KreuArt

Colmar, vendi më unik në të gjithë Europën!

Nga:Edlina Losha
Eda Bano 
@dreamtravel.world

Colmar mund të quhet pa frikë një ndër destinacionet më të mrekullueshme në Europë! I lehtë për t’u vizituar, veçanërisht nëse stacionohesh në qytetin e vjetër, me gjithë pamjet e bukura të rrugëve, ndërtesave, parqeve dhe monumenteve arkitektonike, apo muzeumet që kjo perlë e vogël stacionuar në skajin lindor të Francës ofron. Colmar ndodhet në Rrugën e “Verës Alsas” dhe e konsideron veten si “kryeqyteti i verës Alsasia” (“capitale des vins d’Alsace”). Kjo ia shton edhe më shumë reputacionin, të konsoliduar tashmë prej shumë kohësh, falë bukurisë dhe pamjes magjepsëse që e bën aq unike! Nga Tirana, Colmar ndodhet 1758 km larg, ç’ka presupozon që nëse e merr në rrugë tokësore, duhet të bëhet me një natë ndalesë diku në Trieste, Itali, psh. Por aeroporti më i afërt për Colmar është ai i Strasburgut (SXB), kurse opsione të tjera janë duke marrë tren nga Zurich apo nga Bazeli me FlixBus. Mua m’u desh të udhëtoja nga Parisi drejt Colmar rreth 452 km të përkthyera në rreth 6 orë rrugë shumë të këndshme dhe që nuk e ndien fare me makinë.

Në hyrjen veriore të qytetit, hyrje nga m’u desh të kaloja teksa vija nga Parisi, çuditërisht të pret “Statuja e Lirisë” të cilën Bashkia e Colmar ka vendosur ta pozicionojë pikërisht si një shenjë mirëseardhjeje në hyrje të qytetit. Ajo është një kopje e statujës së lirisë që synon të nderojë artistët e kësaj vepre arti, e cila është ndoshta më e famshmja në botë. E stacionuar në një  hotel të vogël dhe shumë simpatik në qendër të qytetit të vjetër, sapo mbërrita në dhomën time të lezetshme, më bënë përshtypje dritaret e ndërtesës dy katëshe përballë nesh. Tek njëra rrinte një kukull e madhe që imitonte një zonjë shtëpie e cila po “qepte” e ulur në një poltronë të madhe lëvizëse.  E tërë pamja ishte e mbushur me detaje dhe dekore interesante që të bënte t’i mbaje sytë gjatë mbi të. Tek dritarja e dytë dukej qartazi një ambient i ngrohtë dhe familjar. I gjithë imazhi të ngjasonte me një skenë teatri! -“Sa njerëz të qejfit dhe të ngeshëm që janë!”- mendova jo pa një fije respekti e admirimi. Teksa admiroja pamjen, u dëgjua boria e një treni të bardhë shëtitës mbushur plot me turistë që më kaloi poshtë dritares.

Turistët më përshëndetën me dorë, gjithashtu ua ktheva përshëndetjen e kënaqur. Sapo u largua treni i bardhë, një karrocë e madhe dhe e lartë me 4 kuaj dhe e ngarkuar me turistë, kaloi duke bërë zhurmën tipike që lëshojnë patkonjtë e kuajve. Sa qejf! Një qytet i gjallë e lëvizës, i cili që në prezantimin e parë të magjeps. Itinerari pasoi me qendrën e qytetit të vjetër si dhe më të famshmen dhe uniken “La petite Venice“- por sugjerimi në këtë rast do ishte një xhiro me trenin e qytetit (aty ka 2 trena), dhe me këtë rast, me  një çmim prej 8 Euro personi, prezantohesh me qytetin, madje edhe me guidë shoqëruese në 6 gjuhë të botës si dhe hartën e qytetit dhuratë!

Një sekret: E kam zakon që për lehtësi “veprimi“, kudo që shkoj nëpër vende dhe qytete anembanë botës, ose bëj një “xhiro“ rreth e qark qytetit me trena apo autobuzë shëtitës, ose hipi në majën më të lartë (nqs ka të tilla). Kësisoj e kam më të lehtë të caktoj pikat ku duhet të referohem!

Itinerari njëditor i Colmar:

-La Petite Venise (Venecia e Vogël)

-Lagjja e Tanners & Place de l’Ancienne Douane.

-Një shëtitje me varkë përgjatë kanaleve të Colmar.

-Admirimi i një kryevepre artistike në Kishën Domenikane (Église des Dominicains)

-Një darkë romantike në një nga restorantet e shumta tipike të qytetit me pjatat tradicionale të mishit dhe makaronave shoqëruar me verën e Alsasias është mbyllja më e bukur për shëtitjen  në këtë vend përrallash!

Vizita në Colmar! Një vizitë që nuk duhet humbur!

 ©Botuar ne BORDO, korrik 2022!

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF