Chiara Ferragni ka mbajtur premtimin e saj për t’i dhuruar 1 milion euro spitalit Regina Margherita në Torino. Çeku u arkëtua më 19 dhjetor dhe tashmë shuma është marrë nga kompania Città della Salute në Torino dhe do t’i akordohet departamentit të onkohematologjisë pediatrike të spitalit.
“Një akt dhurimi është gjithmonë një gjest i madh bujarie në mbështetje të strukturave që merren me shëndetin e pacientëve të rinj. Në javët në vijim do të vlerësojmë, me komisionerin e ri Giovanni Messori Ioli dhe profesoreshën Franca Fagioli, cilat investime teknologjike do t’ia kushtojmë donacionin, sigurisht me një logjikë të përmirësimit të mëtejshëm të diagnostikimit, trajtimit dhe humanizimit të rrugëve të pacientëve pediatrikë”, deklaroi spitali i Torinos në njoftimin zyrtar.
Miliona u dërgua një ditë pasi influencerja kërkoi falje në rrjetin e saj social Instagrami.
Nëse pagesa do të ishte vonuar, padyshim që do të kishte ndikuar në ndezjen e mëtejshme të polemikave që ditët e fundit kanë ndikuar jo pak në imazhin e Chiara Ferragnin, e cila tashmë është nën hetim nga Prokuroria e Milanos për mashtrim të rëndë së bashku me Alessandra Balocco, kompania e Fossano e cila prodhoi pandoron tashmë të tërhequr.
“Jam e qetë, u shpreh Chiara Ferragni, kam besim të plotë te drejtësia dhe u vura menjëherë në dispozicion për të bashkëpunuar dhe për të sqaruar çdo detaj”.