KreuCelebrity

Përshtypje nga “2 gisht mjaltë 2”! Oh, sa kam qesh!

Përshtypje nga “2 gisht mjaltë 2”! Oh, sa kam qesh!

Nga Ilda Lumani

Këtë të shtunë pushimi shkova për të parë “2 gisht mjaltë 2”, komedinë që e shfaq Ermal Mamaqin, si aktor, regjisor dhe producent. Dhe sa mirë që bëra. I dhashë vetes ca doza humori dhe të qeshura me shpirt, që nuk blihen as me lekë dhe as me sponsorizime. Pavarësisht, se e njihja fabulën e filmit para se ta shihja, dhe disa situata m’i treguan vajzat e stafit të BORDO, që ishin në premierë, nuk më penguan ta shijoja dhe ta shihja me objektivitet çdo situatë. Filmi ishte interesant, me një subjekt, që nuk surprizon, por që tërheq! Situatat komike, batutat serioze që kanë efekt të kundërt, personazhet e larmishëm, nga profesionistët e aktrimit Mariana Kondi, Bujar Asqeriu, Sejfulla Myftari, Natasha Sela, te rolet episodik, ku Dashnor Diko ishte qëndisur në mënyrë perfekte, situatat alla shqiptare, që shoqërojnë bisedat e racës sonë në çdo pikë të botës, kaq të vërteta, marrëdhëniet mama-djalë, nuse-vjehrrë, mama-vajzë, kaq origjinale, më dhanë një kënaqësi dhe relaks, fiks për ditën sot.

Përshtypje nga “2 gisht mjaltë 2”! Oh, sa kam qesh!

Në fakt, pritshmëritë i kisha mesatare. Jo sepse paragjykoj protagonistët. Jo sepse mendoj se një njeri nuk mund të bëjë gjithçka. Përkundrazi. Një i aftë mund të bëjë shumë më tepër sesa ti e mendon. Jo sepse vala e gjykimit rëndon prej kohësh mbi Ermalin, si autor i filmit, mandej Elvanës, të dy personazhe me mjaft hapësirë në media, për shumë gjëra, por se mes opinionesh dhe analizash ‘të specializuara' lihej përshtypja e një filmi mesatar.

Përshtypje nga “2 gisht mjaltë 2”! Oh, sa kam qesh!
Përshtypje nga “2 gisht mjaltë 2”! Oh, sa kam qesh!
Përshtypje nga “2 gisht mjaltë 2”! Oh, sa kam qesh!

Megjithatë, unë gjithmonë preferoj të kem perceptimin tim për gjërat! E përgjithësisht shijen e kam shumë të kultivuar! Komedia e Ermalit është një komedi, po aq e mirë sa ato që shohim në kanalet komedi në platformat digitale, ndoshta dhe më e mirë se ato që kemi parë në kinema për festat dedikuar gruas, Shën Valentinit, apo Krishtlindje në vitet e fundit. Flas për prodhime hollivudiane. Dhe nuk e teproj aspak në këtë që them.

Ermali nuk ka bërë një film autor, që pretendon të jetë kandidat në festival të ndryshme. Ermali, ka bërë një komedi tejet të këndshme, me situata, që padyshim nuk janë shpikja më e madhe e vitit, por se janë momente, ngjarje herë-herë të hiperbolizuara, siç i takon edhe komedisë të bëjë të cilat e kryejnë misionin që kanë marrë, të argëtojnë publikun dhe të tregojnë një fund të lumtur dhe pa sforco. Loja e aktorëve profesionistë sigurisht që dallon nga ajo e atyre amatorë, megjithatë, për aq sa u takonte atyre, them se është e pranueshme. Elvana nga ana tjetër ka një kimi artistike të rrallë me Ermalin, sa nuk besoj që mund ta ketë me të tjerë aktorë. Kjo duo humori mund të jetë tejet e suksesshme edhe në të tjera prodhime, qoftë të vetë Ermalit, por edhe të regjisorëve të tjerë, nëse do të lënë në shtëpi inatet dhe paragjykimet dhe do të zgjedhin të na ofrojnë komedi në të ardhmen me këta protagonistë.

Fotografia nga ana tjetër është një pikë e fortë e filmit, po aq sa kostumografia, që më pëlqen ta veçoj.

Impakti që filmi më la ishte fantastik. Dhe nëse më pyesni, a do t’i rezistojë kjo komedi viteve, siç ndodh me komeditë e Koço Devoles apo Arian Çuliqit, këtë për momentin nuk di ta them. Ajo që mund të them, është se nëse do të organizoja një festë shtëpie gocash, është pikërisht filmi që do të zgjidhja për të parë, madje edhe sikur kjo festë të jetë nesër!

Për mua, sikundër edhe për gjithë publikun që kishte mbushur sallën e Kinema Millenium plot, edhe në një orar dreke, e rëndësishme është se qeshëm dhe qeshëm shumë!

Në fund të fundit, a nuk është ky misioni i komedisë?!

Bordo No.64
Nëntor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF