KreuArt

Rreth botës me Alonën!

Nga Alona Eltari

Pasioni për udhëtimet ka nisur herët qysh në fëmijëri, kur Alona një vajzë e vogël ndiqte të atin gazetar në xhirimet nëpër Shqipëri. Mandej ky stil jetese do të bëhej pjesë e rutinës së saj, duke i kthyer udhëtimet në traditë aventurash.
Keni vizituar 28 shtete dhe 74 qytete; cili ka qenë vendi që ju ka lënë më shumë mbresa dhe pse?
Mbeten Kina dhe India eksperienca të paharrueshme. Mund të them në çdo aspekt të jetës dhe hapësirës gjeografike. Atmosfera, njerëzit me kulturat e tyre, gastronomia, veshjet dhe traditat janë ndryshe nga Europa. Në Kinë kam qëndruar 1 muaj, ndërsa në Indi një muaj e gjysëm dhe kam udhëtuar në disa qytete. Në Indi më ka bërë përshtypje qyteti i Agrës, aty ku ndodhet edhe një ndër shtatë mrekullitë e botës, Taj Mahal. Ky qytet kishte shumë zogj, madje kishte momente që mezi dukej qielli i pastër, sepse zogjtë fluturonin gjatë gjithë kohës dhe mbulonin hapësirën e kaltër. Trafiku në Indi është i pabesueshëm, të gjithë duan të kalojnë të parët dhe nuk respektojnë semaforët.

Nuk e di si merreshin vesh aq mirë dhe nuk bënin aksidente; por në rastet që do kalonte rrugën një lopë, të gjithë makinat, tok-tokët dhe motorët ndalonin. Në Kinë kam qenë në qytetin turistik të Zhangzhazhie, ku është xhiruar filmi “Avatar”. Atje malet janë shkëmbore vertikale të gjata, me formë si “kërpudha” dhe atje kam hipur edhe në teleferik, ku disa nga këto male i kam parë nga lart. Të dukej vetja sikur ishe pjesë e filmit.
Cili rit apo traditë kulturore ju ka bërë më shumë përshtypje në udhëtimet tuaja? Po përsa i përket gastronomisë?


Do të veçoja Indinë, ku kam festuar “Holin” – festën e ngjyrave. Është dita e pranverës, ku një natë më parë ata bëjnë zjarr të madh në qytet për të larguar shpirtrat e këqinj dhe për sjellë një vit sa më të mbarë. Të veshur me veshjet tradicionale të tyre, ata vijnë rrotull zjarrit për disa orë dhe këndojnë me zë të lartë në grup. Ditën tjetër janë përgatitur shumë mirë dhe fillojnë të luajnë duke i hedhur njëri-tjetrit pluhurat me ngjyra. Edhe nëse kanë pasur ndonjë hatërmbetje, me anë të kësaj loje pajtohen dhe lënë pas të kaluarën, duke dhënë shpresë dhe gëzim për të ardhmen. Kjo traditë më ka mbetur në mendje, sepse është një mënyrë shumë e mirë pajtimi dhe festimi në të njëjtën kohë. Gastronomia mbetet sfidë për organizmin e njeriut kur viziton kontinente të tjera. Në Kinën jugore ku kam qenë, pothuajse nuk kam ngrënë fare, sepse ushqimet kishin shije dhe aromë shumë të ndryshme nga ushqimet tona.

Mbaj mend që kur vajta në Shanghai kam ngrënë, pasi dihet se ky qytet është paksa europian. Picat e tyre me misër dhe bizele ishin tepër të shijshme. India kishte një kuzhinë tepër të pasur me erëza, por fakti që ishin goxha pikante përbënte sfidë për mua. Mbaj mend në fillim kur shkova me dilnin lot nga sytë, aq shumë djegës ishte ushqimi; më pas u mësova. Më pëlqente shumë supa me bajame; një lloj piteje që quhen tanduri, sepse përgatiteshin në një fuçi me zjarr nga poshtë, që kishte këtë emër; makaronat me speca, turmerik dhe speca djegës etj.
Pse keni filluar të udhëtoni? Çfarë ju bëri të dashuroheni me këtë stil jetese?
Babai im ka qenë gazetar në Tvsh prej 30 vitesh dhe dilte shpesh për xhirime nëpër Shqipëri. Ai më ka shëtitur në të gjithë qytetet e Shqipërisë dhe kemi ngjitur edhe disa male bashkë me familjen. Kam qenë 8 vjeçe kur kam ngjitur malin e Sarisalltikut në Krujë dhe kështu e kam vazhduar traditën familjare edhe me shoqërinë time. Më pëlqen shumë të ngjis malet. Është njëkohësisht udhëtim i mirë për të mbajtur në formë trupin dhe mendjen.

Cili është stili juaj i udhëtimit?
Shumicën e udhëtimeve i kam bërë si backpacker, një mënyrë mjaft e mirë për të kursyer dhe për të parë disa qytete apo shtete njëkohësisht. Mundohem të marr sa më pak gjëra me vete, por ato të jenë më të rëndësishmet. Memorien e telefonit e lë thuajse bosh, që të fotografoj apo filmoj gjërat më pikante.
Shumë njerëz dëshirojnë të udhëtojnë por shpesh stepen nga shpenzimet. A mund të më jepni një shembull praktik sesi mund të udhëtosh pa shpenzuar shumë para?
Do jap disa këshillla që unë i kam mësuar me kalimin e viteve dhe nga udhëtimet e shumta që kam bërë.

Kur dal jashtë shtetit, i programoj udhëtimet e mia disa muaj përpara. Kështu që kam kohë të gjej biletë të lirë avioni dhe hotel në qendër të qytetit. Lexoj informacione të ndryshme në internet, për të parë se çfarë mund të shoh në këto vende. Kur zbres në aeroport, kërkoj hartën e vendit ku jam dhe aty shoh zonat turistike që duhen vizituar. Zakonisht, në të dielën e parë të muajit në disa shtete europiane, muzetë janë falas. Zgjedh të blej paketat e qytetit, ose siç quhen Pass-et e qyteteve, të në cilat janë të përfshira biletat e transportit urban + biletat e disa muzeve apo kopshtet zoologjike për 3,5 apo 7 ditë. Këto janë me çmime të reduktuara dhe ke mundësi të shikosh gjërat kryesore të qyteteve përkatëse. Për të ngrënë zgjedh restorante ku ka shumë njerëz, do të thotë se ushqimi është i mirë.
A jeni përballur ndonjëherë me ndonjë përvojë të jashtëzakonshme? Çfarë ishte ajo?
Do veçoja dy përvoja të paharrueshme: Peaks of the Balkans dhe ngjitjen e malit të Olimpit. Peaks of the Balkans është udhëtimi nëpër alpet e veriut dhe ecje përgjatë shteteve të Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë. E kam përshkruar këtë udhëtim 192km për 7 ditë. Është një sfidë që e ndërmora me veten, pavarësisht terrenit të vështirë dhe faktit që nuk kisha ditë pushimi ndërmjet, sepse mendova t’i bëja pushimet verore ndryshe. Shtatë ditë në kontakt vetëm me natyrën, duke ngrënë ushqime bio dhe duke u njohur me jetesën e njerëzve nëpër zona malore, duke fjetur nëpër çadra apo nëpër stane, ka qenë një përvojë e paharrueshme, të cilën do të doja të përsërisja sërish.

 

Ndërsa mali i Olimpit ka një terren me rrezikshmëri tepër të lartë. Ngjitja e tij bëhet vetëm nga njerëz me përgatitje shumë të mirë fizike, që nuk kanë fobi nga lartësitë, sepse një gabim në të është fatal për jetën. Pas lartësisë 2.000m, terreni i Olimpit është vetëm shkëmbor, i përbërë nga pllaka që vijnë në formë shkallësh tepër të ngushta, ku mund të vendosësh gjysmën e këmbës dhe tepër rrëshqitëse. Këtë mal kam vendosur të mos e ngjis më! Në udhëtimet që kam bërë në Kinë, Indi dhe Egjipt mbaj mend që shumë njerëz kërkonin të bënin foto me mua, meqë isha racë e bardhë, e ndryshme nga ata. Kishte shaka me ta, madje edhe ftesa për të më mbajtur për drekë në familjet e tyre.

Botuar ne BORDO ,korrik 2022!

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF