KreuArt

Ekskluzive/ Diva Manjola Nallbani ndan ndjesitë e “Manjola N’Albani”!

Nga: Ilda Lumani
Fotografia: Endrit Mërtiri

“Një udhëtim i bukur nëpër Shqipëri, nga Veriu në Jug, në Shqipërinë e Mesme, Kosovë e Çamëri… sjellë përmes interpretimit të mrekullueshëm të këngëtares Manjola Nallbani dhe një grup djemsh e vajzash, instrumentistë të talentuar e këngëtarët tanë të ardhshëm lirikë, studentë në Universitetin e Arteve! Një atmosferë e jashtëzakonshme mbrëmë në Pallatin e Brigadave, ku mes miqsh festuam Ditën Botërore të Muzikës! Nuk mund të festonim më bukur se me këngët tona, me këtë pasuri shpirtërore të pazëvendësueshme, plot gëzim e dashuri për jetën. Faleminderit Manjola Nallbani për energjinë e bukur që përcolle dhe që na u bashkove në celebrimin e një feste, që po kthehet në traditë edhe në Shqipëri”, – Elva Margariti, ministre e Kulturës.

“Një mbrëmje magjepsëse ofroi diva e muzikës Manjola Nallbani. Pallati i Brigadave u ndez nga muzika e gjithë trevave shqipfolëse. FALEMINDERIT!”, – Erjon Veliaj, kryetar i bashkisë së Tiranës.

“21 Qershori e meriton të quhet data e Manjola N’albani! Koncerti i mbrëmshëm ishte magjik Manjola! Jo sepse je shoqja ime dhe kam fatin të ndjek nga afër çdo moment të karrierës tënde, por sepse nata e djeshme ishte një natë, ku ti solle bashkë këngët më të bukura shqip, në formën më të bukur dhe origjinale! Koncepti i spektaklit, repertori i zgjedhur me mençuri, ripunimi i këngëve aq bukur, elementët e veshjes tënde, të bandës dhe sfilata me tematikën e tabanit shqiptar ishin në një sintoni perfekte! Një natë GALA e paharrueshme për të gjithë ne, që e jetuam ‘live’ këtë eksperiencë të rrallë! Meriton vetëm duartrokitje DIVA jonë! Bravo gjithë ekipit të mrekulleshëm me në krye regjisorin Erald Nallbani”, – Ilda Lumani.

***

Jo pa qëllim e nisa këtë artikull me komentet e freskëta një ditë pas koncertit “Manjola N’Albani”, pasi ato shprehin emocionin dhe ndjesinë e vërtetë, të shijes që koncerti i Manjola Nallbanit la mbrëmjen e 21 Qershorit, në skenën e Pallatit të Brigadave, me qiellin strehë dhe publikun, që pati fatin ta përjetonte këtë ngjarje artistike. Koncerti ishte konceptuar si një hartë pa kufij të muzikës shqiptare, që nga këngët arbëreshe, ato të Shqipërisë së mesme, të Jugut, këngë çame e ato kosovare… gjithçka e lidhur bukur, dhe e pasqyruar edhe në look-un e artistes dhe bandës që e shoqëronte, të gjithë me temën e tabanit tonë, ndërsa një sfilatë nga Enada At’Nikolla do të bashkonte më së miri këto elemementë vizualisht!

Fillimisht këngëtarja u shfaq me një fustan gold, me pllaka pasqyrë, i cili kombinohej bukur me bizhutë luksoze Vhernier, ekskluzivitet i argjendari Gjikondi, ndërsa veshja e dytë e solli në një tjetër imazh, ku çitjanet me temina dhe jeleku lëkurë, tejet moderne, kishin si bazë pikërisht veshjet popullore tironse.  Artistët e rinj të Universitetit të Arteve, studentë të artistes, u bashkuan në disa dalje duke dhënë mesazhin se talenti vijon, por edhe se ai ka nevojë për mbështetje për t’u evidentuar. Ndërkaq orkestra e Keli Band e bëri edhe më të plotë pazëllin artistik. Pak ditë pas koncertit, i cili do të shfaqet për publikun e gjerë së shpejti në ekranin e televizionit Klan, Manjola Nallbani ka ndarë disa ndjesi me ne ekskluzivisht për lexuesit e BORDO.

Manjola, në ditën Botërore të Muzikës ju realizuat koncertin tuaj “Manjola N’Albani”. Çfarë ishte për ju ky event?

“Manjola N’Albani” do të mbetet projekti më emocionues  sepse nisi si një ide e imja, që nga emri, koncepti, zgjedhja e repertorit, artistëve e krijuesve të ftuar, vendi ku do zhvillohej etj. Ngarkesa shtohej sepse përveç interpretimit të gjithë materialeve muzikore, prezantova dhe isha producente e këtij koncerti. I jam mirënjohëse Ministres së Kulturës zonjës Elva Margariti sepse ishte mbështetja e parë dhe më e rëndësishme! Kur e takova dhe ja thashë idenë, jo vetëm që e priti me shumë entuziazëm por më propozoi të festonim Ditën Botërore të Muzikës sepse dhe ideja e saj për të festuar atë ditë të rëndësishme ishte një natë me muzikë, valle, kostumografi Shqip! Se si në një festë Botërore të muzikës ne promovojmë vlerat tona! Rrënjët nga të cilat ushqehemi duhet t’i çmojmë e duam jo vetëm ne, por t’ua përcjellim edhe brezave. Prandaj bëra pjesë dhe studentë të Universitetit të Arteve. Një tjetër suport i rëndësishëm që na mundësoi t’i realizojmë në standardin e duhur gjërat, ishte Bashkia e Tiranës dhe kryetari Erion Veliaj. Por po aq e rëndësishme është të bashkëpunosh me artistë që janë vërtet shumë të talentuar dhe si rezultat i punës së të gjithëve, në fund  morëm emocione që të shtojnë jetën!

Ti je nga Tirana, me nënë nga Korça dhe kënduat këngë nga e gjithë Shqipëria, Kosova, Arbëreshe e Çame… Cili është territori, ku ti ndihesh më komfort?

Për të dashur i dua të gjitha trevat mjafton të jetë muzikë e poezi e bukur po besoj më shumë më shkojnë këngë të stilit të Bareshës, ku më duket që shpreh në maksimum aftësitë e mia vokale.

Manjola, përveç protagonistes ju bëtë edhe producenten e këtij eventi. Një sprovë e vështirë, por që ja dolët me shumë sukses. Çfarë do të veçoje nga kjo eksperiencë? 

Sigurisht që nga çdo eksperiencë ti nxjerr mësime. Në sensin çfarë zgjedhjesh duhet të ishin bërë ndryshe në mënyrë që të të lehtësoheshin e jo shtoheshin ngarkesat. Siç dhe punova me artistë që dhanë më të mirën dhe që mezi pres të punoj përsëri! Gjithsesi sa kohë që rezultati ishte i tillë do të thotë që zgjedhjet kanë qenë më së shumti të drejta! Supi ku mbeshtetem më tepër profesionalisht është im vëlla dhe më shumë në këto raste kemi njëri- tjetrin si dyshek boksi! Në fakt duke qenë jo thjesht motër e vëlla po artistë të dy, konsultohemi shumë me njëri- tjetrin. Dhe jam e lumtur që Eraldi ishte regjisor i kësaj shfaqje!

Koncerti ishte në çdo detaj i kuruar nga ana artistike, por çfarë të ngeli më shumë në mendje ty nga ajo natë plot emocione?

Ajo natë për shkak edhe të miksimit të atmosferës së bukur që vetë këngët Shqiptare krijojnë, për më tepër sjellë disa më ndryshe nën shoqërimin e muzikantëve të Keli Band, sfilata me veshje të inspiruara nga këngët e dasmave Shqiptare të krijuara nga Enada At’Nikolla, studentët, vallet, efektet skenike që ishin vërtet gjetje, krijuan besoj një natë vërtet magjike (këtë ma thanë njerëzit në fakt. Qesh!) Unë e ndjeva më shumë në fytyrat e të gjithë publikut që kisha para syve! Prandaj dhe isha aq e lirshme gjatë koncertit nga momenti i parë e tek i fundit dhe u mbusha me një energji shumë pozitive! Fjala e parë dhe e fundit që unë them në këto raste dhe jo vetëm është – Faleminderit ZOT që na jep mundësinë që të japim e marrim gjënë më të rëndësishme në jetë- Dashuri!

Manjola ky projekt do të vijojë edhe në vitet që do të vijnë? Si e ke mendur të ardhmen e tij?

“Manjola N’Albani” besoj do vazhdojë. Prej shumë vitesh kisha në mendje këtë kombinim sepse gjithmonë më rezononte mbiemri im me mënyrën si shqiptohet Albani në Frengjisht dhe më në fund e vendosa ta quaj kështu veten Manjola N’ Albani. Dhe më pëlqen shumë!

 ©Botuar në BORDO, korrik 2022!

 

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF