KreuArt

Ekskluzive/ Dj Sardi “Për të e shemb botën”!

Nga: Nada Biraçi
Fotografia: Leo Arapaj 

Gjatë miksimit të një seti këngësh Sardi pëlqen të tregojë ngadalë një histori, që fillon me dashuri, zhvillohet, dramatizohet dhe përfundon po me dashuri, e duket se kjo shpjegon edhe tejmbushjen me publik të diskotekave apo eventeve ku ai performon. Ndonëse është periudha më e ngarkuar e vitit, Dj i njohur i jetës së natës u tregua tejet i gatshëm për të qenë pjesë e Bordo Cover Men, e me gjithë kohën e kufizuar Sardi ndau me ne një rrëfim të bukur, të vërtetë, të çiltër…rrëfeu miksimin e jetës së tij kryefjalë e së cilës prej disa muajsh është i biri Zais Denzel. 

Sardi, kjo periudhë ka qenë tejet intensive për ju, pasi përpos impenjimeve të tjera jeni i pari DJ shqiptar që ka performuar në diskotekën Just Cavalli në Itali; si ishte ajo eksperiencë? 

Ishte një eksperiencë e rëndësishme për karrierën time si Dj. Rezultoi tepër pozitive pasi bashkëpunimi vazhdon. Do të jem përsëri te Just Cavalli Milano, Just Cavali  në Forte di Marmi dhe Just Cavalli Sardenja. Gjithsesi  duke lënë modestinë mënjanë i pari kam qenë dhe në vitin 2015 në Top Hill (diskoteka më e madhe në Mal të zi, Budva ); në Australi ku kam bërë një tour 1 mujor në diskotekat më të mira të Melburne si Wink Wink, Ms Collins, Marquee Sydney dhe Love machine Melburne. Dhe më e rëndësishmja e karrierës time, në korrik do të jem për herë të parë në CAVO PARADISO Mykonos që është një nga 50 diskotekat më të mira në botë ku do të ndaj stage me Afrojack.

Gjatë miksimit të këngëve ju preferoni të tregoni ngadalë ‘një histori’; të kaloni në mënyrë dramatike nga një tingull në tjetrin, apo thjesht ndiqni ritmin e publikut? 

Më pëlqen shumë kjo pyetje…Mënyra më e thjeshtë është të ndjekësh ti ritmin e publikut, por këtë mund ta bëjë kushdo. Mua më pëlqen të tregoj ngadalë një histori, që fillon me dashuri, zhvillohet, dramatizohet dhe përfundon po me dashuri. Dhe nëse ti këtë histori e tregon bukur, publiku ndjek ritmin tend!

Çfarë e ndihmon gjendjen shpirtërore ideale gjatë një seti DJ dhe cilat janë shpërqendrimet? A ka strategji për të hyrë më lehtë në këtë gjendjen ideale gjatë një performance? 

Sigurisht që gjendja shpirtërore është e rëndësishme, por me maturimin profesional kam mësuar ta menaxhoj. Profesioni i DJ është pak më specifik sepse ti duhet të bësh njerëzit të kërcejnë, të kalojnë bukur dhe jo gjithmonë vetë je në formën e duhur. Përpiqem me sa mundem ta le jashtë setit lodhjen apo problemet që mund të kem. Shpërqendrime ka nga më të ndryshmet: njerëz që shprehin preferencat muzikore, njerëz që të flasin, po edhe ndonjë sms nga gruaja (Qesh) dhe kështu…

Për shumicën e artistëve, origjinaliteti paraprihet fillimisht nga një fazë e të mësuarit dhe shpesh, nga imitimi i të tjerëve. Si ishte kjo për ju? Si do ta përshkruanit zhvillimin tuaj si artist dhe kalimin drejt firmës tuaj përfundimtare? 

Studimet e muzikës i kam filluar që në moshë të vogël. Kam studiuar në liceun artistik si dhe akademinë e arteve për muzikë. Patjetër që kam pasur modele frymëzimi, por si DJ është e pamundur të imitosh. Këngët janë aty të njëjta për të gjithë. Me rëndësi është koha kur luhet kënga, përshtatja me ambientin dhe lidhja e këngëve me njëra-tjetrën. Këto nuk imitohen dot.

Sa i përket muzikës cila është ajo epokë që do të donit të ‘jetonte’ përgjithmonë? 

Për mua muzika e mirë nuk ka epokë. Është e destinuar të jetojë përgjithmonë. Bethoven, Moxart, Tchaikovski, Bach, Abba, Queen, 2 Pac, David Guetta etj..

Jeni bërë baba për herë të parë dhe me ardhjen në jetë të Zais me siguri portreti familjar ka marrë formën e duhur; me aq sa mund të përshkruhet me fjalë, si ka ndryshuar jeta tuaj që prej 22 Janarit?

Jeta ime ka ndryshuar 100 %. Kam shkruar në 22 janar që mu shemb bota para Zais dhe më është shembur vërtet. Është ajo fjalia që thonë të gjithë që e kupton kur bëhesh me fëmijë, por qenka e vërtetë. Asgjë ska rëndësi sa ai. Për atë shemb botën.

Kush ja vendosi emrin djalit? 

Djali ka dy emra. Zais që e ka vendosur Aisela, shoqja e ngushtë e mamit të Zais dhe Denzel që e ka vendosur  Alesio, shoku i ngushtë i babit të Zais.

Rikthehemi pas në kohë kur mësuat se do të bëheshit baba; si e morët vesh; si e pritët, çfarë përjetimesh kujtoni? 

Nuk erdhi papritur. Kishim punuar për këtë ditë. Bëj shaka. Nuk e prisnim të ndodhte aq shpejt por mendoj që kemi qenë me fat. Më ndryshoi jeta. Fillojnë planet dhe fantazitë në mënyrë automatike.

Sardi është lloji i babait që ndërron pelena, zgjohet natën me të voglin, apo këto detyra ja keni lënë mamit? 

Unë nuk zgjohem natën, se unë natën e kam ditë. Zgjuar jam gjithmonë.. kështu që e bëj kollaj rojën e natës. Pelenat ja kemi lënë mamit. Edhe kur qan prapë ja kemi lënë mamit. Kur është në qejf është vetëm çuni i babit.

Thuhet se kur bëhemi prindër kthehemi në versionet e prindërve tanë. Shihni tipare të babait tuaj në mënyrën si ju keni nisur të prindëroni? 

Për momentin është i vogël për të ndjekur modele. Nga babi im e sigurt që do i ushqej dhe unë djalit dashurinë për muzikën dhe pianon.

Në profesionin tuaj mungesat në familje janë të shpeshta; sa është e mundur të arrihet një balancë mes punës dhe familjes? Në rastin tuaj a keni mundur ta gjeni këtë balancë? 

Është shumë e vështirë për të gjetur balancën e duhur. Tani në verë sidomos pasi jam përditë në punë. Shpesh jashtë vendit. Kjo e bën shumë të vështirë por përpiqem që në kohën që sjam në punë t’ja dedikoj plotësisht familjes.

Pas ardhjes së djalit ç’formë ka marrë marrëdhënia me partneren tuaj? 

Bashkë jemi akoma..

Jeni ndër të paktët personazhe që keni ditur të ruani një profil të ulët sa i përket jetës private. A mund të na tregoni diçka më shumë rreth lidhjes tuaj të dashurisë. Si e kuptove që ajo është e duhura; çfarë ka partnerja juaj që nuk e kishe parë tek vajzat e tjera? 

Është shumë e vështirë për t’u shpjeguar por shumë e lehtë për t’u kuptuar. E kuptova shumë shpejt që ishte përgjithmonë dhe që ishte shumë e rëndësishme në jetën time.

Mami dhe babi i Zais e mendojnë dasmën? Është në planet tuaja? Nëse po, cila do të ishte dasma perfekte për Sardin dhe çfarë muzike do të luhej aty? 

E mendojmë dasmën, por pak më vonë. Të rritet Zais edhe pak. Dasmën ideale e mendoj diçka intime, e thjeshtë dhe e bukur. Përsa i përket muzikës e mendoj të larmishme. Mendoj që një dasëm e bukur duhet t’i ketë të gjitha nga pak. Nga klasiket deri te populloret

Sa i përket muzikës, ku do ta shohim Sardin këtë verë? 

Këtë verë do jem kudo, CAVO PARADISO Mykonos, JUST CAVALLI Sardegna, JUST CAVALLI Forte di Marmi, Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Mal i zi… ?

 ©Botuar ne BORDO, korrik 2022!

 

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF