Mashtrimi
AUTORI: JULIE CLARK – ÇMIMI: 1300 LEKË
Meg Uilliams. Megi Litwllton. Melodi Uajlld. Emra të ndryshëm për të njëjtin person, në varësi të qytetit dhe të punës. Ajo është një mashtruese profesioniste, që fshin identitetin e saj dhe vesh një tjetër: herë studente, herë trajnere dhe herë agjente imobiliare. Asgjë rreth saj, nuk është e vërtetë. Ajo rrëshqet rreth teje dhe të thotë saktësisht atë që duhet të dëgjosh, derisa të kesh humbur gjithçka. Keti Roberts ka pritur 10 vjet për gruan që ia ktheu jetën përmbys, por dy gratë afrohen aq shumë, sa supozimet e Ketit nisin e bien një nga një.
Shkëlqimi dhe mjerimi i kurtizaneve
AUTORI: HONORE DE BALZAK – ÇMIMI: 1300 LEKË
Ky roman është një eksplorim i detajuar i botës së nëndheshme të shoqërisë parisiene të shekullit të XIX, duke u fokusuar në jetën dhe përvojat e një të dënuari të pashëm dhe karizmatik, i cili përdor sharmin dhe zgjuarsinë e tij për të manipuluar dhe shfrytëzuar si të pasurit, ashtu edhe të varfrit. Rrëfimi thellohet në aspektet më të errëta të natyrës njerëzore dhe shoqërisë, duke përfshirë lakminë, epshin, korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin. Një kryevepër klasike botërore e shkrimtarit francez Honore De Balzak.
Minuta e parë
AUTORI: CHRIS FENNING – ÇMIMI: 1000 LEKË
Si ta bëni tjetrin, t'ju dëgjojë me vëmendje dhe si ta përcillni mirë mesazhin në punë? Mësoni mënyrën më të lehtë, për të përmirësuar aftësinë e komunikimit në punë. Nuk ka asgjë të pakuptimtë, asnjë këshillë të mjegullt, por vetëm metoda praktike hap pas hapi, që mund të filloni t'i praktikoni që sot. Ky libër i çmuar, na tregon se të shprehesh në mënyrë të përmbledhur, nuk do të thotë vetëm të përpiqemi ta ngjeshim të gjithë informacionin në gjashtëdhjetë sekonda, por edhe na mëson se si ta shprehim qartë qëllimin.
Kadare në studio
AUTORI: ENI VASILI – ÇMIMI: 800 LEKË
“Letërsia është për mua një lloj jete paralele... Jeta sa ç’është mikja më e madhe e letërsisë, aq edhe armikja më e madhe e saj. Sepse ajo kur hyn në mënyrë të dhunshme në letërsi, kur e ka pjesën e vet më shumë se ç’duhet ta ketë, e dëmton letërsinë. Ashtu sikurse mungon, e dëmton letërsinë. Letërsia është një jetë paralele, sepse po të ishte pasqyrim i jetës, njerëzit s’do të kishin nevojë për të. Gazetarja Eni Vasili sjell rrëfimin e shkrimtarit të madh, në katër intervista të realizuara në kohë të ndryshme.
Kolibri
Sandro Veronesi - ÇMIMI; 1500 Lekë
Marko Karrera, protagonisti i romanit është zogu i njohur me emrin Kolibër. Jeta e tij ka pasur luhatje të vazhdueshme, por edhe rastësi fatale, me humbje mizore dhe me dashuri absolute. Nuk bie asnjëherë deri në fund: lëvizjet e tij janë të pandërprera dhe e ndihmojnë të qëndrojë pa lëvizur, në ekuilibër - edhe kur kjo nuk është e mundur - për të gjetur pikën ku rënia mund të ndalet, në mënyrë që mbijetesa të mos jetë e barabartë me një jetë të paplotë. Një roman i fuqishëm për forcën therëse të jetës. Fitues i çmimit “Strega”.
Italiania
Giuseppe Catozzella– 1200 lekë
Maria Oliverio, u lind në Kazole, nga një familje shumë e vobektë. Nga rrugët e fshatit ngjitet në malin e egër, herë i errët e herë bujar si një nënë. Ato rrugë, i merr një vogëlushe kur motra e madhe Tereza, e kthyer për të jetuar në familje, e lë pa shtrat e pa çati. Dhe ato janë shtigjet që Maria merr për të luftuar përkrah Pietros, cub dhe rebel, duke u bërë shpejt gruaja e parë që i prin një bande. Nëse nga njëra anë, Tereza thur kundër saj një pëlhurë urrejtjeje, nga ana tjetër Pietroja i prin udhën drejt dashurisë.