Atëherë kur mrekullia ndodh mes tragjedisë; ky është rasti që ka ilustruar së fundi akoma edhe më fort dramën me të cilën përballen rajonet e goditura nga tërmeti i fuqishëm i së hënës në Turqi e Siri, i cili përcjell sa dhimbje, ashtu edhe shpresë.
Një grua shtatzënë, e bllokuar në rrënojat e shtëpisë ku jetonte në Aleppo të Sirisë, solli në jetë aty foshnjen e saj e më pas, dha shpirt.
Siç ka raportuar një përdorues i Twitter-it duke publikuar videot përkatëse, gruaja , identiteti i së cilës ende nuk është bërë i ditur, nuk mundi të duronte më shumë dhe vdiq, por vogëlushi i saj gëzon shëndet të plotë e tashmë është në spital, ku mjekët po kujdesen për gjendjen e tij.
Bebja nga të gjithë po quhet “mrekulli”. Deri më tani nuk dihet se si kanë vendosur se cfarë emri do t`i vënë dhe nuk dihet ende nëse ka familjarë të tjerë gjallë që të kujdesen për të. Bilanci i viktimave nga tërmeti tragjik që goditi Turqinë e Sirinë është përkeqësuar. Tani raportohet për 4700 viktima në total dhe mbi 18 mijë persona të plagosur. E gjithë bota është solidarizuar me këto dy vende dhe kanë dërguar ekipe të kërkim-shpëtimit si edhe ndihma humanitare. Turqia ka numrin më të lartë të viktimave, me mbi 3.000 të vdekur dhe 15,834 të plagosur. Ndërkohë, në Siri raportohet për 1,444 viktima dhe mbi 3 mijë të plagosur. Pasgoditjet nuk kanë ‘lënë të qetë’ Turqinë gjatë natës, ndërsa edhe orët e para të mëngjesit të sotëm u regjistrua një paslëkundje e magnitudës 5.6 ballë.