Historia e parfumit, nga aromat primitive të egjiptianëve tek ‘burgosja’ e esencave nga francezët në shishe…
Kur ndjejmë një aromë parfumi, menjëherë në mënyrë të pavetëdijshme, lidhemi me një copëz të kujtimeve tona. Nuhatja e parfumit provokon ndjenja dhe sjell kujtime, të cilat i kishim harruar. Për të kuptuar parfumin, duhet të kthehemi shumë pas në kohë, duke mësuar që paralelisht me civilizimin është krijuar dhe parfumi. Parfumi dhe përdorimet e tij datojnë që në kohët antike. Egjiptianët janë përgjegjës për origjinën e parfumit. Ata e përdornin gjerësisht atë; që nga ceremonitë fetare deri tek përdorimi i përditshëm. Elita e pasur e shoqërisë Egjiptiane, përkëdhelnin veten me aroma zambaku për të treguar statusin e tyre. Persianët, filluan të përdornin parfum si shenjë e statusit politik, e u desh civilizimi Grek dhe Romak, që parfumi të shihej si art dhe të prodhohej masivisht.
Mesa duket ishin vitet 7000 p.k, në Lindjen e Mesme, ku objekte të konsideruara si parfume dhe vazo kozmetike u shfaqën për herë të parë. Këto civilizime përdorën kryesisht rrëshirë për të krijuar parfume, të cilat përdoreshin për zotat ose familjet mbretërore. Egjiptianët ishin të zotë për të krijuar aroma të ndryshme, por ata ende nuk kishin informacione për procesin e distilimit. Edhe pse shumë të njohura e të përdorura gjerësisht, këto parfume nuk kishin cilësinë e ditëve të sotme. Ky art, i cili hasi vështirësi në fillimet e tij, u zhduk gjatë periudhës së përfundimit të Epokës së Bronzit, rreth 1200 vite p.k. Gjatë periudhës arkaike, shekulli 6 p.k, parfumi filloi sërish të popullarizohej. Ato vendoseshin në shishe të vogla, vazo të zbukuruara, ose shishe prej alabastre. Erëzat, lulet, mineralet, bimët, vajërat ishin ndër përbërësit e parë që u përdorën për krijimin e parfumeve. Pyetja që shoqëronte parfumin, ishte e lidhur ngushtë me zhvillimin e teknikave të distilimit, të cilat u përhapën me anë të alkimisë dhe doktorëve Arabë në Andaluzi gjatë shekullit të 13.
Parfumi, një fjalë latinisht e cila ka kuptimin ‘përmes tymit’, ka qenë një barometër për shoqërinë dhe ka treguar që përdorimet e tij kanë qenë të shumta përmes historisë. Ashtu si dhe moda, parfumi zhvillon një hartë për njerëzit duke i orentuar drejt krijimit të një personaliteti, statusi social dhe ndjenjën e të qenurit mirë.
Të konsideruar më të çmuar se floriri, lulet, bimët dhe erëzat, parfumet ishin një mënyrë të shprehuri dhe admirimi. Përbërësit e parfumit përdoreshin për qëllime fetare, të cilat aplikoheshin në lëkurë për tu mbrojtur nga shpirtrat e këqinj. Parfumi gjithashtu përdorej dhe si afrodiziak. Ishin Egjiptianët ata të cilët mësuan fillimisht si të nxirrnin vaj nga lulet dhe gjethet, t’i zbusnin dhe t’i përdornin për krijimin e vajit mbrojtës për rrezet e diellit. Doktorit Arab Avicenna, i atribuohet zhvilimi i metodës së distilimit, që çoi më pas në krijimin e parfumit të lëngshëm.
Ka ndryshuar pak përsa i përket procesit të gjetjes së përbërësve të parfumit. Lulet dhe bimët mblidhen me dorë, dhe distilimi, ku avulli ndan vajin esencial nga lulet dhe bimët, mbetet ende metoda kryesore për nxjerrjen e ekstraktit.
Në kohët moderne, ndryshimi më i madh ka ndodhur në laboratorë, ku teknologjia kompjuterike është shndërruar në një domosdoshmëri, jo vetëm për paketimin ose ruajtjen e cilësisë, por gjithashtu i ka dhënë mundësinë krijuesve të parfumeve të komunikojnë me njëri-tjetrin për krijimin e formulave të reja.
Dorashka të parfumosura
Parfumi dhe industria e modës janë lidhur për herë të parë, në shekullin e 13. ‘Takimi’ i tyre ishte Grasse, në Francë (një qytezë mes Nicës dhe Kanës), ku në atë kohë po lulëzonte industria e krijimit të dorashkave. Problemi që artizanët hasnin, ishte aroma e keqe e lëkurës e përzier me urinën e kafshëve, e cila përdorej për krijimin e dorashkave. Për të shmangur këtë gjë, provinca e Grasse në Francë, e cila njihej për shumëllojshmërinë e luleve, filloi të krijonte parfume për të aromatizuar këto dorashka. Në atë kohë dorashkat e aromatizuara, u bënë një trend në Europë, të cilat suksesin e tyre e patën deri në vitin 1800, ku pas taksimit të këtij biznesi, artizanët u larguan duke lënë pas një numër të madh kultivuesish dhe krijues parfumesh të talentuar.
Aromat mbretërore
Dëshira për të përkedhelur trupin me aroma të ëmbla dhe bizhuteri të bukura, krijoi një ‘martesë’ mes modës dhe parfumit, e cila arriti majat gjatë periudhës 1700, veçanërisht nën mbretërinë e Luisit XIV. Mbretëritë dhe familjet e pasura Europiane, kishin krijuesit e tyre personalë të parfumeve dhe i përdornin ato gjerësisht.
Kortezhi i parfumit
Në 1533, kur Catherine de Medici la Italinë për tu martuar me Henry II, ajo mori me vete të gjithë parfumet e saj personale dhe krijuesit e tyre. Nuk ishte një gjë e zakonshme për familjet mbretërore apo për familjet e pasura të punësonin krijues, të cilët ishin përgjegjës për krijimin e shisheve unike për çdo parfum. Martesa e Marie Antoinette me mbretin e ardhshëm të Francës, Luigjin e XVI, krijoi një dyshe përkrahëse të parfumit. Të dy, linin pas në mjedis, çdo herë që kalonin, një aromë të rëndë dhe të veçantë. Por ishte Luigji I XIV, ai që u quajt “Mbreti i Parfumosur”, në shekullin e XVII-XVIII. Në oborrin e tij, krahët e pëllumbave, spërkateshin me parfum, në mënyrë që të ndihej kudo në ambient.
Aromat e rrugës
Rritja e mjedisit urban në shekullin e tetëmbëdhjëtë, i dha kuptim parfumit të krijuar për masat. Mbipopullimi, ndotja dhe pluhuri e bënë jetesën të pakëndshme. Frika nga sëmundjet e panjohura që transmetoheshin me anë të ujit, i mbante njerëzit larg dushit. Parfumet filluan të lulëzonin si rrjedhojë e përdorimit nga popullata që nuk lahej.
Shishet e aromatizuara filluan të gjendeshin në xhepat e çdokujt. Në kohën kur Napoleoni u bë perandor, nuk kishte limit për kolonjat e tij. Ai madje lahej në vaskë të mbushur me kolonjë, e asnjëherë nuk nisej në një betejë pa aromat e tij të preferuara. Gruaja e tij, Josephine dashuronte trëndafilat dhe myshkun dhe e rrethonte veten e saj me këto aroma natë-ditë. Kur Napoleoni la Josephine-n për Marie Louise, ajo vendosi ta mbushte dhomën e saj me një lloj trëndafili, aromën e të cilit Napoleoni nuk e duronte dot. Vizitorët e Versajës thonë që ende e ndjejnë këtë aromë. Shekulli i njëzetë solli lindjen e parfumeve nga dizenjatorët e modës. (Kryesisht me origjinë Franceze). Parfumi i referohej një aksesori të padukshëm që vishej nga tregëtarët dhe nga njerëzit në situata të veçanta. Më vonë, në 1921, dizenjatori i famshëm Gabrielle Chanel, i vuri zjarrin botës me lançimin e Chanel No.5. Ishte parfumi i parë i tipit aldehydic, që i referohet një miksimi aromash si: sapun, limon dhe lule, i cili u karakterizua nga cilësia e pasur. U shndërrua menjëherë në një aromë të famshme e cila shënjoi një kategori të re për botën e parfumit. Chanel nuk ishte dizenjatori i parë i parfumit, gjithsesi. Meritat duhet t’i jepen Paul Poiret, dizenjatorit të njohur për veshjet e tij ekzotike për teatrin dhe baletin.
I magjepsur nga imagjinata dhe ndjesia që dhuron parfumi, ai u bë një krijues i hershëm parfumi në fillim vitet 1900. Ai krijoi laboratorin e tij personal ku paketoi në shishe të vockla ‘mrekullitë e tij të vogla’. Kompania e tij, Parfumes Rosine, u quajt e tillë sipas emrit të vajzës së tij. Me më shumë se 50 parfume të krijuara (aromë lulesh, erëzash dhe orientale) të prezantuara mes viteve 1911-1924, shumica mbanin emrat e vajzave të tij. La Rose de Rosine u prezantua në publik në mes të viteve ’20, bashkë me La Chemise de Rosine dhe Mon Choix de Rosine. Në 1927, i inspiruar nga udhëtimi i Charles Lindbergh, Poiret lançoi Spirit of St. Louis, i cili ishte një nga krijimet e tij të fundit.
Klientët e shtresës së lartë të Poiret përfshinin artistë, aktorë dhe shtresën e pasur , të cilët ai i nxiti ta konsideronin parfumin si një nga aksesorët më të rëndësishëm të modës. Të gjithë iu përgjigjën me entuziazëm, por pas Luftës së Parë Botërorë, suksesi i tij u sfumua, duke çuar në mbylljen e dyqanit të tij në vitin 1930.
Dizenjatorët dhe damat
Magjepsja pas parfumit nuk e humbi shkëlqimin falë Chanel dhe një sërë dizenjatorësh të cilët u bënë ambasadorë të aromave me shpikjet e tyre: Worth (Dans La Nuit, 1922), Jeanne Lanvin (My Sin, 1925). Parfumi legjendar Arpege u prezantua në 1927. Duke u konsideruar si një nga parfumet më të shtrenjtë në botë, Joy u lançua nga Jean Patou në vitin 1930. Elsa Schiaparelli i prezantoi gruas së shekullit të njëzetë një aromë sexy, të cilën ajo e quajti ‘shokuese’. Gratë nxitonin për tek salloni i saj, për të pasur një shishe të vogël të parfumit të saj. Shishja e saj e parfumit thuhej se ishte inspiruar nga format trupore të aktores amerikane Mae West.
Koha e paqes dhe për parfumin
Një shpërthim i modës/parfumit, pas përfundimit të Luftës së dytë Botërore, u udhëhoq nga Christian Dior, i cili jo vetëm lançoi fundet e famshme me koleksionin e tij New Look, por gjithashtu intrigoi klientët e tij me hedhjen në treg të parfumit të famshëm Miss Dior. Nina Ricci prezantoi parfumin romantik , L’Air du Temps, në 1948 në shishen e paharrueshme me dy pëllumba. Në 1951, eleganti Hubert Givenchy mori vendin e parë me parfumin e tij L’Interdit, inspiruar nga muza e tij, Audrey Hepburn.
Globalizimi
Në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë, bota e couture-it Francez, shkëlqeu nga një grup dizenjatorësh që përfshinin Yves Saint Laurent, Karl Lagerfeld, Guy Laroche, Pierre Cardin, dhe Paco Rabanne.
Parfumet në Shtetet e Bashkuara dhe Francë, konisderoheshin një luks, të cilat përdoreshin vetëm për raste speciale. Një interes më i madh për parfumet Amerikane filloi kur Estée Lauder lançoi Youth Dew në 1953. Parfumi i parë me bazë vajore (përkundrejt alkoolit), kishte një aromë që zgjaste më shumë, e sigurisht suksesi ishte më i madh. Lançimi i Norell, katapultoi arenën Amerikane të aromave.. Norell, ishte i pari krijues parfumi, i cili vendosi emrin e tij në parfum.. Revlon u prezantua në 1969. Aroma e sofistikuar e luleve u bë një trend për gruan me influencë në atë kohë. Në vitet 1970, parfumet amerikane u dyfishuan. Halston udhëhoqi këtë rrugë, me parfumin e tij të parë në 1975, i ndjekur më pas nga Elsa Peretti me parfumin e saj. Ralph Lauren vendosi një standart tjetër me parfumin e tij Lauren dhe Polo në vitin 1978. Calvin Klein gjithashtu pati sukses të menjëhershëm në vitin 1985, me parfumin Obsession, për të cilin ndërmori një fushatë me risk dhe provokative. Ai vazhdoi këtë rrugë me lançimin e parfumit unisex CK-1.
Dizenjatorët Amerikanë Oscar de la Renta, Liz Claiborne, Bill Blass, dhe Donna Karan filluan shpejt t’i bashkoheshin këtij trendi dhe të lançonin parfumet e krijuar prej tyre.
Dizenjimi i së ardhmes
Franca, vazhdoi paralelisht të prodhonte parfume nga dizenjatorët më në zë të asaj kohe. Vitet ’90 ishin dëshmitarë të parfumeve të lançuara nga Jean-Paul Gaultier dhe Issey Miyake.
Në përfundim të shekullit të njëzetë, dizenjatorë nga Italia (Armani, Moschino, dhe Dolce & Gabbana), Spanja (Carolina Herrera and Paco Rabanne), dhe Gjermania (Jil Sander and Hugo Boss) u shndërruan në yje të kësaj industrie me aromat e tyre unike.
Ky trend vazhdoi për shumë kohë me të tjera aroma nga Marc Jacobs, Michael Kors dhe Vera Wang, të cilët me anë të kërkimeve në këtë fushë dhe gjeneratës kompiuterike, arritën të krijonin parfume të mrekullueshme.
Çelësi i suksesit për krijuesit e aromave, është varur gjithnjë nga fakti se sa mirë një dizenjator prezanton imazhin e tij në paketim, emër, reklamim dhe sigurisht parfum. Parfumet kanë bërë të mundur, që gjithkush të ketë mundësinë të ketë një eksperiencë unike nga dizenjatorët më në zë.
Ekzistojnë tetë kategori aromash bazike : të gjelbërta, një lule, buqetë lulesh, miks oriental, miks modern, fruta, pikante dhe druri. Në shekullin e 21, të krijosh një parfum kërkon një ekspertizë shkencore, teknike dhe artisitke. Koha e krijimit nga fillimi deri tek prezantimi mund të zgjasë deri në tre vjet. E ardhmja premton një zgjerim në krijimin e parfumeve akoma më unike nga dizenjatorët e modës. Teknologjitë dhe konceptet e reja të paketimit do t’i sjellin këto parfume tek konsumatori në forma të ndryshme. Aventura e nuhatjes së aromave e shekullit të 21, padyshim nuk njeh limite.
BOTUAR NE REVISTA BORDO!



















