KreuBusull

Intervistë/ Klea Konomi në universin e Shekspirit!

Nga Olsi Kolami 

Aktorja e Teatrit Metropol, nën petkun e Gonerilës, bashkëpunimi i fundit me aktorin Viktor Zhusti dhe emocionet e të qenit pjesë e një tragjedie Shekspiriane… 

Hapja e sezonit të ri artistik në Teatrin Metropol solli për herë të parë në shqip kryeveprën e Uilliam Shekspir. Klea Konomi, në rolin e njërës prej motrave dhe vajzave të mbretit Lir, përfaqësoi një karakter të thellë psikologjik që luhatet mes ambicies dashurore dhe asaj për pushtet. Aktorja rrëfen për Bordo eksperiencën e saj si një aktore në një tragjedi botërore, projektet e ardhshme dhe sesi ka lindur për herë të parë raporti i saj me këtë vepër kaq prestigjioze të teatrit.

“Mbreti Lir” flet për herë të parë shqip në hisorinë e teatrit shqiptar, si u ndjetë? 

Mbreti Lir në historikun shqiptar ka pasur një tentativë për t’u vënë në skenë vitet 1960 në Teatrin Kombëtar, por që u ndalua nga regjimi komunist dhe vënia në Teatrin Metropol është një privilegj dhe vënie ekskluzive.

Jam kurioz të di, cila ishte përshtypja e parë kur lexuat skenarin e “Mbretit Lir”?

Me “Mbretin Lir” jam njohur që në vitet e hershme në shkollë ku futej në një nga tragjeditë e preferuara të miat nga Uilliam Shakespeare dhe kur isha e vogël transmetohej në të vetmin stacion që kishte dikur vendi ynë i luajtur nga aktori i madh Lorens Oliver. Dhe pse isha fëmijë sa herë përsëritej ky film rrija dhe e shihja e mrekulluar dhe nuk arrija të kuptoja se si dy motrat e mëdha, pra dy vajzat e mëdha të Lirit ishin aq “të këqija”. Pastaj më erdhi në dorë përkthimi shumë i mirë i regjizores Jonida Beqo..

Gonerila, një personazh sa i thjeshtë dhe kompleks, çfarë ka të veçantë mes 3 motrave?

Personazhi i Gonerilës është me të vërtetë kompleks. Si vajza e madhe e mbretit, asaj ligjërisht i takon pushteti mbretëror, por që në ndarjen e pasurisë merr vetëm një pjesë të saj. Ajo shpalos karakterin e saj si një grua ambicioze, e hekurt, e ftohtë dhe pa ndjenja ndaj familjes së saj, gjithashtu e etur për pushtet dhe e pakënaqur nga gjithçka.

Më ra në sy kostumografia, pritnim veshjet e epokës, por ishin ndryshe, pse kjo zgjedhje?

Stilizimi i kostumeve ideuar nga regjisorja Jonida Beqo ishte bërë ose sjellë në ditët tona, për të treguar një familje mbretërore “instagrami” me gjithë glamurin e ditëve të sotme, pra është sjellë në ditët e sotme.

“Jam gatuar nga i njëjti metal”- një frazë e juaja që më tërhoqi, sa komod ishte për ju përkthimi dhe regjia e Jonida Beqos? 

Kjo nuk është eksperienca ime e parë me regjisoren Jonida Beqo, pasi unë kam patur mundësi të luaj dhe në pjesën Euridita, ku ajo ka qenë përkthyese dhe regjisore. Ky përkthim i saj vjen shumë në ndihmë të aktorit përshtatur për lojë teatri dhe puna e saj mund të them se është shumë detajiste.

Si ishte të luanit krah Viktor Zhustit, një brez me nënën tuaj, a kishte diçka që do të veçonit? 

Eksperienca me aktorin Viktor Zhusti ka qenë e jashtëzakonshme për të gjithë ne. Ai ishte një shembull i punës së palodhshme, energjisë që nuk i mungonte asnjëherë pavarësisht moshës së tij, ishte një shkollë e dytë në të gjitha kuptimet.

Historia 500 vjeçare shekspiriane vjen kaq aktuale, çfarë ka diçka që e bën atë kaq unike?

Atë çfarë e bën Shekspirin aq aktual edhe pas 500 viteve është se ai me universalitetin e tij ka arritur të eksplorojë qënien njerëzore, të merret me të gjitha karakteristikat e saj, të na pasqyrojë se nga buron e keqja dhe e mira, duke mishëruar në veprat e tij karaktere nga më ekstreme. Dhe prandaj ai është kaq aktual duke na treguar se mund të evoluojë rendi, shoqëria, por qenia njerëzore mbetet në çdo kohë dhe me të njëjtat instikte.

Cilat janë projektet e ardhshme ku do t’ju shohim përgjatë këtij sezoni?

Teatri Metropol pas përfundimit të reprizave të “Mbretit Lir”, me kërkesën e vazhdueshme të publikut do të sjellë “3 Dimrat”, një tjetër sukses i këtij teatri, ku kam një personazh, po prapë kaq kompleks dhe të vështirë, atë të Karolinës, një vepër me regji te Rozi Kostanit.

Botuar në BORDO, Nëntor 2022!

 

Tags:

Home

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF