Gati 5 000 persona janë vrarë dhe qindra/mijëra janë plagosur pas një tërmeti me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë dhe Sirinë mëngjesin e së hënës. Mijëra ndërtesa u shembën në të dy vendet, ndërkohë që agjencitë e ndihmave janë veçanërisht të shqetësuara për Sirinë veriperëndimore, ku më shumë se 4 milionë njerëz tashmë po mbështeteshin te ndihma humanitare.
Tërmeti, një nga më të fortët që ka goditur rajonin në më shumë se 100 vjet, goditi 23 kilometra në lindje të Nurdagi, në provincën Gaziantep të Turqisë, në një thellësi prej 24.1 kilometrash.
Mes të ftohtit dëborës dhe shiut operacionet e shpëtimit kanë vijuar punën gjatë të gjithë natës. Ata po përpiqen mes shpresave të gjejnë të mbijetuar mes rrënojave.
Në Turqi, sipas të dhënave zyrtare, janë 3381 të vrarë dhe më shumë se 20426 të plagosur. 5775 ndërtesa në Turqi janë shkatërruar si pasojë e lëkundjeve të fuqishme sizmike. Ndërsa në Siri tërmeti ka shkaktuar 1451 të vdekur dhe 3531 të plagosur.
Kujtojmë që edhe ditën e sotme, në orët e para të mëngjesit ka rënë një tërmet në Turqinë qendrore. Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së, tërmeti ka qenë me një magnitudë 5.5 pranë qytetit Golba.