KreuArt

Elma Dorezi: Dashuria është ilaçi i çdo sëmundjeje

Izaura Ndoj

Kryeneçja e Sheksipirit mori jetë këtë fundjavë në skenën e Teatrit Kombëtar pas 27 vitesh! Ka qenë pikërisht regjisorja Elma Dorezi e cila si gjithmonë na befason me rikthimin e veprave të arkivuara dhe u jep jetë në forma të reja artistike. Në një intervistë për “Bordo” Dorezi na rrëfen hap pas hapi “Zbutjen e Kryeneçes” dhe sfidën e saj përballë Sheksipirit origjial, lojës së aktorëve dhe petkun modern që foli shqip në skenën e Teatrit Komëbtarë. Shfaqja e cila erdhi premierë këtë fundjavë do të vazhdojë të shfaqet më 10, 11, 12 dhe 13 Mars në Teatrin Kombëtarë nën lojën e aktorëve; Gladiola Harizaj, Helidon Fino, Sokol Angjeli, Devis Muka, Klea Huta, Neritan Liçaj, Klodian Hoxha, Lulzim Zeqja, Mehdi Malkaj, Merkure Bozgo, Genti Deçka, Vangjel Toçe, Erjona Kakeli, Adelina Muça dhe Ermela Ruri.

Riktheni në Teatër pas 27 vitesh një nga komeditë më të bukura të Shekspirit? Pse pikërisht këtë vepër?

Pikë së pari jemi në Teatrin Kombëtar dhe vendet e mëdha kërkojnë edhe vepra të mëdha. Aktualiteti i veprës, tematikat që ajo prek, mesazhet që ajo përcjellë, më sollën në ditët e sotme. A thuaj se Sheskpiri është ulur tani dhe ka parë shqetësimin e njeriut të sotshëm, ka parë devijimin e tij nga njeriu dhe përqafimin e tij me interesin, ka parë se si njeriu arrin në ekstreme për njeriun dhe vë në plan kryesor përfitimin. Nëpërmjet humorit të tij brilant ai përcjellë shumë e shumë mesazhe universale dhe aktuale. Kjo ishte dhe arsyeja se përse unë zgjodha “Zbutjen e Kryeneçes”, e cila do ta arrij qëllimin e saj me mesazhin tonë kundrejt publikut: Vetëm dashuria është ilaçi i çdo sëmundjeje.

 

Keni premtuar se do sillnit një këndvështrim modern në veprën Shekspiriane. Ka qenë e vshtirë?

Padiskutim! Premtimi është premtim. Dhe të doja nuk do të mundesha dot të dilja jashtë vetes. Vet Teatri që unë bëj, forma që sjellë, mënyra se si e trajtoj një vepër është ndryshe. Kjo është ajo çka e ndan autorin me regjisorin. Shekspiri këtë rradhë do të vij ndryshe në çdo aspekt, qoftë në ndërtimin mizanskenal, të kostumografisë e cila bashkangjitur me konceptin regjisorial do të flas, të skenografisë e cila do të ndryshoj nga skena në skenë, të lojës së aktorëve dhe figurave artistike të cilat ato i kanë ndërtuar me shumë mjeshtëri dhe profesionalizëm. Ejani në Teatër për të prekur Shekspirin nga afër..

Veç konceptit nga klasikja tek modernja, një sfidë ka qenë dhe përplasja kokë më kokë e aktorëve të atij brezi që kanë interpretuar versionin klasik dhe aktorëve të brezit të ri…?

Sfidat i kam qejf…(qesh. Përtej shakave më duhet të pranoj se përzgjedhja e veprës dhe vendosja e saj 27-të vite më parë ka qenë një nga gjërat që kam dëgjuar më shpesh në jetën time se sa vet emrin tim. Natyrisht është sfidë sepse je përballë një vendosje e cila ka bërë bujën e saj përderisa ka arritur deri në ditët tona, por është “Çelësi” ai që bën diferencën e më pas fillon të shikosh shfaqjen tënde. Mjafton të gjesh çelësin tënd regjisorial, të nxjerrësh në pah leximin tënd dhe çdo gjë pastaj sfumohet tek ty dhe fillon e krijon ‘fëmijën’ tënd me të njëjtin emër, por me formë ndryshe.

 

“Zbutja e Kryeneçes” në thelb rrëfen lidhjen klasike në çift të asaj kohe, po realiteti si vjen përmes lojës aktoriale?

Lidhjes klasike të asaj kohe i shkon përshtat dhe lidhja e ditëve të sotme. Nuk mendoj se ndryshon asgjë përveç kohës. Sjelljet, interesat, dëshirat, kërkesat, kompromiset, të gjitha kanë qenë pjesë e njerëzimit në atë kohë dhe janë edhe sot. Është ruajtur klasikja në sjelljet e tyre, janë ruajtur reverancat, mënyra e të shprehurit, e të prekurit, por sidoqoftë lënda është po ajo, sado forma ndryshe të sjellim apo të krijojmë.

Shpesh keni “zbutur” kryeneçen e veprave klasike, ka qenë një sfidë për ju si regjisore?

Çdo vepër e re është një sfidë e re për mua. Është një hap më tej. Është një guxim më shumë. Kësaj radhe ishte ndryshe. Ishte Teatri Kombëtar që dashur pa dashur të vendoste përballë një përgjegjësie edhe më të madhe. Vetë Teatri Kombëtar, aktorët e këtij institucioni, autori, vendosja e saj dikur e bujshme, ishin sfida më vete. Por, me dashuri e pasion arrin gjithçka. Ashtu siç arrin Petruçio me Katerinën, ashtu ia arrita dhe unë ta “Zbus” Kryeneçen e Shekspirit.

Pas sukseseve me “14 vjeç dhendërr”, “Nusja në thes”, etj, mendoi se do të vazhdoni të godisni publikun me vepra të ripunuara ku mesazhet janë aktuale?

Po unë vetëm për publikun e bëj. Ditën që nuk do ‘godasë’ më tek ai, atë ditë dhe unë do të heq dorë nga regjisura. Kemi dhënë 3 ditë shfaqje dhe kam vënë re se shitjet e biletave kanë ecur më shpejt se koha. Ditën e parë që dhamë shfaqjen, zgjata kokën fshehtas, pa më parë askush dhe u emocionova duke i parë. Ata ishin aty për ne. Përsëri! Kam lëshuar nën zë një fjalë: Më kishte marrë malli për ju.. Dhe gjej mundësinë për ti falenderuar ata për prezencën e tyre, për mesazhet e tyre në çdo rrjet social, për urimet dhe duartrokitjet e tyre. Unë jam këtu prej jush. Mirënjohje!

Cilat janë planet e Kryeneçes në vazhdimësi?

Për momentin nuk e lëvizim Kryeneçen nga këtu pa e zbutur Tirana mirë, pastaj të shohim mundësinë e ndonjë festivali jashtë kufijve.

Kujt ia dedikoni suksesin e shfaqjes?

Në radhë të parë familjes sime, për mirëkuptimin dhe mbëshetjen e tyre në çdo hap. Nëse arritëm të kemi sukses me shfaqjen, nuk është vetëm regjisori. Por, janë aktorët që pavarësisht ngarkesave të tyre arritën me sukses në krijimin e figurave, të kostumografes Berina Kokona për kostumet e bukura dhe të krijuara me mjeshtri, të skenografit i cili më solli Padovën në Teatrin Kombëtar, të stafit të Teatrit dhe punës së tyre të palodhur dhe në fund të drejtuesit të atin institucioni, Z.Hervin Culi i cili na mbështeti hap pas hapi.

 

 

 

 

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF