100 vjet Loro Piana
Ndër markat luksoze botërore, ndoshta asnjë nuk është në nivelin e Loro Piana. Me një histori që daton në prill 1924 dhe e ndërtuar mbi vlerat klasike të familjes italiane, Loro Piana e filloi biznesin si një tregtar leshi, e më pas në punimin artizanal tekstileve të klasit të parë deri te veshjet, e jo vetëm. Dashuria për fibrat e rralla e bëri Loro Piana, që të krijojë një marrëdhënie intime me rritësit e dhive të rralla nga Mongolia, Peruja e deri Kinë, me qëllim krijimin e produkteve autentike.
Fillimet
Krijuesi i markës ishte Pietro Loro Piana, i cili në vitin 1924 e nisi sipërmarrjen e tij në Quarano të Italisë. Nga një dyqan artizanal, ai ideoi një infrastrukturë industriale, e cila pas 100 vitesh është kthyer në markën më identifikuese italiane, duke ruajtur autenticitetin që bazohet te moda e stilit të lartë.
Kashmiri
Produktet autentike të kashmirit nga dhia Hircus, që rritet në klimën ekstreme të shkretëtirës janë identifikuese për Loro Piana. Një teknikë e rrallë me kecat e dhisë Hircus, prodhon një fibër përmes një procesi delikat krehjeje, që përftohet në 12 muajt e parë të jetës dhe vjen vetëm një herë në jetën e tyre.
Sholla e bardhë
Një produkt ikonik janë këpucët me shollë të bardhë, një aksesor tejet elegant i cili është mjaft i dashur për komoditetin, stilin dhe formën e tyre origjinale. Detaji dallues i tyre është sholla e bardhë, ndërsa materiali prej kamoshi është shumëngjyrësh dhe i punuar me lëkurë të cilësisë më të lartë.
Çantat e rralla
Lëkura e kafshëve, duke qenë materiali bazë për markën italiane mbetet edhe çelësi i suksesit, duke prodhuar me sukses çanta me një dizajn mjaft elegant. Më të njohurat janë ato të punuara me lëkurën e gjedhëve, por më të rrallat mbetet çantat me lëkurë struci dhe prej aligatori, të punuara me detaje ari.
Interior
Duke qenë prodhuesi më cilësor i pëlhurave, Loro Piana ka krijuar një departament për dekorin e shtëpive, duke u ofruar arkitektëve zgjedhje të rafinuara, nga materialet e punuar me kujdes nga kashmiri i butë deri tek liri, mëndafshi dhe pambuku, për perde dhe kolltukë, duke marrë frymëzim nga ngjyrat e natyrës.