
Qendra Pompidou-Metz në Francë ka denoncuar vjedhjen e veprës së famshme “Comedian” të artistit italian Maurizio Cattelan, bananes së ngjitur në mur me shirit ngjitës që prej vitesh ka tërhequr vëmendjen e botës së artit.
Sipas muzeut, ngjarja u zbulua të shtunën pasdite nga stafi i sigurisë, ndërsa ndaj autorëve të paidentifikuar është depozituar një kallëzim penal. Edhe pse fruti i ekspozuar është zëvendësuar menjëherë, institucioni e cilësoi incidentin si një mungesë respekti ndaj veprave artistike.
Vepra kontroverse, e prezantuar për herë të parë në vitin 2019, është bërë shpesh objekt veprimesh të pazakonta. Në raste të mëparshme, vizitorë të ndryshëm e kanë hequr ose ngrënë bananen gjatë ekspozimit, duke krijuar jehonë të madhe mediatike.
Për muzeun, rëndësia e “Comedian” nuk qëndron te vetë banania, e cila ndërrohet periodikisht, por te certifikata e autenticitetit dhe udhëzimet zyrtare që përcaktojnë mënyrën e ekspozimit të saj.
Vepra u rikthye në qendër të vëmendjes si pjesë e festimeve për 15-vjetorin e Qendrës Pompidou-Metz, ku Cattelan ishte ftuar jo vetëm si artist, por edhe si kurator i ekspozitës.
Që nga debutimi në Art Basel Miami, “Comedian” ka ndezur debate mbi vlerën e artit bashkëkohor. Fillimisht e shitur për 120 mijë dollarë, ajo arriti të fitonte famë globale dhe të shitej për shuma shumë më të larta në vitet pasuese.
Në vitin 2024, sipërmarrësi i kriptomonedhave Justin Sun bleu një version të veprës për 5.2 milionë dollarë dhe më pas e konsumoi bananen publikisht para mediave, duke e kthyer sërish në një fenomen viral.
Maurizio Cattelan njihet për veprat e tij provokuese dhe satirike. Mes tyre është edhe “America”, tualeti funksional prej ari 18 karatësh, i cili gjithashtu u bë objekt i një vjedhjeje të bujshme në Britaninë e Madhe dhe nuk u gjet më kurrë.
