Nga Olsi Kolami
Fotografia Leo Arapaj
Rrëfimi i mjekut nga Trieste që la karrierën në Itali për të jetuar dhe punuar në Shqipëri, një udhëtim i cili nga pasioni për peshkimin, u kthye në një vendim i cili ndryshoi 360 gradë jetën e tij dhe familjes.
Plot 12 vite më parë kur zbriti në tokën shqiptare, doktor Andrea Palmieri kishte marrë me vete në valixhe vetëm pajisjet për të peshkuar në thellësi në ujërat detare, një pasion të cilin e kishte nisur që në vegjëli. Nuk e fsheh se ishte mrekulluar nga deti shqiptar asokohe i mbushur plot me peshq, teksa ishte kredhur me shtizë në dorë në kërkim të gjahut duke mbajtur frymën teksa përjetonte një nga eksperiencat më të bukura të jetës së tij. Pasi ishte kthyer sërish në Trieste dhe udhëtimi në Shqipëri kishte mbetur thjesht një eksperiencë e bukur, doktor Andrea, një ndër mjekët më të njohur të ORL-së, as që do ta kishte çuar në mend se drejtuesit e spitalit do t’i besonin pozicionin e drejtuesit të këtij sektori në një spital që do të hapej së afërmi në Tiranë. Gruaja e tij Federica e kishte mbështetur në këtë aventurë të re, ndaj brenda pak kohësh ata u gjendën në një vend krejt të panjohur, ku gjithçka do të niste nga e para: doktori të takonte pacientë që flisnin një gjuhë të panjohur, gruaja e tij po ashtu, e mbi të gjitha fëmijët, të cilët sot, pas 10 vitesh, jo vetëm që kanë bërë miq bashkëmoshatarë, por edhe flasin gjuhën e vendit ku janë rritur. Në një intervistë për Bordo Men, doktor Andrea Palmieri rrëfen eksperiencën e tij në Tiranë, raportin me profesionin, por edhe jetën në Shqipëri, udhëtimet, pjatat e preferuara tradicionale, e padyshim, emocionet që i ka dhuruar puna prej një dekade këtu duke u kthyer buzëqeshjen shumë njerëzve të cilët i kanë besuar atij disa nga ndërhyrjet kirurgjikale estetike më të rëndësishme…!
Doktor si e kujtoni herën e parë që keni dëgjuar për Shqipërinë?
Edhe pse mund të duket e çuditshme, hera e parë që kam ardhur në Shqipëri, ishte 12 vite më parë dhe nuk ishte për punë. Që kur kam qenë ende fëmijë, kam pasur një pasion të madh për të peshkuar me shtizë në apnea, ndaj ishtë pikërisht ky pasion që më solli në Shqipëri. Kam kujtime shumë të bukura nga peshkimi në një det shqiptar që ishte ende i egër dhe i mbushur plot me peshq. Fatkeqësisht sot, për shkak të angazhimeve në punë nuk kam më kohë për t’iu dedikuar peshkimit, por fatmirësisht gruaja ime Federica, ashtu si unë, është një person shumë sportiv duke ndarë së bashku stërvitjet sportive. Edhe pse ajo është shumë më në formë se unë…
Cila ishte përshtypja e parë kur arritët këtu?
Përshtypjet që më ka dhënë Shqipëria kanë qenë gjithmonë shumë intensive. Rashë menjëherë në dashuri me njerëzit që janë shumë miqësorë dhe gjithmonë shumë të gatshëm të të ndihmojnë. Kur mbërrita për herë të parë në Shqipëri, nga pikëpamja natyraliste ajo ishte ende e ruajtur në mënyrë perfekte, e aftë të më jepte ndjesi shumë të forta si në det por edhe në tokë. Menjëherë pata përshtypjen se kisha të bëja me një vend që donte të rritej dhe të zhvillohej shumë shpejt. Ishte një vend plot mundësi.
A ishte e vështirë të largoheshe nga Trieste për të ardhur në Shqipëri me familjen tënde?
Gjithçka filloi rastësisht, kur spitali në të cilin punoja në Trieste vendosi të hapte një spital në Tiranë. Menjëherë më është bërë propozimi për drejtimin e ORL në spitalin e ri. Pasi bisedova me gruan time, së bashku vendosëm të nisnim këtë aventurë. Familjarisht u vendosëm menjëherë në Tiranë dhe u ambientuam shumë mirë, sepse në përgjithësi njerëzit dhe jeta në Shqipëri janë shumë të ngjashme me jetën në Itali.
Edhe babai juaj ishte mjek, sa ndikoi ai në zgjedhjet tuaja për t’u bërë si ai?
Babai im ishte kardiolog kryesor për 24 vjet dhe përveç specialitetit në kardiologji kishte edhe 4 specialitete të tjera, kështu që për mua ishte një enciklopedi mjekësore në majë të gishtave. Mbaj mend që kur isha 2 vjeç, e prisja babain tim jashtë repartit ku punonte për të qëndruar me të, aq sa të gjithë infermierët dhe kolegët e spitalit më njihnin dhe bënin shaka me mua. Nëna ime punonte në të njëjtin spital me babain, kështu që ishte shumë e vështirë për mua të mos bëhesha mjek duke pasur përpara shembuj të tillë. Babai përpiqej gjithmonë të ishte sa më neutral në zgjedhjet e mia, duke më bërë të kuptoja se nëse do të kisha zgjedhur një punë që më pëlqente, nuk do të lodhesha kurrë nga ajo punë. Dhe kështu bëra, pa u penduar kurrë.
Tashmë prej 10 vitesh në Shqipëri, cilat janë gjërat që ke mësuar nga kjo eksperiencë këtu?
Të jetoja jashtë vendit tim ka qenë një mundësi e shkëlqyer për të gjithë familjen. Kam arritur të kuptoj se vizioni i jetës ndryshon rrënjësisht nëse përballesh çdo ditë me kultura të ndryshme nga jotja dhe çdo ditë vihesh në provë nga situata që normalisht nuk të dalin në vendin tënd. Të qënit mendje hapur të mëson se jeta jashtë vendit tënd është një pasuri e paçmuar. Jam shumë i lumtur që pata këtë mundësi si për mua ashtu edhe për familjen time, të cilët ndajnë me mua këtë përvojë të mrekullueshme.
Jam kurioz, nga gatimet mitike si pica dhe makaronat, cilat janë gatimet shqiptare që keni shijuar dhe që ju pëlqejnë?
Familjarisht na pëlqen shumë kuzhina tradicionale shqiptare. Madje, shpeshherë kur shkojmë në restorante që na pëlqejnë ata na përgatisin kryesisht menu tipike shqiptare. Normalisht kur jemi në shtëpi përpiqemi të kemi një dietë të shëndetshme me përbërësit më natyralë të mundshëm. Jemi shumë të lumtur që këtu në Shqipëri shumica e popullsisë është shumë e kujdesshme në përzgjedhjen e produkteve organike.
Po fëmijët tuaj a kanë mësuar të flasin shqip dhe si janë integruar me bashkëmoshatarët e tyre?
Andrea dhe Emma Chanel që në fillimet e tyre kanë pasur në shkollë bashkëmoshatarë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, mes të cilëve shumë miq shqiptarë me të cilët kalojnë shumë kohë bashkë. Andrea flet shumë mirë shqip, po ashtu edhe Emma Chanel ka filluar ta flasë. Mendimi ynë si prindër është se është shumë e rëndësishme që ata të njohin gjuhën shqipe pasi mund të integrohen edhe më shumë gjatë kohës që jetojnë këtu. Përveç gjuhës italiane, fëmijët kanë pasur mundësi të ndjekin shkolla që i kanë lejuar të mësojnë në mënyrë perfekte një gjuhë tjetër: anglisht.
Ju keni punuar në spitalet më prestigjioze në Tiranë, si është situata në sektorin e kirurgjisë estetike në vendin tonë?
Doja të theksoja se situata në përgjithësi në spitalet e Tiranës për sa i përket cilësisë së shërbimeve mjekësore është përmirësuar shumë vitet e fundit. Teknikat që përdoren janë gjithnjë e më të përparuara, sepse me të drejtë shqiptarët janë bërë më të vëmendshëm ndaj gjithçkaje që u ofrohet. Mosbesimi që ndeshet edhe sot në popullatë vjen fatkeqësisht për faktin se në të kaluarën ka pasur ndonjë koleg italian ose jo italian, që ka përfituar nga besimi i pacientëve dhe mendonin vetëm për fitimet e tyre. Ashtu si në të gjithë botën edhe këtu në Tiranë ka një rritje të kërkesës në të gjithë kirurgjinë estetike.
Cilat janë ato ndërhyrje më të shpeshta që shqiptarët kërkojnë?
Natyrisht unë mund të flas për specialitetin tim, otorinolaringoiatria. Gjithmonë kam realizuar të gjitha operacionet që kanë të bëjnë me kokën dhe qafën. Në 10 vitet e fundit duhet të them se është rritur ndjeshëm sasia e ndërhyrjeve estetike, si otoplastika dhe rinoplastika. Rinologjia ka qenë gjithmonë një pasion i imi si nga pikëpamja funksionale, por edhe nga pikëpamja estetike, ndaj për këtë arsye çdo vit i kushtoj shumë kohë përditësimit duke marrë pjesë në kongrese dhe kurse të kësaj kirurgjie. Pjesëmarrja në konferenca dhe kurse është një gjë thelbësore, sepse vetëm ateherë kur përballesh dhe e krahason veten me kolegët e tjerë, mund të kuptosh se sa shumë ke ende për të mësuar dhe përmirësuar.
Cilat janë teknikat më të njohura, grupmoshat, janë kryesisht gratë apo burrat ata që zgjedhin më shumë këto ndërhyrje estetike?
Mosha më e shpeshtë e pacientëve që më kërkojnë të bëj një operacion estetik është shumë e ngjashme me atë në të gjitha vendet e tjera evropiane, nga 16-17 vjeç deri në rreth 45 vjeç. Duhet të saktësohet se ndërhyrja estetike e hundës quhet rinoplastikë, pjesa estetike shoqërohet në të shumtën e rasteve me septoplastikë (pjesa funksionale), pasi në shumë hundë të cilat kanë devijime nga jashtë, nëse nuk korrigjohet dhe ripozicionohet në qendër skeleti i brendshëm i hundës, mbetet i devijuar nga jashtë. Shpesh dëgjojmë të flitet për teknika të ndryshme të rinoplastikës, si: rinoplastika e mbyllur, rinoplastika e hapur dhe së fundmi edhe rinoplastika konservative. Risia e fundit është rinoplastika hibride. Të gjitha këto teknika nisin gjithmonë nga dy kryesoret, të mbyllura dhe të hapura. Unë jam i mendimit se çdo hundë ka nevojë për ndërhyrje specifike, prandaj pas 27 vitesh në kirurgji mund të kryej rinoplastikë si të mbyllur dhe të hapur. Dallimi është minimal, është vetëm në kohë dhe në aftësinë për të ekzekutuar. Për shembull, gruaja ime bëri një rinoplastikë të hapur, sepse më duhej të punoja më me kujdes në kërcin e majës së hundës.
Pas 10 vitesh këtu ku e sheh veten në të ardhmen, në Shqipëri apo do të riktheheni në Itali?
Pas thuajse 10 vitesh në Shqipëri më janë bërë shumë oferta edhe në Itali, pasi në ditët e sotme është shumë e vështirë të gjesh mjekë të përgatitur dhe të aftë. Gjatë këtyre viteve ndonjëherë jam tunduar të kthehem në Itali, por për fat Federica ndihet shumë mirë këtu në Shqipëri, duke më nxitur dhe mbështetur gjithmonë edhe në zgjedhjet e mia më të vështira. Nëse vitet e fundit kam pasur rezultate të mira, përveç përgatitjes dhe përditësimit tim të vazhdueshëm me kurse e konferenca, është e pazëvendësueshme dhe ndihma e Federikës.
Kur keni kohë të lirë ku udhëtoni më së shumti me familjen?
Ne kemi udhëtuar gjatë këtyre viteve të qëndrimit thuajse në të gjithë Shqipërinë. Kemi shkuar në male, det, liqene…, e them pa droje se është një vend magjepsës. Sigurisht shpesh shkojmë edhe në itali ku kemi ende të afërmit tanë, e gjatë ketyre udhëtimeve përfitojmë nga rasti për të shijuar vendin tonë të bukur.
Falë kontributit tuaj keni bërë shumë persona të lumtur, cili ka qenë komplimenti që ju bën më shumë krenar?
Pas shumë vitesh në mjekësi janë të shumtë personat që më kanë falënderuar, e sidomos kur dikush e bën me zemër, kjo e shton akoma kënaqësinë
Për ata shqiptarë që kirurgjia estetike është një tabu, a keni një mesazh?
Nuk mendoj që sot në Shqipëri kirurgjia estetike është diçka e çuditshme. Edhe këtu, njësoj si në Itali, kur njerëzit vijnë për herë të parë, ndihen pak në siklet kur kërkojnë vetëm pjesën estetike, duke u justifikuar se kanë një frymëmarrje jo të mirë, ata priren ta lidhin pjesën funksionale me atë estetike.
Botuar në BORDO, Dhjetor-Janar 2022


Tomorri, froni i perëndive!


Trendi i ri: Vitamina B12 për humbjen e peshës!





“Future Home Real Estate”, 7 vite lider në treg!


Horoskopi ditor, e hënë 26 shtator 2022




Horoskopi ditor, e premte 23 shtator 2022


Klea Huta rrëfen planet për dasmë!


