
Nga Blendi Salaj
Nëse do të të kërkoja të imagjinoje një person shumë të pushtetshëm, kush të vjen ndërmend? Ndoshta nuk do më përmendje një personazh aq të zi sa Stalini p.sh. pushteti i të cilit kushtonte miliona jetë njerëzish, por nga ana tjetër, kur të kërkoj të mendosh një njeri shumë të pushtetshëm, nuk është se po përfytyron ndonjë person shumë të ëmbël, të dashur e të butë. Ne nuk e shoqërojmë Pushtetin në mendjen tonë me cilësi si dhimbsuria apo mirësia, por ndoshta duhet ta bëjmë këtë, sepse ajo që po provohet tani shkencërisht është që Pushtetin e vërtetë nuk e kanë të fortët, por zemërgjerët, të gjindshmit.
Nga studimet e adoleshentëve sociologët po zbulojnë se në ambiente si gjimnazi, nuk janë çunat më të fortë, ata që kanë pushtetin e vërtetë, por të tjerë. Pushtetin e vërtetë, ndikimin mbi të tjerët e kanë ata që janë shokë të mirë, që të japin ndihmë kur të duhet, ata që duan t’ia dinë dhe bëjnë për të tjerët. Ky “Pushteti i butë” rezulton të jetë më i fuqishëm dhe më i plotë se pushteti i ashpër, imponues. Këto zbulime të reja të shkencës shkojnë kundër mendësisë Makiaveliane të Pushtetit, sepse ajo që po del në pah është se në grupe kopshti, klasa gjimnazi, ekipe futbolli apo kolektive pune, janë njerëzit me inteligjencë emocionale të lartë, njerëzit që fokusohen tek të tjerët, që janë empatikë, ata që ushtrojnë pushtetin më të madh mbi të tjerët. Këta janë njerëzit me ndikim, njerëzit të cilëve u dëgjohet fjala.
Sepse, edhe natyra e Pushtetit ka nisur të ndryshojë. Në momentet që po jetojmë, pushteti nuk shihet më vetëm si fuqi ushtarake apo si peshë financiare, por edhe si ndikim, si influencë. Le të marrim Nënë Terezën si shembull, pushteti i saj nuk ishte i bazuar tek paraja, as tek forca fizike, megjithatë, pushteti i saj është aq i fortë sa edhe pas vdekjes së saj, ajo mbetet një ndër figurat emblematike të planetit Tokë.
Nëse do të merrnim si shembull vendet me më shumë influencë sot në botë, do shohim se pushteti i tyre sot nuk qëndron tek forca ushtarake dhe fuqia ekonomike por tek mënyra sesi këto vende ndikojnë botën në mënyrën e të menduarit, të të sjellurit, përmes librave, filmave, ideve, stilit. Këtu qëndron pushteti i vërtetë, që është si ai i prindit mbi fëmijën. Vërtet prindi ka fuqi ekonomike mbi fëmijë, apo epërsi fizike ndaj tij, duke qenë më i madh, por pushteti i prindit mbi fëmijën nuk ushtrohet aty, por duke i ndikuar fëmijës vlerat, duke i dhënë mësime morale, njerëzore, duke iu bërë shembull.
Por problemi me Pushtetin është se kur ai bëhet i plotë nis dhe gërryen e rrënon pikërisht ato tipare që e bënë të mundshëm. Kështu, ata njerëz që më parë ishin të vëmendshëm ndaj të tjerëve duke patur aftësinë e fortë për të lexuar ndjenjat e njerëzve rreth tyre, nisin ta humbasin këtë cilësi. Në librin “Paradoksi i Pushtetit” autori Dacher Keltner tregon sesi e fitojmë dhe e humbasim influencën mbi njerëzit teksa lëvizim përgjatë këtij harku. Ngrihemi në pushtet për shkak se jemi të orientuar kah të tjerët, dhe me tu ngritur, humbasim shqisën, trashim zërin, e në fund fare, as që duam më t’ia dimë se si i bëjmë të ndihen të tjerët, nëse ata vuajnë prej veprimeve apo mosveprimeve tona. E keqja është se studimet tregojnë se edhe kur jemi të ndërgjegjshëm se pushteti na dëmton shqisat që kemi ndaj të tjerëve, nuk mund të bëjmë asgjë për ta ndalur fuqinë transformuese që pushteti ka mbi personalitetin tonë.
Në një studim të kryer në Universitetin Berkley në Kaliforni, kërkuesit vendosën një student universiteti tek vijat e bardha, duke u bërë gati për të kaluar rrugën. Tani, këto nuk ishin vija të bardha dosido, por vija të bardha shumë të gjera dhe shumë të theksuara. Ajo që studiuesit zbuluan ishte se ndër makinat e thjeshta dhe të lira, të tipit Golf 3 apo FIAT akush nuk i injoroi vijat e bardha, 0%. Ndërsa për sa u përket makinave luksoze, 46.2% e injoruan krejtësisht kalimtarin. Dhe kjo nuk do të thotë se njerëzit me makina të vjetra janë më të mirë se ata me makina të shtrenjta, aspak. Por do të thotë se kur kemi Pushtet dhe makina që tregojnë këtë pushtet, nisim të sillemi keq. Nis të na duket sikur bota na e ka për detyrë, dhe të gjithë janë në shërbimin tonë.
Ata që kanë pushtet të pakufizuar, edhe kur kanë ardhur nga fillimet më modeste, marrin kot. Ky është përfundim shkencor, i vërejtur në shumë eksperimente që sociologët kanë kryer. E keqja është se ata që janë të pushtetshëm dhe të korruptuar nuk janë më të këqinj se ne të tjerët, në fakt ata janë njësoj si ne dhe ne njësoj si ata. Vetëm se ata janë më arrogantë e të pandjeshëm sepse vuajnë pasojat e Pushtetit.
Botuar në revista BORDO – tetor 2020



















