë si simbiozë paqeje, loti që derdhet rrëkezë, teposhtë, që dhembja e kthen në lumë, lumin në det “dhe detin oqean…” dhe zemra, aty, si një oaz në brendësi. Dashuritë janë sa shtegtare aq dhe rastësore herë-herë, fillojnë ëmbël por dhe shuhen e fiken të pafata në atë oaz zemre të lënduar. Pamje e vizione shfaqen e jo rrallë feksin e fanepsen e vijnë si jehona visesh të largëta, si nga një realitet i magjishëm sa dhe i huaj e plot zhurmë, mbështjellë me vello misteri… diku hapat ndjekin kohën, çastet dhe koha shkrin në boshësi, si një meteor tinëzar që s’të fal, që të rrëmben ditët e vitet, duke të tërhequr në karvanin e kalvarit të ekzistencës, ku diku të nguros në një statujë, a të mashtron në ngrirjen e një malli dashurie të pakohë, që tretet, si ato balonat bohemë, ku prej së largu mbyturazi mezi dëgjohet valsi i një dashurie të larguar… I gjithë vëllimi poetik na paraqitet si një “anije kozmotike”, ku mbarten fantazitë, yje të këputur, hapësira malli e brenge, zgjime që luten e falen në kohë moderne, për të takuar dikë në një tokë të premtuar, hipotetike, ku falen diejt, rrezet…

Poezia e Timo Fllokos shënon suksesin e rradhës duke dëshmuar se vargu i tij na vjen fin, lëvrues, modern, demonstrues, si një vlerë dominante e një poezie kontrastesh, me shkëlqim të beftë e të fuqishëm…

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF