
Ariana Grande është rikthyer me projektin e saj më të fundit muzikor, por përveç këngës së re, vëmendjen e publikut e ka tërhequr edhe paraqitja e saj në videoklip.
Pas publikimit të “Hate That I Made You Love Me”, rrjetet sociale u mbushën me komente nga fansa dhe ndjekës që diskutonin për fizikun e këngëtares. Disa prej tyre shprehën shqetësim për dobësinë e saj të dukshme, ndërsa të tjerë kritikuan gjykimet e nxituara mbi pamjen e artistes.
Në platformën X, shumë përdorues theksuan se nuk është e drejtë të nxirren përfundime për gjendjen shëndetësore të një personi bazuar vetëm në fotografi apo pamje nga një videoklip. Të tjerë kujtuan se çdo individ ka karakteristika të ndryshme fizike dhe se ndryshimet në trup nuk janë domosdoshmërisht tregues të problemeve shëndetësore.
Diskutimet rreth pamjes së Ariana Grande nuk janë të reja. Artistja ka qenë shpesh në qendër të komenteve për fizikun e saj dhe më parë ka reaguar ndaj kritikave, duke folur hapur për ndikimin që mund të kenë komentet mbi trupin e dikujt.
Gjatë periudhës së promovimit të filmit “Wicked”, Grande u bëri thirrje njerëzve të tregohen më të kujdesshëm me mënyrën se si flasin për paraqitjen fizike të të tjerëve, duke theksuar se mirëqenia e një personi nuk mund të vlerësohet vetëm nga ajo që shihet nga jashtë.
Ndërsa debati vazhdon në rrjet, këngëtarja nuk ka reaguar ende ndaj komenteve të fundit që kanë shoqëruar publikimin e videoklipit të saj të ri.
