Alban Skënderaj ka mbajtur një konferencë për mediat mesditën e kësaj të marte, ku zbuloi detaje rreth koncertit që këngëtari pritet të mbajë më 6 qershor në kryeqytet. Që kur stadiumi është ndërtuar, Alban Skënderaj e ka patur në plan që koncerti i tij i radhës do të ishte aty dheme rastin e 20 viteve karrierë ishte pikërisht momenti i duhur.
Më 6 qershor 23 000 mijë shqiptarë, shumë prej të cilëve kanë prerë biletat nga jashtë vendit për të qenë në koncertin e Albanit, do të mbushin stadiumin “Air Albania”. “Do të jetë një koncert i bukur, shumë energjik. Do të ketë surpriza, por në thelb të tij do të jetë padyshim muzika. Një koncert i mirëfilltë perëndimor”, premtoi Alban Skënderaj.
Albani zbuloi se do të këndojë rreth 30 këngë, ku disa prej tyre do të jenë të shkurtuara ose në formë kolazhi.
Shitja e biletave në një kohë rekord ishte padyshim një moment emocionues për të gjithë produksionin, veçanërisht për Albanin. Gjatë konferencës së sotme, këngëtari tregoi se pas shitjeve të biletave me atë shpejtësi, po mendonin që të realizonin dy koncerte por më pas u vendos që të ishte vetëm një mbrëmje, duke shtuar 4600 vende në stadium.
Publiku do të jetë protagonisti i këtij koncerti, për të cilin Albani u shpreh se është në qiellin e shtatë. Nuk zbuluan se cilët do të jenë artistët që do të ngjiten me të në skenë më 6 qershor, por në lidhje me Miriam Canin u detyrua në njëfarë mënyre ta konfirmonte, teksa u shpreh se ajo është artistja me të cilën ka më shumë duete dhe prej 17 vitesh që ata janë bashkë, këngëtarja ka qenë pjesë e pandarë e çdo projekti që Albani ka patur në karrierën e tij.



















