Reperi i njohur El Ninjo është rikthyer pranë publikut ndryshe, me një rol në filmin “Njerëz dhe Fate 2”. El Ninjo luan në film rolin e gangsterit, shok i Florit që kontrollon mafien nga jashtë.
Ndërkohë muzika rep mbetet frymëzim për EL NINJON. I frymëzuar nga Drake, Mc Kresha e Noizy, El NINJO e di fuqinë që ka fjala për të shkuar tek audienca.
Më poshtë gjeni intervistën që reperi i njohur ka dhënë për revistën “Bordo” pak muaj më parë.
Denis, çfarë është muzika për ty?
Si fillim, ju falënderoj për ftesën! Është kënaqësi të jem pjesë e “Bordo Magazine”. E ndiej që muzika ka lindur bashkë me mua, ka qenë pjesë e imja në çdo përjetim timin. Ka patur momente që jam shkëputur, por nuk e kam lënë kurrë. Gjithmonë, i jam rikthyer për më mirë, rikthimi i tanishëm do të jetë më i fortë.
Ti e ke nisur dikur muzikën dhe u shkëpute. Çfarë të dekurajoi? Përse e le?
Gjithsecili prej nesh, ka momentet e tij të mira dhe jo të mira, me optimizëm dhe pak optimizëm. Ka qenë ndjesia e kohës, dekurajimi nga komercialiteti që na ka pushtuar. Por siç e thashë dhe më lart, asgjë dhe askush nuk më bën që ta lë muzikën. Ajo është në çdo qelizë timen.
Çfarë të ka motivuar për t’iu rikthyer sërish?
Gjendja ime emocionale, e tashmja shumë e mirë, të cilën dua ta shpreh me art. Kur je mirë në çdo këndvështrim, transmeton veç nxitësit më të mirë për të jetuar bukur. Unë jam tani në këtë moment dhe dua të rikthehem fuqishëm, me zërin dhe prezencën time. Muzika është nxitësi më i fortë për momentin.
Së shpejti do të nxjerrësh këngët e tua të reja. Si po shkon? Ku po e realizon këngën? Klipin e ke bërë?
Shyqyr Zotit, deri tani po shkon shumë mirë. Jam duke u marr vazhdimisht me çdo detaj, për të realizuar diçka të bukur në formë dhe përmbajtje. Kënga po realizohet me producentë të ndryshëm, si Endrit Begolli dhe Cricket Music. Klipi është duke u formësuar në “Max Production”. Gjithçka është e kuruar me shumë detaje dhe jemi në pritje të diçkaje shumë të madhe, që do të ziejë për gjatë gjithë verës.
Mendon se rep-i është i pëlqyeshëm në këtë periudhë?
Unë mbështes çdo zhanër të muzikës, për secilin muzikant ka një domethënie dhe përbën sens, ashtu si dhe për ne konsumatorët e muzikës. Rep-i sigurisht që është i pëlqyer, është momenti për ta sjellë ndryshe në Shqipëri. Shqiptarët duan muzikë të mirë dhe ky është synimi im kryesor.
Kush është artisti yt i preferuar? Kë ke si model?
Drake, sigurisht. Shembulli më i mirë ndërkombëtar që mund të marrësh.
Nga repistët shqiptarë, kush të pëlqen?
Noizy dhe MC Kresha, dy ikonat më të rëndësishëm të muzikës shqiptare.
Tekstet e repistëve janë pika e tyre e fortë. Kush i shkruan tekstet e tua? Çfarë teme rrahin ato?
Unë ndiej gjithçka që bëj, në të kundërt nuk e bëj fare. Unë shkruaj vazhdimisht për jetën time, aty ku buron dhe frymëzimi im. Jeta ime nuk ka qenë shumë e lehtë. Vështirësitë nxjerrin njerëz të fortë dhe projekte të bukura. Ky është rasti im.
Si e sheh veten pas 10 vitesh?
Të ardhmen nuk mund ta projektojmë, por mund ta aspirojmë. Jam duke punuar maksimalisht për të arritur gjithçka dua. Diçka është e sigurt, siç jua them të gjithë miqve të mi, “Unë jam El NINJO dhe jam 3 hapa para (qesh)!”.
Ti nuk ke studiuar për muzikë. Ka qenë dhunti, dëshirë, apo kultivim muzikor gjithë formimi yt aktual?
Muzika është pasion që është zhvilluar dhe kultivuar pak nga pak. Unë nuk kam studiuar muzikë, profili im i përafrohet artit, sigurisht por jo 100%. Kudo që të shkosh e ngado të rrotullohesh, do të shkosh aty ku të rreh zemra, dhe zemra ime rreh për muzikë. Faleminderit për ftesën! Kënaqësi!



















