
Një sy që na mbron nga e keqja, një sy që na mban gjithmonë në dritë, një sy që na ripërtërin: ai është Syri i Horusit. Ky simbol vjen që nga koha e Egjiptit të lashtë duke simbolizuar mbrojtje, fuqinë mbretërore dhe shëndetin e mirë.
Horusi ishte Perëndia e lashtë Egjiptiane e qiellit, e cila zakonisht përshkruhej si një fajkua. Syri i tij i djathtë ishte i lidhur me zotin e Diellit, Ra. Mbajtja e këtij simboli kërkon dritën, mbrojtjen e vazhdueshme nga errësira duke qenë gjithmonë i mbuluar nga rrezet e diellit, si një cilësi e cila mund të keqen. Ndaj edhe kur e shihni në formën e një tatuazhi, si një antikuar e gdhendur nëpër objekte nëpër shtëpitë tona apo në formën e ndonjë bizhuterie, kryesisht varëse, apo edhe e dizenjuar apo qëndisur në veshje, gjithë e verteta është kjo: mbajtësi kërkon të jetë i mbrojtur nga e keqja, duke kërkuar të jetë gjatë gjithë kohës në mbrojtjen e diellit dhe dritës së tij.
Syri i Horusit besohet nga shumëkush, se ka fuqi shëruese dhe mbrojtëse, si dhe aftësi për të dëbuar shpirtërat e këqinj. Për shkak të kësaj, shpesh herë përdoret për të dekoruar sende që përdoren për mbrojtje. Simboli i Syrit të Horus-it në ditët e sotme gjen përdorim të gjerë në stolitë apo bizhuritë e femrave por dhe të meshkujve gjithashtu.
Në shumë vende e popuj syri i Horusit, është gjithashtu një simbol i shëndetit të mirë, por edhe largon syrin e keq, ndaj shpesh e shohim atë të gdhendur në hyrjet e portave të shtëpive në shumë vende, apo si objekt zbukurimi përmes pergamenash të varura në mur apo vazo që vendosen nëpër vende të dukshme në ambientet ku ne jetojmë. Kjo është edhe arsyeja që në mitologjine egjiptiane, syri nuk ishte një organ pasiv i shikimit, por një agjent i veprimit, mbrojtjes ose zemërimit.
Në Egjiptin e lashtë shumica e fraksioneve janë shkruar si shuma e dy ose më shumë fraksioneve njësi. Ana e djathtë e syrit është e barabartë me 1⁄2, Bebja e syrit me 1⁄4, vetulla 1⁄8, ana e majtë e syrit = 1⁄16, bishti i përdredhur 1⁄32 dhe pikë loti = 1⁄64. Kur mbledhim fraksionet vijmë në shifrën 63/64. Kjo sepse një pjesë e egjiptianëve besonin se pjesa që mungonte i përkiste fuqisë magjike të Zotit, duke përcjellë mesazhin se asgjë nuk mund të jetë 100 për qind e përsosur.
Syri i Horusit kishte fuqi përtëritëse, madje mund t’i kthente të vdekurit në jetë. Simbolet e Syrit të Horusit vendoseshin shpesh tek mumiet me synimin që trupi të rikthehej përsëri i plotë. Ky simbol pikturohej në arkivole në mënyrë që të vdekurit të mund të shihnin përmes shpirtit të tyre që do të jetonte në përjetësi.
Teoritë konspirative e lidhin këtë simbol me organizatën e fshehtë të Illuminatit, të cilën besojnë se janë pushteti i vërtetë që qëndrojnë pas shumë qeverive sot. Ky simbol paraqet nënshtrim, kontroll të dijes, iluzionit, manipulimit dhe fuqisë.
Më së shumti ky simbol kthehet në tatuazh duke simbolizuar nderin, pushtetin, drejtësinë dhe ekuilibrin, ndërsa shumë të tjerë si një mënyrë për të konfirmuar jetën pas vdekjes.
Shumë njerëz e mbajnë si amulet kundër njerëzve ziliqarë dhe keqdashës. Ornamentet e Syrit të Horusit shiten në mijëra anembanë botës, por është më popullor në vendet e Mesdheut. Madje në Mesdhe gjendet e pikturuar edhe në anijet e peshkimit, si një simbol mbrojtjeje që siguron një udhëtim të sigurt në det.
Botuar ne Revista BORDO!



















