KreuArt

Paç fat nusepashke!

E kush e ka harruar fëmijërinë, sidomos takimet mbresëlënëse me natyrën. A e mbani kur teksa vraponit mes gjelbërimit, kapnit me duar një nusepashke apo mollëkuqe dhe  lodronit me të duke e mbajtur në majë të gishtave. Refreni që bëlbëzonim në heshtje, teksa instekti i kuq me pika të zeza çapitej mbi lëkurë, ishte ‘Fat’. Ata që nuk e kanë besuar deri tani, por kanë menduar se e gjithë kjo ishte një kujtim i vegjëlisë, tani duhet të binden më shumë se kurrë se nusepashka është simbol i fatit dhe ata që e mbajnë atë si një objekt, padyshim që i shërben si fatsjellës.

Mendohet se emri Nusepashke lidhet me momentin kur ajo shfaqet për herë të parë në fillim të pranverës, në sezonin e festës së Pashkës. Shpesh ajo identifikohet me figurën e Virgjëreshës Mari, simbol i përkushtimit dhe idealizmit shpirtëror, shprehje e qartë edhe e meditimit për shumë besime të tjera.

Prej shekujsh ky insekt i çuditshëm është konsideruar fatsjellësi më i madh, ndoshta nga të gjithë insektet e tjera. Përveç se sjell fat, nusepashka supozohet të jetë sinonim i pasurisë dhe suksesit. Por cilësitë simbolike të saj, nuk mbarojnë me kaq. Mendohet se nëse një mollëkuqe qëndron mbi një grua të re dhe të sapo martuar, kjo femër shumë shpejt mund të bëhet nënë, pasi insekti është ogur i fertilitetit të lartë. Madje shumë gra të sapomartuara mbajnë varëse me këtë simbol: vjehrra i dhuron nuses unazë apo varëse me një nusepashke, në mënyrë që ajo të ngelet sa më shpejt shtatzënë.

E kur flasim për fat, nuk ka moment më të bukur sesa kur gjeni një nusepashke dhe e mbani në dorë. Pëshpëritini dëshirat tuaja dhe lëreni atë të fluturojë për t’i realizuar ato.

Shumë njerëz e shpjegojnë faktin që ky instekt lidhet me fatin, për shkak të pikave të zeza që ka mbi shpinë. Nuk do ta besoni, por nëse numëroni me kujdes pikat, ato janë shtatë, që është dhe simboli i fatit. Numri 7 është një numër i teksteve të shenjta, java ka shtatë ditë, shtatë qiej, shtatë mëkate, shtatë mrekullitë e botës.

Nëse shihni në ëndërr një nusepashke, të jeni të sigurt se një dëshirë do t’ju plotësohet së shpejti. Ëndrra mund të jetë një metaforë për një grua e cila pret të ngelet shtatzënë.

Por jo vetëm kaq! Ka edhe shumë toteme të tjera që lidhin nusepashkën me simbole të shumta: mendohet se ajo mban fillin e artë në qendër të universit, nënkupton jetën dhe shpirtrat e njerëzve që nuk janë më, është simbol i ringjalljes, rigjenerimit, por edhe i guximit dhe mbrotjes.

Në shumë kultura, kur nusepashka hyn në shtëpinë tuaj, aty vjen harmonia dhe bollëku, lumturia në familje dhe plotësimi i dëshirave. Mbajtja e këtij simboli në shtëpi përmes objekteve të ndryshme, si vazo apo gdhendje sjell bekime, fat dhe gëzim. Ajo është fillimi i një epokë të re ose ndryshim cikli, një shenjë e mirë për të ardhmen. Energjia që përcjell Nusepashka ju mbron nga negativiteti apo magjitë keqdashëse, ndaj mbajeni me vete një unazë apo varëse, aq sa edhe stilistët kanë dizenjuar veshje dhe akesorë me këtë simbol.

Mos harroni! Jo të gjitha nusepashkat janë të kuqe e zi: ekzistojnë ato jeshile dhe të verdha me pika të zeza, edhe ato kanë po të njëjtin mision, pra të sjellin fat dhe bollëk në jetën e kujtdo që i beson këtij insekti.

Botuar ne Revista BORDO!

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF