
Nga Nada Biraçi
Fotografia: Leo Arapaj
Veshjet: Enada At’Nikolla
MUAH: Suela Cangu
Zhurma e takave që trokitnin dyshemenë e kafenesë më bënë të ktheja instinktivisht kokën dhe e pata të vështirë të mos shprehja njëfarë habie, kur pranë meje po afrohej Fatma. E veshur me një fustan të ngushtë deri mbi gju dhe një palë çizme të gjata, në imazhin e gruas që po më afrohej mezi dalloja pak nga vajza lozonjare me ‘converse’ që publiku njeh. “Shoh që sot nuk ke veshur ‘conversat’ e tua të dashura…I ke zëvendësuar me takat…Takat mos vijnë bashkë me përgjegjësinë e të qenit mami?”; i them teksa përshëndetemi ngrohtësisht. Fatma hoqi nga sytë një tufë flokësh me onde që i kishin zënë pamjen dhe vetëm pasi buzëqeshi pashë në portretin e saj sërish çapkënen e ëmbël, që po kërkoja me sy në ato pak metra rrugë teksa ajo afrohej për në tavolinën time. “E di, nuk është një veshje me të cilën identifikohem, por harrove që sot kemi provat e fustaneve tek Enada At’Nikolla, dhe një palë taka do t’më duheshin apo jo?!”; mu përgjigj ish-moderatorja ndërsa hoqi syzet për të zbuluar portretin në të cilin nuk kishte vënë asnjë pikë grimi. Intervistën e fundit me ish-moderatoren e IN TV e kemi patur disa vite më parë, kur Noah shkelmonte barkun e mamit dhe ai ende nuk kishte ardhur në këtë botë për t’ja trazuar ëmbël ditët-netët mami Fatmës. Sot, Noah është epiqendra e prindërve, Fatmës dhe Alfios. Ndonëse të rriturit e shtëpisë prej disa muajsh, zgjodhën të mos e vazhdojnë më marrëdhënien romantike, ata të dy do t’i ngrohi përjetësisht i njëjti diell, dhe ai është Noah….
Fatma Met’hasani zgjodhi ta trajtojë shumë fisnikërisht ndarjen nga babai i djalit, pa deklarata në rrjete sociale, pa e ‘bërtitur’, apo pa dhënë detaje të panevojshme, pavarësisht kureshtjes së publikut, apo qoftë edhe medias…Në këtë rrëfim për “Bordo” ajo vjen e vërtetë, me një tis maturie që ja ka injektuar të qenit mami, hera- herës i duhet të fshijë cepat e syve që nisin të lagështohen kur krejt e çiltër pranon frikën që ndjen se mos ndarja do t’i ndikojë të birit, e më pas një buzëqeshje mundohet të fitojë mes lotësh kur i kërkoj të shoh një foto të Noahs. “Ja, u bëra edhe unë si të gjitha mamat që dikur më dukeshin të çuditshme kur tregonin me krenari fotot dhe bëmat e fëmijëve të tyre”; justifikon mami e re ngazëllimin me të cilin sapo më kishte treguar një çapkënllëk të të birit…
Intervista jonë e fundit ka qenë kur Noah shkelmonte ëmbël barkun e mamit. Një set fotosh që ne e ruajmë me shumë dashuri në redaksi. Sot, Noah është një djalë i vogël trazovaç e i ëmbël që të shoqëron kudo. Më thuaj pak si ndihesh?
Ne gjithashtu e ruajmë me shumë dashuri atë set fotosh dhe jemi të lumtur që edhe revista “Bordo” ishte pjesë e kujtimeve tona të bukura. E vërtetë është që ka kaluar goxha kohë, por falë Noahs unë jetoj në një kohë pa kohë. I numëroj ditët me një fjalë të re që thotë, me një përkëdheli të re, me një lojë të re që mëson, me një veprim të ri… Ndihem çdo ditë e surprizuar sepse Noah është tamam si një kuti surprize, çdo ditë diçka e re.
Shoh që sot nuk ke veshur ‘conversat’ e tua të dashura…I ke zëvendësuar me takat…Takat mos vijnë bashkë me përgjegjësinë e të qenit mami?
(Qesh). Të them të drejtën takat nuk e kapin 30-minutshin në këmbën time. Nga ana tjetër, edhe ‘conversat’ me lidhëse janë bërë një mision i vështirë tani që kam djalin. Me përgjegjësinë e të qenit mama jemi shumë të familjarizuar me shapka, madje dhe një numër më të madh sepse vrapojmë më mirë.
Çfarë raporti ke krijuar me djalin? Je mami autoritare apo dorëzohesh para tij dhe kërkesave të tij?
Po përpiqem të qëndroj te mesi i artë. Mamat e dinë shumë mirë sa e vështirë është të mbash qëndrim para atyre syve më të bukur në botë që të thonë ‘të lutem, apo më fal’. Por unë përpiqem shumë, edhe pse në dukje e vështirë, të krijoj një kanal komunikimi, preferoj të shpenzoj shumë kohë e energji duke folur me të dhe duke ju përgjigjur 1001 pse-ve të tij. Kemi dhe ne ato momentet tona të shpërthimit, por në shumicën e kohës po ja dalim me qetësi.
Si është një ditë e jotja dhe e Noahs? Çfarë ju pëlqen të bëni më shumë bashkë?
Është pa diskutim me shumë energji. Nis shumë herët, nis me muzikë se Noahs i pëlqen shumë të këndojë. Ditët tona i kanë të gjitha ngjyrat. Unë përpiqem ta përfshi djalin në gjithë gjërat që bëj, ne gatuajmë bashkë, sistemojmë lodrat bashkë (për të një mijtën herë brenda një pasditeje), shëtisim bashkë, bëjmë pazaret bashkë, dhe herë-herë Noah ka filluar të më bëhet shok.
Duke qenë vetë mami i njoh mirë frikërat dhe pasiguritë që hasim shpesh, nëse po jemi mjaftueshëm nëna apo prindër të mirë për fëmijët? Ti i ke këto frikëra?
Shpeshherë, por besoj vjen sepse ne nuk duam të gabojmë në gjërat që duam më shumë.. mendoj që mamat këtë frikë të ëmbël duhet ta bëjnë pjesë të rrugëtimit të rritjes së fëmijës. Mua më ka shërbyer shumë komunikimi me nëna të tjera, shpeshherë edhe me mamanë time pavarësisht diferencës së brezave, sepse të bën të ndash eksperienca për të kuptuar që ngahera janë më të vogla seç ne i bëjmë frikërat.
Vendose të largoheshe nga televizioni pikërisht në kulmin tënd…Duket si strategji apo?
Tani, mua më vjen mirë që evolucioni i rrjeteve sociale i ka dhënë mundësinë edhe publikut të jetë shumë i përfshirë në televizion dhe strategjitë janë si flluska sapuni që janë të bukura, por mbarojnë aty për aty. Autenticiteti dhe e vërteta mbeten aty kur kombinohen me dashuri, pastaj bëhen stil i këndshëm jetese. Nuk ishte strategji sepse nuk i besoj shumë këto, por ishte një detyrë më e ëmbël që ma kërkoi jeta. Ishte Noah!
A do të kemi një rikthim të Fatmës në ekran? Aktualisht me çfarë po merresh sa i përket karrierës?
Unë e kam thënë gjithmonë që televizioni është më shumë sesa ndriçimi i skenës dhe shkëlqimi i një dukje të kuruar. Është një ndjesi, një ekip me njerëz që ty të karikojnë ditët, që keni të njëjtin vizion, është shkëmbim energjish dhe eksperiencash. Për mua televizioni nuk duhet të jetë katalizator popullariteti më shumë sesa mjet për të ndikuar mirë te njerëzit. I kam ditët shumë të ngarkuara sepse paralelisht po merrem me disa angazhime. Për këtë arsye më ankohen edhe miqtë, siç u ankove ti për vonesën e përgjigjeve (qesh). Mendoj që shumë shpejt do të ndaj një lajm të mirë.
Prej disa muajsh mami dhe babai i Noahs zgjodhën të mos e vazhdojnë më marrëdhënien romantike. Ti ke zgjedhur ta trajtosh në mënyrë shumë fisnike ndarjen nga babai i djalit, pa deklarata në rrjete sociale, pa e ‘bërtitur’, apo pa dhënë detaje të panevojshme, pavarësisht kureshtjes së publikut, apo qoftë edhe medias…
Po, sepse nuk besoj që të tilla gjëra mund t’i ndash me njerëzit me dy-tre fjali në një postim. Unë jam rritur në një familje shumë të thjeshtë që edhe tani e kam kult. Dhe në vitet që kaloja në atë shtëpi të vogël me shumë njerëz, kuptoja dhe mësoja çfarë të bën të qeshësh dhe të qash në familje duhet të rrijë brenda derës së shtëpisë, jo jashtë. Ajo çfarë dihet është që Alfio dhe unë jemi prindër të Noahs, ai është dielli i ditëve tona. Para syve të bukur të Noahs, ne jemi dy prindër që e tejmbushin me dashuri dhe respektojnë njëri-tjetrin.
Ajo çfarë ti me mjeshtëri ke ditur të ruash pavarësisht çfarë sjell jeta është fëmija brenda teje, si version i papërpunuar, i patrazuar i Fatmës… A është vërtetë kështu?
Është jashtëzakonisht bukur dhe shumë e pastër t’i shikosh disa gjëra në jetë me sytë e fëmijës që ke brenda vetes. Fantazia e një fëmije projekton të ardhmen. Naiviteti dhe sinqeriteti i një fëmije është shuplaka më e dhimbshme që mund t’i japësh hipokrizisë, që është bërë trend fatkeqësisht. Absolutisht bota bëhet më e bukur nëse në përditshmërinë tonë aktivizojmë fëmijën brenda vetes.
Je ndjerë ndonjëherë sikur diçka, dikush ta ka trazuar fëmijën e çiltër brenda teje?
Shumë herë! Por e rëndësishme është që ti të kontrollosh fëmijën brenda vetes dhe ai të të kontrollojë dhe orientojë ty. Gjej rastin të jap një mesazh për të gjithë lexuesit e revistës, që ka të bëjë me kujdesin e ekuilibrave me veten tonë në momente të ndryshme. Dua të theksoj në mënyrë të veçantë, shëndetin mendor, kujdesi ndaj tij të jep shansin, jo vetëm ta jetosh jetën por edhe ta shijosh atë, ta çmosh dhe të lësh gjurmën tënde.
Fatma, a je e lumtur?
Nëse e shoh gotën gjysmë plot jam shumë e lumtur. Gjysmë bosh refuzoj ta shoh.



















