KreuBusull

Intervistë/ Oscar sfida e Gentian Koçit!

Nga Olsi Kolami 

Kjo është hera e dytë për regjisorin Gentian Koçi në garën për Oscar, ndaj e pranon se është një sfidë e bukur të cilën e pret me kureshtje në çdo fazë të saj, sigurisht me dëshirën e pamohueshme, që një film shqiptar të ishte për herë të parë në skenën e eventit më të madh kinematografik. Premiera e filmit shqiptar “A Cup of Coffee and New Shoes On”, kandidat për Oscar do të shfaqet së pari në një prej ngjarjeve më prestigjioze evropiane, në festivalin Tallinn Black Nights në Estoni. Skenari është i frymëzuar nga një histori e vërtetë, një dramë ekzistenciale, siç e quan regjisori Koçi, e cila ka në qendër dy vëllezër binjakë identikë shurdhmemecë.

Një mbrëmje, Agimi po kthehet me makinë në shtëpi me Gëzimin, kur shikimi i tij turbullohet dhe gati nuk ndodh një aksident fatal. Tek okulisti, pak ditë më vonë, dy vëllezërit zbulojnë se për shkak të një sëmundjeje gjenetike dhe të rrallë, do të verbohen të ndarë, por në mënyrë progresive dhe të pakthyeshme. Duke u zhytur ngadalë në një errësirë ​​të padurueshme të heshtur, duke mos parë më botën dhe njëri-tjetrin, dy vëllezërit duhet të marrin një vendim të fortë rreth një filxhani kafeje me këpucë të reja…! Historia tronditëse vjen në ekran përmes dy vëllëzeve binjakë nga Portugalia, Edgar dhe Rafael Morais, ndërsa një zbulim i regjisorit mund të konsiderohet aktorja Drita Kabashi, me origjinë kosovare, por e lindur në Chicago.

“A Cup of Coffee and New Shoes On”, sapo ka nisur udhëtimin drejt një rruge emocionuese, e cila përveç një ndalese të shumë dëshiruar në ceremoninë e Oscar, padyshim do të udhëtojë drejt të gjithë botës, por gjithsesi, një krijues si Gentian Koçi ndihet i lumtur që filmi i tij ‘ka cilësinë vizuale, estetike dhe profesionale të çdo prodhimi tjetër që garon në festivalet më të rëndësishme në botë…”! Revista Bordo i uron udhë të mbarë filmit “A Cup of Coffee and New Shoes On”!

Gentian urime për nominimin! Kjo është hera e dytë që jeni në garën e Oscar, doja të dija çfarë ndjesie është për ju?

Si krijues është gjithmonë kënaqësi që projekti yt të vlerësohet nga profesionistët e fushës për të qenë pjesë e një kompeticioni të një niveli kaq të lartë. Ky vlerësim shoqërohet edhe me shumë përgjegjësi, pasi filmi përfaqëson kinemanë tonë në një garë ndërkombëtare midis prodhimeve më të mira kinematografike nga çdo shtet i botës. Sfidë e bukur, të cilën e pres me kureshtje, edhe pse, jo çdo herë, cilësia është kriteri i suksesit.

Cila do të jetë rruga që e pret filmin tuaj në vijim deri në shpalljen zyrtare?

Filmi ka nisur tashmë fushatën e tij promovuese në media dhe në rrjetet sociale, pavarësisht se fushatat që realizohen në Shtetet e Bashkuara, gjatë sezonit të Oscars, janë më intensive dhe shumë më dimensionale se sa ato që mbahen këtu. Nëntori do të jetë muaji më i rëndësishëm, pasi filmi do të ketë premierën botërore në Tallinn Black Nights Film Festival në 21 nëntor. Mandej, në 24 nëntor, vjen dhe premiera e shumëpritur e filmit në Tiranë, e cila do të pasohet me shfaqje në kinematë e qytetit, në sallat e Cineplexx dhe Millennium. Për sa i përket garës së çmimeve Oscars, ritmet dhe kërkesat janë paksa më të ndryshme. Raundi i parë i përzgjedhjes do të jetë diku nga mesi i muajit dhjetor, pra shumë shpejt, dhe lista e shkurtër që do të shpallet do të numërojë 15 filma. Nga aty pastaj, gjithçka bëhet akoma më e orientuar drejt marketingut dhe PR-it të filmit.

Filmi do të ketë premierën botërore në nëntor, a mund të na zbuloni diçka më shumë rreth saj? 

Tallinn Black Nights (PÖFF) është një festival i rëndësishëm filmi i kategorisë A, dhe festivali më i rëndësishmëm i Europës Veriore, i cili mbahet çdo vit në Estoni. Ai e ka përzgjedhur A Cup of Coffee and New Shoes On si pjesë e kompeticionit të tij zyrtar, në garën kryesore, midis mijëra prodhimeve botërore. Gjatë këtij edicioni të 26-të, PÖFF do të shfaqë nëntëmbëdhjetë premiera botërore dhe katër premiera ndërkombëtare. Është pak të them se sa entuziastë dhe të vlerësuar ndihemi që jemi pjesë e tij.

Skenari i “Një filxhan Kafe dhe Këpucë të reja veshur” është një histori e vërtetë, si e zbuluat? 

Në të vërtetë, filmi është i frymëzuar nga një histori e vërtetë, nuk është i bazuar në një të tillë. A Cup of Coffee and New Shoes On është një dramë ekzistenciale, dhe si gjenezë ka ardhur nga bashkëshortja ime me të cilën ndajmë edhe kreditin e producentit të filmit, Blerina Hankollari. Ajo ka studiuar filozofi dhe gjatë një konference shkencore në Belgjikë, në vitin 2016, u njoh me doktorin e binjakëve të vërtetë të kësaj ngjarjeje. Mjaftuan dy rreshta nga Blerina që të dashurohesha dhe frymëzohesha shumë me këtë histori. Skenarin e kam nisur ta shkruaj në vitin 2018 dhe tashmë numërohen gati plot pesë vite të cilat ia dedikoj këtij projekti. Është një histori unike, e cila, në heshtje, më ka sfiduar shumë, si skenarist dhe si regjisor. Jam i kënaqur me formën që ka marrë. Jam shumë kureshtar për reagimin e publikut, profesional dhe jo vetëm, dhe mezi po pres ta ndaj atë.

Janë katër vende që punojnë për një film, sa rëndësi ka skenari, në arritjen e këtij bashkëpunimi? 

Në fazën e propozimit të projektit, skenari është shumë i rëndësishëm, por kjo lidhet edhe me faktorë të tjerë siç janë aftësia e prezantimit të tij në markete ndërkombëtare, besueshmëria te vizioni yt si krijues e cila vjen si pasojë e punëve të tua paraprake, etj. A Cup of Coffee and New Shoes On është një bashkëprodhim midis Shqipërisë, Portugalisë, Greqisë dhe Kosovës. Duke qenë i mbështetur nga qendrat kombëtare kinematografike të këtyre shteteve, gjithashtu nga Eurimages, Media – Creative Europe, Televizioni Kombëtar i Greqisë, Radio-Televizioni Publik Shqiptar dhe Bashkia e Tiranës, ky film ka marrë, në njëfarë mënyre, një “vulë cilësie”. Besoj se bashkë me Blerinën, kemi bërë një punë të mirë në këtë drejtim. Edhe pse ky projekt është realizuar pëgjatë krizave të njëpasnjëshme, si tërmeti, pandemia, kriza globale lidhur me luftën në Ukrainë, ka arritur të dalë në sipërfaqe me kokëfortësi dhe të prezantohet ndërkombëtarisht me dinjitet.

Pjesëmarrës nga shumë vende, të gjitha nën dirigjimin tuaj, a ishte i vështirë menaxhimi?

Filmi kishte si sfidë kryesore komunikimin. Ekipi i përkiste tri gjuhëve të ndryshme. Të gjithë flisnim me njëri-tjetrin në anglisht, skenari, në origjinal, është shkruar në shqip dhe është përkthyer në anglisht. Gjuha e shenjave nuk është universale dhe aq më pak gjuha e prekjes. Gjuha e shenjave në Shqipëri është e ndryshme nga ajo në Portugali, madje edhe nga ajo në Kosovë. Pra, në film kishim një regjisor shqiptar, i cili drejtonte në anglisht dy aktorë portugezë të cilët po komunikonin në gjuhën shqip të shenjave e më pas në gjuhën e prekjes, duke kaluar përmes një skenari të përkthyer nga shqipja në anglisht. Teksa hedh sytë pas, mendoj që ia kemi dalë me sukses në menaxhimin e një ekipi kaq shumëkombësh, me kaq shumë sfida komunikimi në krijim. Rezulati final është një film i cili ka cilësinë vizuale, estetike dhe profesionale të çdo prodhimi tjetër që garon në festivalet më të rëndësishme në botë.

Dy aktorë, por dy vëllezër binjakë, një gjetje e rrallë, si arritët të zbulonit protagonistët?

Kriteri kryesor në gjetjen e tyre ishte që të ishin binjakë monozigotë, pra identikë, dhe njëkohësisht aktorë profesionistë filmi. Nuk ishte aspak e thjeshtë, sidomos pasi casting është realizuar online gjatë periudhës së pandemisë. U deshën shumë muaj kërkim, derisa gjeta Edgar dhe Rafael Morais, dy vëllezër binjakë portugezë, të cilët kishin thellësinë emocionale dhe përvojën profesionale që kërkoja, për t’i dhënë jetë dy personazheve kryesorë të filmit, Agimit dhe Gëzimit.

Komunikimi mes tyre ka qenë një sfidë për ju, vëllezërit duhet të mësonin gjuhën shqip të shenjave, a ndikoi kjo në skenarin tuaj? 

Sigurisht që jo. Edgar dhe Rafael kanë ndjekur një trajnim intensiv për mësimin e gjuhës shqipe të shenjave për gjashtë muaj para se filmi të niste xhirimet dhe ne kishim, gjatë gjithë kohës në shesh xhirimi, përfaqësues nga ANAD (Shoqata Kombëtare Shqiptare e Njerëzve Që Nuk Dëgjojnë), të cilët siguroheshin që çdo dialog filmi në gjuhën shqip të shenjave të ekzekutohej me saktësi. Për mua ishte thelbësore që çdo person i këtij komuniteti të mund ta ndiqte fimit lirisht, pa patur nevojë për një interpret apo për titra.

Një film i ri dhe një zbulim i ri, si Drita Kabashi, si e cilësoni pjesëmarrjen e saj? 

Drita ka qenë një zbulim i vërtetë dhe jam i lumtur që munda ta sjell atë për herë të parë në kinemanë tonë. Drita ka origjinë kosovare, por ka lindur dhe është rritur në Chicago. Drita ka shumë talent. Ajo i ka dhënë personazhit të Anës forcën dhe njëkohësisht brishtësinë që meritonte. Jam i sigurt që pas premierës së filmit, Drita do të renditet menjëherë në listën e aktoreve më të mira shqipfolëse.

Robert Redford thotë: Sundance nuk është thjesht një festival, por mënyra sesi prurjet kinematografike sjellin risi përballë prodhimeve të Hollywood, po rrugëtimi i filmit tuaj në festivale cili do të jetë?

Në fakt, Redford e themeloi Sundace si kundërvënie ndaj makinerisë komerciale Hollywood-iane, si dhe për t’i dhënë më shumë zë kinemasë së pavarur, e cila për nga buxheti nuk e konkurronte dot atë, por që propozonte një estetikë antiskematike dhe reflektive. Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë ky festival po e humbet qëllimin e tij fillestar. Hollywood-i duket se po e pushton ngadalë, dhe yjet e tij, të vetmin ndryshim që kanë nga tapeti i kuq në LA, është se kanë hequr kostumin dhe janë më sportivë në premierat e tyre. Në Europë është pak më ndryshe. Gjithsesi, Sundance mbetet një festival i rëndësishëm, dhe siç e përmenda pak më sipër, festivalet e filmit, janë një vlerësim i cilësisë së punës tënde, kombinuar kjo me shumë faktorë të tjerë, si marketingu, lobimi dhe PR-i i projektit. Në Shtetet e Bashkuara kjo është një praktikë e cila zotërohet me shumë mjeshtëri, gati në perfeksion. Festivalet europiane, në njëfarë mënyre, janë më besnike ndaj artit të filmit, qëllimit të tij human për të krijuar një gjendje reflektive tek audienca, çka i mundëson asaj t’i qaset botës përmes poezisë dhe politikës së kinemasë.

Botuar në BORDO,Nëntor 2022!

 

Tags:

Home

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF