
Artisti shqiptar, Gjon Muharremaj i njohur me emrin e artit Gjon’s Tears ka qenë i ftuar në emisionin “A live night” në Top Channel ku ka bërë një rrëfim të gjatë.
Ai është shprehur se ka shumë bullizëm në rrjete sociale dhe se kjo i dëmton fëmijët. Gjoni dha një mesazh për të gjithë prindërit që duan t’i bëjnë fëmijët e tyre pjesë të ekranit, duke theksuar se televizioni nuk është një lojë për të vegjlit.
Gjoni tregoi një prej eksperiencave të pakëndshme që ka pasur kur ishte akoma i vogël pas pjesëmarrjes në “Albania’s Got Talent”. Ai tha se kishte njerëz që e ofendonin në Facebook. Gjoni tregon se llogarinë e tij e menaxhonte e ëma dhe se atë nuk e linte që ta prekte celularin, por që rastësisht kishte parë një ditë ofendimet dhe ishte prekur.
“Gjithmonë them çfarë pritje ke ti, se kur është lojë është lojë, por prindërit thonë do ta bëj star fëmijën por nuk punon, nuk bën, se industria është ndryshe. Jo mos e ço fëmijën aty se nuk e paske kuptuar se është lojë, se është me bo karrierë, jo, por kur e kupton lojën po. Po shoh akoma më shumë fëmijë që kanë probleme me rrjete sociale, njerëzit i shajnë. Me e kuptu që fëmijë një gjë aq të keqe që të vjen në fytyrë, është shumë e komplikuar. Mbaj mend kur bëra ‘Albania’s Got Talent’ kam pasur njerëz që më shanin çdo ditë në Facebook. Mami e ka pas një Facebook edhe më thoshte mos e prek kurrë, se është puna ime se na shkuan ndonjë producent. Mbaj mend që e kam hap një herë , kishte aq shumë njerëz që më kishin shajt, që nuk e kuptova me të vërtetë pse, se unë nuk kam bërë asgjë të keqe, nuk kam shajt njeri, por do të ketë gjithmonë njerëz kështu, prandaj duhet të jesh i përgatitur. Të jesh në emision në televizion sot është e komplikuar. Nuk është një lojë për një fëmijë, është shumë serioze,”- tha Gjoni.
Ndër të tjera këngëtari tregoi se gjithçka nisi me lotët e gjyshit të tij. Gjon shprehet se gjyshi i tij ka qenë shtysa e tij më e madhe që të merrej me muzikë dhe ka punuar shumë që ta bëjë krenarë atë.
Gjoni tregon se në momentin që ai ka kënduar “Can’t Help Falling In Love” të Elvis Presleyt, gjyshi i tij ka qarë dhe kështu ka krijuar emrin artistik.
“Isha interesuar për muzikë klasike dhe fillova pianon, sa kisha fillu pianon kur erdhi gjyshi me pushime në shtëpinë tonë, kisha piano elektrike dhe kisha këngën ‘Can’t Help Falling In Love’ të Elvis Presleyt, ua tha po kjo është kënga ime e preferuar edhe më tha a mund të ma këndosh. Unë në atë moment thash paska lajthit gjyshi se unë asnjëherë nuk kam këndu, ça thotë a mundet me e këndu. E mësova dhe e mësova sa më shumë këngën, e më në fund para se të shkonte në Kanada se jeton atje, ia këndova këngën dhe ai nisi të qajë. Ishte e njëjta ndjesi si me Bach. Aty kuptova vlerën dhe mundësinë e muzikës, që okay ti mund t’i prekësh njerëzit në atë mënyrë… dhe sidomos kultura e shqiptarëve dhe e Kosovës që gjyshërit normalë nuk qajnë kurrë. Kur e shikoj njeriun më të fortë të jetës sime me lot… ishin lotët shumë simbolikë dhe shumë të rëndësishme për mua. Kur krijova konceptin e Gjon’s Tears , unë gjithmonë i kam ruajtur lotët. I mbaj gjithmonë se gjyshi më ka thënë e di që do bëhesh i madh por s’do të jem këtu me të pa, prandaj kam shku me i bo të gjitha që t’i shohë ai, jam krenar dhe i bindur që ai i ka parë të gjitha gjërat, se ai ishte fillimi i gjithçkaje, pa atë s’kisha bërë fare muzikë. Unë pianon e kisha qejf, por gjyshi ma zgjodhi, unë provoja të tjera gjëra. Kam provuar karate, futboll,”- tha Gjoni.



















