Koreja e Jugut miratoi një ligj të ri, i cili synon që deri në vitin 2027 ta ndalojë plotësisht therjen dhe shitjen e qenve për mishin e tyre. Ky ligj synon t’i japë fund traditës shekullore të ngrënies së mishit të qenit.Ai ndalon rritjen apo therjen e qenve për ngrënie, njëlloj siç nuk lejohet as shpërndarja apo shitja e mishit të tyre.
Kushdo që shpallet fajtor për një vepër të tillë, mund të përfundojë në burg. Sondazhet e fundit kanë treguar se më shumë njerëz tani dëshirojnë që ai të ndalohet dhe shumica e jugkoreanëve nuk hanë më mish qeni. Megjithatë, anketimet gjithashtu tregojnë se një në çdo tre koreanojugore, ende e kundërshtojnë ndalimin e mishit të qenit, edhe pse nuk e hanë atë.
Legjislacioni mori OK-in e parlamentit vendas me 208 vota pro dhe asnjë kundër. Qeveria e presidentit Yoon Suk Yeol e mbështet ndalimin e mishit të qenit, prandaj kalimi i ligjit ishte formalitet. “Ky ligj synon të ndihmojë në mbrojtjen e vlerave të të drejtave të kafshëve, të cilat nënkuptojnë respekt për jetën dhe një bashkëjetesë harmonike mes njerëzve dhe kafshëve”, thuhet në legjislacion.
Ligji sakaq ka zemëruar fermeret. “Kjo është një shkelje e qartë nga shteti, sepse ata po na e cenojnë lirinë e zgjedhjes së profesionit. Ne nuk mund të rrimë duarkryq”, tha Son Won Hak, bujk dhe lider i Shoqatës së Bujqve në Korenë e Jugut. Ai njoftoi se bujqit do të dërgojnë një peticion në Gjykatën Kushtetuese dhe do të protestojnë.



















