KreuArt

Meryl Streep, mbi të gjitha një femër!

 

Ishte aktorja që vërtetoi më së miri se bukuria nuk është çelësi për suksesin në kinematografi. Aktorja që theu rregullat e botës së filmit, duke bërë që regjisorët ta shihnin si “kërcënim dhe sfidë” pranimin e saj për rolet e ofruara. E cilësuar si një “kameleon” në ekran, ka sjellë çdo herë një karakter ndryshe të femrës, por që në thelb kanë gjithmonë diçka nga ajo, një copëz nga bota e Meryl Streep.

 Filmat në ekran jo rrallëherë na sjellin modele jete; suksesi apo dështimi, hareje apo hidhërimi, por ato të paharrueshmet janë rastet më frymëzuese, ku gjejmë gjurmë të vetvetes dhe forcën që na duhet për të ecur përpara.

“Djalli i veshur me Prada”, për ata që pak e njohin nga filmat e saj të viteve 70’, është aktorja me më shumë nominime për çmime në historinë e filmit ndër vite. Fituese e 3 çmimeve ‘Academy Award’ dhe 8 ‘Golden Globes’, Meryl Streep njihet si ikona e kinematografisë botërore.

Aktorja 66-vjeçare shkëlqeu me dy filmat që i çelën rrugën drejt suksesit të garantuar, “The Deer Hunter”(1978), në krah të Robert de Niro dhe “Kramer vs Kramer” (1979), në krah të Dustin Hoffman. Suksesi vijoi me më shumë ftesa nga regjisorë të njohur të industrisë së filmit, që vulosën njëherë e përgjithmonë statusin e saj si një aktore e afirmuar.

Meryl Streep, që prej fillimit të karrierës së saj, spikati me vrullin dhe këmbënguljen për të ndërhyrë dhe shkrirë sado të mundej nga vetja në rolet që ajo portretizonte, madje deri edhe tek skripti i filmit. Ndërsa një pjesë e mirë e aktorëve sot do të lexonin skenarin dhe do të silleshin ekzaktësisht siç regjisori e kërkonte, Meryl përshkruhet nga regjisorët si ajo ‘çapkënia hokatare’ që ndryshonte me ngulm episode apo dialogë në debutimet e saj.

 “Vështirë të imagjinohet se çfarë mund të ketë ekzistuar ndonjëherë, përpara epokës së të magjishmes dhe të talentuarës Meryl” – Vanity Fair

 

Është e çuditshme sesi rolet e saj më të mira, si Sofia në “Zgjedhja e Sofisë” (1982), ku ajo portretizon një grua polake, ish të dënuar në kampet e Auschwitz-it, emigruar në Amerikë që lufton me demonët për dramën e fëmijëve dhe jetës së saj, apo gruaja që braktis bashkëshortin, por jo familjen në “Kramer vs Kramer”, deri tek roli që i dhuroi “Oskarin” për “Zonja e Hekurt”, ku ajo luajti mjeshtërisht Margaret Thatcher; janë pikërisht ato që identifikuan figurën e saj sa femërore, aq edhe luftarake për vetë mesazhin që mbartnin.

Në rolet më të mira ndër vite ajo mishëron forcën, kurajën dhe shpirtin luftarak të femrës. Është vlerësuar nga kritikët si një aktore që “injekton tinëz” qëndrimin feminist në personazhet e saj në ekran.

Aq shumë, sa në mbrojtje të kauzës për barazinë gjinore, ajo dërgon letrën e famshme drejtuar çdo kongresmeni në SHBA, duke shprehur vendosmërinë që shumë shtete në Amerikë duhet të konsiderojnë të drejta të barabarta për femrën dhe t’i japin fund përfundimisht politikave të diskriminimit.

“Po ju shkruaj juve, për të kërkuar barazinë – për nënën tuaj, bijën tuaj, motrën tuaj, gruan tuaj apo veten tuaj. Jemi një brez i tërë i ri i grave dhe vajzave që po flasim për barazi – pagesë të barabartë, mbrojtje të barabartë nga sulmet seksuale, të drejta të barabarta”

 

 

 

Tags:

Home Art