KreuStil Jetese

Primordial Passion/ Pirro Ruço zbulon se si erdhi në jetë ora e parë "Made in Albania"!

Primordial Passion/ Pirro Ruço zbulon se si erdhi në jetë ora e

Për herë të parë Shqipëria hyn në hartën e horologjisë botërore përmes argjendari Pirro, një orë super luksoze, e cila reflekton trashëgiminë tonë kulturore

Primordial Passion/ Pirro Ruço zbulon se si erdhi në jetë ora e

Pas shumë vitesh eksperiencë, me qindra krijime dhe me një brand i cili mban emrin e tij, mjeshtri i krijimeve unikale Pirro Ruço ka realizuar kryeveprën e tij të fundit: “Primordial Passion”! Nuk është thjesht një matës kohe, por një vepër e rrallë arti. Pirro ka arritur të mbledhë gjithë eksperiencën e tij, duke bërë tok arsenalin e trashëgimisë sonë kulturore e historike, një ansambël folklorik të cilin e ka shndërruar mjeshtërisht në një kryevepër të rafinuar. Mjeshtri dhe drejtuesi i argjendari Pirro, rrëfen në një intervistë për “Bordo” rrugëtimin që ka ndjekur nga kristalizimi i idesë në realizimin e orës “Primordial Passion”, tregun ku është destinuar të udhëtojë, por edhe projektet e ardhshme.

Primordial Passion/ Pirro Ruço zbulon se si erdhi në jetë ora e

Zoti Pirro, si u ndjeve momentin e parë kur gjithë puna dhe investimi në vite u bë një realitet?

Përfundimi dhe mbyllja e projektit të “Primordial Passion”, ishte një ndjenjë e papërshkrueshme. Ishte fryti i shumë viteve sakrificë, mundim dhe pasion. Duke reflektuar mbi të gjitha vështirësitë që kam kaluar, nga fillimet e mia, në një regjim të ashpër e deri te krijimi i një ore që mishëron identitetin dhe kulturën shqiptare, e ndjeva sikur çdo sfidë ia vlente. E di që çdo detaj i vogël në këtë orë është rezultat i përkushtimit tim, dhe kjo më mbush me krenari të jashtëzakonshme, sidomos pasi përjetova edhe jehonën ndërkombëtare të orës.

Primordial Passion/ Pirro Ruço zbulon se si erdhi në jetë ora e

Sa kohë kishit që e kishit planifikuar në mendje dhe më pas sa kohë punë mori realizimi i saj?

Idenë e krijimit të një ore e kisha në mendje që nga vizita ime e parë në Baselworld në vitin 2014, një nga panairet më të mëdha dhe prestigjioze të orëve dhe bizhuterive në botë. Aty u inspirova nga kreativiteti dhe teknologjitë e reja të firmave të orëve dhe fillova të ëndërroj për krijimin e një ore unike, që do të mishëronte trashëgiminë shqiptare dhe pasionin tim për artin. Që nga ai moment, mu deshën 7 vite punë intensive për ta sjellë këtë projekt në jetë. Eksperimentova me makineri, investova në teknologjinë më të lartë zvicerane dhe përsosa çdo detaj për të krijuar “Primordial Passion”.

Tashmë ora është prezantuar në evente dhe nga personalitete të ndryshme. Cili ka qenë për ju komenti, vlerësimi më pikant, që ju ka prekur?

Ka patur shumë komente pozitive rreth orës, por një nga komentet e para që është bërë në një nivel ndërkombëtar, duke u botuar në një reviste prestigjioze ndërkombëtare, pak kohë pas lançimit të orës, ishte ky, “Si dikush me pasion të madh për horologjinë dhe artin kulturor, zbulimi i ‘Primordial Passion’ ka qenë një zbulim i jashtëzakonshëm që më sfidoi gjithë perceptimet e mia për atë që përbën luksin në botën e horologjisë”. Ky vlerësim ka mbetur në kujtesën time, pasi përfaqëson jo vetëm artin dhe mjeshtërinë që përmban kjo orë, por edhe impaktin e saj në horologjinë ndërkombëtare.

Primordial Passion/ Pirro Ruço zbulon se si erdhi në jetë ora e

Ora përveç pjesës artistiko-folklorike, identitetit shqiptar që ka, ka dhe një çmim të konsiderueshëm. Kujt tregu do t’i shkojë kjo orë? A është në shitje dhe a keni marrë porosi për të?

Ora “Primordial Passion” është një vepër unike që përfaqëson jo vetëm artin dhe folklorin shqiptar, por edhe një mjeshtëri të jashtëzakonshme që kërkoi vite për t'u realizuar. Me çmimin e saj, ajo është e destinuar për një treg të ngushtë koleksionistësh dhe dashamirësish të veprave të rralla, që vlerësojnë kombinimin e artizanatit me identitetin kulturor. Ndërsa kemi patur disa kërkesa, ora ende nuk është shitur, dhe sinqerisht, është e vështirë për mua ta shes, pasi për mua nuk ka çmim. Megjithatë, jemi të hapur ndaj mundësive dhe po presim të gjejmë koleksionistin e duhur që do ta vlerësojë vërtetë atë, përpos disa kërkesave serioze që kemi aktualisht.

Ndër vite ju keni krijuar dhe prezantuar produkte unike, të cilat janë sot të shpërndara në gjithë botën. Kush ju ka gëzuar më shumë nga çfarë keni bërë?

Projekti që më ka dhënë më shumë gëzim është padyshim ora “Primordial Passion”. Megjithatë, një nga krijimet më të dashura për mua dhe me më shumë rëndësi në udhëtimin tim si artist, është dhe “Përkrenarja e Skënderbeut”. Ky krijim jo vetëm që përfaqëson mjeshtërinë time si argjendar, por gjithashtu simbolizon një pjesë të rëndësishme të historisë dhe identitetit shqiptar. Kjo përkrenare është një vepër arti që flet për trashëgiminë tonë kulturore dhe qëndresën e popullit shqiptar. Ajo ka qenë burim frymëzimi dhe krenarie, duke e bërë këtë krijim një simbol të fuqishëm që lidhet me identitetin tonë kombëtar. Koleksioni artistik i monedhave gjithashtu, janë një projekt i vazhdueshëm që ndihem shumë krenar, për sjelljen e figurave kombëtare në një dimension historik në sasi të limituara. Përveç aspektit të investimit dhe anës artistike, koleksioni i monedhave është një ide shumë e bukur për dhuratë, ku simbolet përfaqësojnë mesazhe urimi për raste të veçanta në jetë.

Primordial Passion/ Pirro Ruço zbulon se si erdhi në jetë ora e

Po krijimin tuaj të parë, a e mbani mend dhe çfarë ka qenë?

Krijimi im i parë ka qenë një spile me portretin e diktatorit të atëhershëm shqiptar, Enver Hoxha. Kjo spilë u realizua gjatë regjimit komunist dhe ishte rezultat i një pune të veçantë që kisha bërë në shtëpi. Përdora një pantograf që e ndërtova vetë, duke improvizuar me mjetet që kisha në dispozicion. Vëmendja pozitive që tërhoqi ky krijim, më lejoi të prezantoja veprën time dhe më pas të prodhoja 23 mijë për Kongresin e 9-të shqiptar. Ky krijim përfaqëson një moment të rëndësishëm në karrierën time, duke simbolizuar fillimin e një udhëtimi artistik të mbushur me sfida dhe pasion.

Si do të vijojë e ardhmja e “Primordial Passion”, a do të pasohet nga simotra, apo do të qëndroni në këtë format ore, derisa ajo të bëhet një markë ndërkombëtare? A është ky synimi juaj?

Për sa i përket zhvillimit të markës, synimi im është të krijoj një koleksion të ri orësh që do të pasqyrojë artin dhe mjeshtërinë edhe nga kultura dhe arti botëror, gjithmonë në sasi të kufizuara. Filozofia ime është që të masë kohën me bukurinë e përjetshme dhe kam besim se krijimet e mia do të vazhdojnë të gjejnë vendin e tyre në tregun vendas dhe ndërkombëtar. Pra, e ardhmja e “Primordial Passion” dhe orave të mia do të jetë një vazhdimësi e pasionit tim për artin dhe për krijimin e orëve të veçanta që lidhin traditën me inovacionin dhe modernitetin.

 

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF