KreuStil Jetese

Tashkenti: Qyteti që më priti në errësirë dhe më mahniti në mëngjes, udhëtimi që duhet ta bëni një herë në jetë!

Një ndër vendet që kohët e fundit më ka bërë përshtypje për pastërtinë, bukurinë, frymën moderne dhe qetësinë, është Tashkenti, kryeqyteti i Uzbekistanit.

Mbërritëm në mbrëmje vonë, pas mesnate. Vetëm 4 km larg qendrës, aeroporti duket sikur është një copëz kryeqyteti. Meqë do të mbërrinim kaq vonë, i kisha kërkuar hotelit të na sillnin një taksi (se ku i dihej)…

Natën me taksi çdo gjë ishte errësirë. Pak drita të ndezura. Edhe në qendër ku kishim rezervuar qëndrimin ishte pus. Taksia kaloi një postobllok, thashë ku paskam ardhur. Si vend myslimanësh, edhe pak orë hapej syfyri, por asgjë s’pipëtinte në rrugë.

Më në fund arritëm në hotel dhe taksisti na çoi deri te recepsioni. Na kishte nën patronazh. Si na la aty, te recepsioni, një djalë shumë i shkathët fliste, qeshte, shkelte syrin me nënkuptime: nënkuptime të tipit që më la të kuptoja që çfarëdo gjëje që të donim gjatë qëndrimit tonë ai do përgjigjej, p.sh. të na bënte guidë në qytet, të na gjente taksi, bileta treni për në Samarkand ose Bukhara, exchange, bileta koncertesh apo shkoi deri aty sa na propozoi të ndërronim hotel e të shkonim diku tjetër “më lirë”. Shkëmbyem numrat e telefonit (isha aq e lodhur sa veproja si robot e mezi prisja të shkoja në dhomë). Por ai djali më la shije të keqe. Më erdhi keq edhe për hotelin që kishte punonjës të tillë.

Tashkenti: Qyteti që më priti në errësirë dhe më

Të nesërmen në mëngjes nga dritarja e hotelit m’u shpalos një pamje mahnitëse! Ndodheshim në zonën më të mirë të Tashkentit, ngjitur me parkun kryesor, syri të shihte qiellgërvishtës, shatërvanë dhe rrugë të gjera. Pranë hotelit dukej të ishte një si qendër tregtare nga ku dalloheshin plot lokale luksoze dhe njerëz për të qenë.

Dielli shkëlqente, si shumë ditë të pranverës 2026.
Pasi më erdhi në mendje errësira që mbizotëronte natën, më vonë do të kuptoja që dritat shumëngjyrëshe të pallateve të larta, të shesheve apo parqeve të bukura mbylleshin në njëfarë ore të natës. Që të kursejnë energjinë elektrike. M’u duk politikë e zgjuar.

Tashkenti është befasues! Me rrugë të gjera, të pastra, parqe të gjelbëruara, pallate e ndërtesa të bukura. Njerëz të qetë e të pazhurmë. Simbole të shumta të qytetit. Në rrugë, nëpër shtylla apo ndriçuesit e rrugëve, kishte altoparlantë ku dëgjoheshin këngë italiane. Toto Cutugno dhe “Lasciatemi Cantare”, - “Një copëz Evrope oksidentale”, - do të thoshte Qazim Mulleti. Shëtitja e ditës së parë për mua ishte mbresëlënëse. Nëse do ta lija me kaq (sepse të nesërmen do t’i hipnim trenit për në Samarkandë), nuk do të krahasoja tjetër gjë me këtë qytet. Por Tashkenti nuk është vetëm kaq. Ai ka edhe jetën e tij reale.
“Chorsu Bazaar” është një nga atraksionet e qytetit. Një nga tregjet më ikonike, i njohur për kupolën blu dhe atmosferën autentike të Azisë Qendrore. Aty sheh jetën e vërtetë. Njerëzit e vërtetë. Karrocat jashtë me bukët “non” karakteristike për Uzbekistanin (veçanërisht Samarkand), gratë me shami, burrat tradicionalë. Pranë këtij pazari ndodhen lokale ku mund të konsumosh çajin tipik karakteristik të Uzbekistanit.

Tashkenti: Qyteti që më priti në errësirë dhe më
Tashkent zbukurohet gjithashtu edhe nga kultet fetare. Ka disa “xhami” të njohura. Më e famshmja është “Kompleksi Khast Imam”, zemra shpirtërore e qytetit. Aty ndodhet edhe një nga Kur’anet më të vjetër në botë (i njohur si Kur’ani i Uthmanit). Gjithashtu është edhe Xhamia Minor, një xhami moderne, shumë elegante, me arkitekturë të bardhë dhe kupola blu. Janë aq madhështore, sa edhe të bukura! Përmbajnë historinë botërore.

Pastaj “Amir Timur Square” - sheshi kryesor i qytetit dhe gjithë zona përreth e tij. Njerëz që shesin kokoshka. Oh, sa më pëlqejnë kokoshkat! Doja një qese. Teksa e marr, shitësi ambulant sheh që ne nuk kemi aq lekë (të vogla) sa duhet. Bëhem gati t’ia kthej qesen, por jo! Kokoshkat janë dhuratë. - “Nuk prish punë për aq”, - thotë djaloshi dhe largohet.
Duhet parë edhe “Tashkent Metro”, është metro artistike, si muze nëntokësor.

Tashkenti: Qyteti që më priti në errësirë dhe më

“Magic City”, një park modern për argëtim.

E di çfarë? Për ta bërë më të kapshëm e lehtësisht të arritshëm, mora autobusin Hop On Hop Off. Si kudo, ky autobus lehtëson udhëtimin dhe e bën shumë atraktiv atë.

Tashkenti është qyteti i diferencave të mëdha! I lokaleve luksoze ku edhe për të pirë një kafe ka “host” te dera, por ama ka edhe lokale popullore gati për t’u shembur e që nxijnë nga tymi.

Ka qendra tregtare të mëdha me rroba të shtrenjta, por edhe tregje shumice ku gjen gjithçka. Ka çifte të veshur bukur e me sqimë, por ka edhe ndryshe.

Tashkenti: Qyteti që më priti në errësirë dhe më
Një ndër restorantet më të mira për të konsumuar darkën është “Köşebaşı turk restorani”. Ushqime tradicionale, super të shëndetshme. Për mëngjes apo brunch është “Cake Lab Bulvar”. Nëse dikë e merr malli për birrë (është vend mysliman dhe alkooli nuk përdoret në shumë lokale) është “BRIDGE lounge”, që ka edhe pjata evropiane. Kurse për të dashuruarit e profiterol dhe matcha është “Pie republic restaurant”, një lokal për të rinj me pamje të mrekullueshme në kat të dytë.

Gjithsesi, Tashkenti është një qytet që po pëlqehet dhe vizitohet shumë nga turistët.

Për gjithçka që ofron, është një qytet “must” në listën e dëshirave të udhëtimeve.

E sigurt që askush nuk zhgënjehet.

P.S. Djalit të recepsionit të hotelit nuk i shkrova asnjëherë. Nuk i kërkova ndihmë për asgjë. Më erdhi keq që ndonjëherë ka edhe punonjës të tillë... Meritonte një “review” të mirë ai. Por jo hoteli, hoteli ishte i mrekullueshëm.

Tashkenti: Qyteti që më priti në errësirë dhe më

Tashkenti: Qyteti që më priti në errësirë dhe më