Nga Nada Biraçi
Me Gjergjin e lamë të takohemi pasdite, pasi me një të porsalindur në shtëpi, paraditja nuk dihet asnjëherë si shkon. Dukej i relaksuar dhe ashtu siç na tha gjatë bisedës, në të vërtetë prindërimi të paktën për momentin, nuk duket fort i lodhshëm. Gregori erdhi në jetë 2 muaj më parë si frut i dashurisë disavjeçare mes Gjergj Kaçinarit dhe partneres së tij Tejdi, e tashmë rutina në familjen e vogël nuk është më monotone, por sa e vrullshme, aq edhe më e ëmbël se asnjëherë…
Gjergj, si keni qenë me gjumin këto kohë?
Në fakt mirë. E mendoja më keq, më të lodhshme, por deri tani jemi shumë mirë.
Si po ndihesh, si baba i ri?
Shumë mirë! Them se po ambientohem shpejt me situatën e re.
Si e kujton momentin kur mësove që do të bëhesh baba?
Tejdi, partnerja, kishte menduar 100 skenare sesi të ma tregonte në një mënyrë origjinale, por që nuk rezistoi dot dhe ma tregoi menjëherë me një foto në telefon. Më pas pritja e ëmbël ka qenë më së shumti mbushur me kuriozitet, se si do të ishte bebi, kujt do t’i ngjante etj..
Si quhet djali?
Gregor! Ishte i vetmi emër për të cilin ne të dy ishim në unanimitet të plotë.
Si është Alfred Kaçinari, si gjysh? Për ata që e kanë ndjekur karrierën e tij, e kanë parë pak të sertë dhe shumë profesionist, por a është Fredi, gjyshi tipik që llaston dhe plotëson tekat e nipave/mbesave?
Është pikërisht kështu! Alfred Kaçinari është si të gjithë gjyshat e tjerë. Të them të drejtën, unë nuk e prisja që të ishte kështu, por mesa duket disa ndjesi dhe statuse që na jep jeta, nuk kanë lidhje me punën dhe profesionin.
Në momentin kur more Gregorin në dorë për herë të parë, çfarë ndjeve?
S’mund të them që ishte shumë e çuditshme dhe abstrakte si ndjesi, dhe që unë nuk po e kuptoja çfarë ndjeja në ato momente. Më vonë, dalëngadalë m’u desh të mësohesha me idenë, që u bëra baba. Për këtë më kishin përgatitur edhe shokët e mi, të cilët më patën thënë se para se të ndjesh atë lidhjen e fortë me fëmijën, të paktën për ne burrat, duhet të kalojnë pak ditë. Padyshim që mendoj se gruaja e ka ndjesinë e mëmësisë, shumë më të hershme nga çka burri atë të atësisë. Tani që po flasim, Gregor është njëmuajsh dhe unë po e ndjej, që po futem plotësisht në gjendjen dhe ndjesinë e të qenit baba.
Dezhurnin e natës, cili prej jush e bën më shpesh?
Jo vetëm të natës, por edhe të ditës, ne e ndajmë me njëri-tjetrin. I kemi ndarë detyrat shumë mirë dhe besoj se po e menaxhojmë shumë më mirë, nga ç’mund ta kisha imagjinuar.
Kush ja ndërron më shpesh pelenat djalit?
Unë. Sepse di ta bëj shumë mirë (qesh).
Shumë prej kolegëve të tu iu kanë kushtuar këngë fëmijëve. Ti e ke menduar?
Nuk mendoj se duhet të jetë diçka e planifikuar apo ta bësh vetëm se është kthyer në trend. Nuk di të them nëse do të më vijë ndonjëherë një ndjesi e tillë, që të bëj një këngë për Gregorin, por di të them me siguri, që edhe nëse do të ndodhë, nuk do ta them se kjo këngë është për të. Kush ta kuptojë, le ta kuptojë.
Gjergj, çfarë muzike dëgjohet në makinën tënde?
Vetëm lajmet e BBC. Mund të duket e pabesueshme, por unë nuk dëgjoj kurrë muzikë në makinë, sidomos në rrugë të gjata.
Cila është ajo muzikë, që nuk do ta dëgjojë kurrë?
Është një muzikë që qarkullon vërdallë, me tekste denigruese, por që nuk e di se çfarë rryme është. Është diçka mes turbofolk, rregaton i pazhvilluar, tallava dhe hip hop i bërë shumë keq. Më vjen turp, kur e dëgjoj nëpër ambiente.
Ke bërë ndonjë këngë për të cilën je penduar?
Kurrë! Kjo ka qenë sfida ime, që kur kam qenë fëmijë. Mendoja gjithmonë që çfarëdo gjëje që të bëj, dua që edhe kur ta dëgjoj pas 50 vitesh, të mos më mërzitet, apo të më vijë turp që e kam bërë. Të gjitha këngët që kam bërë deri më sot i tregoj me krenarinë më të madhe. Them se kjo është pika më e fortë, që kam te vetja.
Cilën nga këngët e tua dëgjon, me më shumë kënaqësi?
Nuk i dëgjoj këngët e mia. I dëgjoj mjaftueshëm, kur kënga është në proces krijimi dhe në performancat e mia.