KreuBusull

Rita Petro, së mbari!

Nga Ilda Lumani 

Librin e Ritës e lexova të parin, menjëherë pas panairit. Tre mbrëmje të vona, pasi fjetën Hana dhe Bonini unë u krodha në jetën e Ritës dhe historitë e saj të gjalla, të vërteta, të një kohe e fund kohe që sa e urrejmë aq edhe e adhurojmë për nostalgjinë që na sjellin!
Sa e çuditshme është qenia njerëzore!

Lindur sëprapthi, diku – diku më solli ca grimca “Kronike në gur”, ku takova gjithë personazhet e Rrugës së Kavajës, të zonës mes dy kishave e një xhamie, ku ndoshta ky ishte fati i keq, i shumë fatkeqësive që ndodhnin…, por kjo ishte vetëm një anë, përjetimet e adoleshencës së personazhit – autor janë historia e gjithë rinisë së viteve ’80, kur e padroja Ritë nuk heziton të rrëfejë me imtësi çdo të vërtetë të saj…, çdo rrahje zemre, çdo moment të mirë o të keq, të marrëdhënies me nënën, me babanë, me motrën, me tezen, me gjyshen, me shoqet, me shokët, me profesorët, me mësueset, me rojen, me komshinjtë, me plakat e lagjes, me ata që u bënë të internuar, me ato që ishin spiunet e sigurimit, me marrëdhënien që kishte me Udhëheqësin e Madh…

Rita i thotë të gjitha pa doreza! Personazhet realë, nuk e di nëse kanë të njëjtët emra dhe në jetë, por di që ata janë personazhet edhe të lagjes, rrugës, qytetit dhe jetës sime dhe e të gjithëve ne. Sa të ngjashëm që jemi…

Historitë e jetës së autores nisin me lindjen, rritjen, adoleshencën e saj, kapërcejnë në jetën aktuale, kthehen në ndonjë dekadë më parë, kudo ku mund të takosh dikë që asaj i ka lënë shenjë, apo ka një histori për të treguar!
Shpesh paralelet e dy realiteteve ndërrojnë vendet, ngjarja nis me të kaluarën dhe vijon me të tashmen, por edhe “anapodha”-anasjelltas!

Në këto tre pasdite të vona që mbaja librin në dorë më hapej faqja automatikisht tek fleta e fundit, ku mbyllej romani dhe lexoja mbylljen: Të dua!
Ah thosha, ka mbaruar me Happy End… por edhe nëse jo?! Nuk ka gjë më të bukur se të thuash të dua! Në cilëndo botë të jetë ai! Atij që i ke dedikuar dashurinë, ai do ta marrë atë, në çdo realitet të jetë! Edhe kur nuk të sheh e takon, ai një ditë do te përballet dhe do të ta thotë si Fredi pas shumë vitesh, apo si x poshtë pallatit pas ca ditësh, apo si dikush që të përshëndet nga lart!

Botuar në BORDO print, Dhjetor-Janar 2023

 

Tags:

Home

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF