Simon Porte Jacquemus
Nga një krijues autodidakt në ikonë e modës, fenomen i rrjeteve sociale dhe i preferuari i personazheve VIP, Simon Porte Jacquemus është kthyer në stilistin më të dashur, edhe pse vetëm 33 vjeç. I frymëzuar nga stili klasik galik, vijat breton dhe motivet franceze, por me nota surreale, ai konsiderohet si e ardhmja e modës, sidomos për ndikimin e fortë në rrjetet sociale dhe si avokat i LGBTQ+.
Modeli
Modeli që ka ndjekur në jetë është e ëma. Vdekja e saj e parakohshme, e shtyu të krijonte markën e tij, nën emrin e saj të vajzërisë. Ajo mbetet burim frymëzimi për stilistin. "Nuk kam ndjekur kurrë një shkollë mode, por puna në ‘Comme des Garçons’ ishte shkolla ime, e cila më mësoi të njoh veten dhe si të njoh klientët”.
Minimalist
Jacquemus theu çdo rregull të modës, nga fustanet dekonstruktive te xhaketat asimetrike. “Takova një grua që bënte perde dhe i kërkova të më bënte një fund me bel të lartë, me zinxhir anash. Nuk doja xhepa dhe butona, sepse ato kushtojë shumë”. Minimalizmi u kthye në një stil, i cili sillte pak kosto dhe shumë fitime.
Miniçantat
Ka stil revolucionar, ndaj miniçanta e Jacquemus është ikonike: Ky trend u përqafua së pari nga Rihanna dhe vijoi si fenomen përmes Instagramit, duke u ndjekur nga Beyoncé, Dua Lipa dhe Naomi Campbell. Një version shumëngjyrësh u krijua në mbështetje të LGBTQ+, Jacquemus njihet si një avokat i kësaj kauze.
Komercial
Ai nuk ka aspak turp të jetë komercial. “Moda është poezi. Është një mënyrë për të treguar një histori, sepse gjithmonë dërgoni një mesazh me atë që vishni. Megjithatë, moda është gjithashtu një biznes. Nuk ka kuptim në modë nëse nuk shet. Ajo që shihni në pasarelat e mia, është ajo që ne shesim.
Bota virtuale
Industria e modës, sipas Jacquemus, është një shesh lojërash krijuese për talentet, por do të duhen vite që edhe mendjet më të shkëlqyera të shfaqen në skenë. “Mediat sociale po japin shtysë që krijuesit të zgjerojnë audiencën e tyre. Ndaj unë përdor fuqinë e botës virtuale, për të tërhequr ndjekësi e mi dhe klientelën e tij”.