KreuKuzhine

3 receta për të kompletuar tavolinën e Vitit të Ri!

3 receta për të kompletuar tavolinën e Vitit të Ri!

Askush nuk do të harronte që në menunë e festave të fundvitit të vendoste, qoftë edhe një nga tri recetat që po ju sugjerojmë këtë numër festiv. Sepse pa gjelin e detit, pa një ëmbëlsirë apo likerin e shijshëm të boronicës së kuqe, festat nuk do të kishin aspak kuptim.

Gjeldeti

Përbërësit: 1 gjeldeti, 100 g proshutë, 250 g mish derri i grirë, 250 g mish viçi i grirë, 2 kokrra mollë, 50 g pançetë e prerë në copa, 100 g dhjamë derri, 1 gotë konjak, arrë moskat, 1 kokërr vezë, kripë dhe piper

Përgatitja: Fillimisht pastroni gjelin e detit dhe më pas spërkatnim pjesën e tij të brendshme me konjak. Në një enë përzieni mishin e grirë të derrit dhe të viçit, shtoni proshutën, pançetën dhe në fund mollët e grira, bashkë me vezën. Rregullojeni masën e mbushjes me kripë, piper dhe arrë moskat. Gjithë përgatitjen futeni brenda gjelit të detit, duke e mbushur dhe ngjeshur me një lugë druri. Në fund lidheni me spango, në mënyrë që të mbushja të mos dalë dhe t’i dhurojë gjelit të gjithë aromën e nevojshme. Para se ta futni në furrë, kriposeni, shtojini piper dhe lyeni gjithë sipërfaqen me dhjamin e derrit.

Vendoseni në tavë dhe futeni në furrë në një temperaturë mesatare, deri sa të marrë ngjyrë të artë. Pjekja mund të zgjasë nga 60 deri 90 minuta, kjo varet nga madhësia e gjelit. Por, mos harroni, që gjatë pjekjes së gjelit, ta lyeni herë pas here me lëngun që lëshon, në mënyrë që të marrë më shumë shije dhe të mos thahet.

Tortë me dardhë dhe çokollatë

3 receta për të kompletuar tavolinën e Vitit të Ri!

Përbërësit: 4 dardha, 200 g miell orizi, 50 g kakao, 3 vezë, 150 g sheqer kaf, 50 g vaj luledielli, 150 ml qumësht, 1 pako me fryrës për ëmbëlsira, 100 g çokollatë, lëngun e një limoni, sheqer pluhur për shije

Përgatitja: Qëroni fillimisht dardhat dhe pritini në kubikë. Vendosini dardhat e prera në një enë, spërkatini me lëng limoni, një lugë sheqer kaf dhe i lërini të pushojë për pak minuta.

Ndërkohë në një enë tjetër, thyeni vezët dhe rrihini bashkë me sheqerin. Shtoni dalëngadalë vajin, miellin e orizit, fryrësin e ëmbëlsirave, qumështin dhe kakaon, të gjitha së bashku duke i përzier, derisa të krijohet një brumë tipik për ëmbëlsira. Paralelisht shkrini çokollatën në një banjëmari, dhe kur të jetë gati shtojani brumit.

Kur brumi të jetë gati, hidhni dardhat dhe përziejini të gjithë përbërësit. Masën hidheni në një tavë të lyer me vaj dhe me miell orizi. Vendoseni për pjekje në furrë të parangrohur, në temperaturë 180 gradë celsius për 35 deri 40 minuta. Ëmbëlsirën shërbejeni, duke e spërkatur sipër me sheqer pluhur.

Liker boronice

3 receta për të kompletuar tavolinën e Vitit të Ri!

 

Përbërësit: Lëng 100 % boronice, lëng portokalli i freskët, lëng xhenxhefili, prosecco ose shampanjë, vodka, liker portokalli, boronicë e freskët, feta portokalli dhe akull

Përbërësit: Në një enë të madhe prej qelqi, hidhni fillimisht lëngun e boronicën dhe atë të portokallit. Përpiquni që në varësi të sasisë, boronica duhet të jetë gjithmonë më shumë, në mënyrë që të ruani ngjyrën e kuqe. Pritni portokallet në feta dhe hidhini në liker. Shtoni më pas masën e lëngut të xhenxhefilit, proseccon dhe vodkën. Përziejini të gjithë dhe më pas hidhni boronicat e freskëta. Shtoni menjëherë kubat e akullit, në mënyrë që të ruhet aroma freskia e të gjitha frutave. Lërini të pushojnë, derisa të përthithet gjithë aroma, dhe më pas shërbejeni në gota me akull, të spërkatura anash me sheqer dhe një fetë limoni ose portokalli.

Nëse dëshironi që likeri të jetë më me flluska, para se të mbushi gotën me liker, mbusheni atë me prosecco dhe më pas hidhni pjesën tjetër të pijes së famshme të Krishtlindjes.

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF