Pasditen e djeshme, në një nga zonat periferike të Tiranës, Armina Mevlani mblodhi personalitete dhe figura të njohura publike për të festuar prezantimin e koleksionit më të ri të një prej markave më të njohura dhe të suksesshme shqiptare, Mevlani The Brand.
Sfilata tërhoqi vëmendje jo vetëm për veshjet, por edhe për përzgjedhjen e modeleve. Ndryshe nga pasarelat tradicionale, këtë herë në podium u ngjitën figura publike, fytyra jo tipike të botës së modës, si edhe modele me forma dhe përmasa të ndryshme trupore. Ky detaj e bëri markën më të afërt dhe më përfaqësuese për publikun.
Koleksioni solli një larmi ngjyrash, duke ndërthurur tonet e ndezura me nuanca më të errëta, të cilat nuk shihen shpesh në koleksionet verore. Materialet si sateni dhe linoja dominuan veshjet, duke reflektuar lehtësinë dhe elegancën karakteristike të sezonit. Printet nuk munguan, veçanërisht në koleksionin e rrobave të banjës, ndërsa pardesytë dhe fustanet me frymëzim nga vitet '80 vijuan të mbeten pjesë e identitetit estetik të markës.


Mes emrave që parakaluan në pasarelë, një nga më të komentuarat ishte poetja Mimoza Ahmeti, e cila u shfaq me një fustan sateni në ngjyrë krem pasuar nga një tjerë saten i kuq. Në sfilatë mori pjesë edhe modelja dhe moderatorja Beniada Nishani, si dhe disa prej ish-konkurrenteve të reality show-t "Ferma VIP", ku Armina Mevlani ishte opinioniste. Ndër to spikatën Zhaku me një veshje ekspresive tërësisht prej lëkure të zezë, si edhe dy ish-konkurrentet e tjera, modele në profesion Ola dhe Klevisa.









Pasarela ndërthuri elegancën me një frymë lozonjare dhe ngjyrat karakteristike të verës, duke u mirëpritur nga të pranishmit, të cilët nuk ngurruan të ndanin momentet më të bukura në rrjetet sociale.
Mbrëmja vijoi me një after party që zgjati deri në orët e vona, duke i dhënë fund një eventi të kuruar në detaje dhe një nate që do të mbahet mend nga të ftuarit.
