KreuBordo Men

Euro 2016, Shqipëria shënon golin e parë…

11 djemtë e skuadrës kombëtare të futbollit, fituan të parën sfidë në prag të fillimit të kampionatit Euro 2016 i cili do të mbahet në muajin qershor në Francë. Ata kanë shënuar të parin ‘gol’, ende pa filluar gara evropiane e futbollit. Uniforma kuq e zi është vlerësuar si më e mira, pas një sondazhi të zhvilluar online nga portali gjerman Sport1.de. Dizajni, kombinimi i ngjyrave dhe stilizimi i shqiponjës dykrenare vendosur në pjesën ballore të fanellës, kanë marrë vlerësimin maksimal.
Portali prestigjioz organizoi për disa ditë rresht një sondazh online, ku lexuesit vlerësonin uniformat e skuadrave pjesëmarrëse në Euro 2016. Mes skuadrave më të njohura të kontinentit, u vlerësua për dizajnin më të bukur uniforma e kombëtares shqiptare. Ky ishte vlerësimi i parë për kombëtaren kuq e zi, ku uniforma e krijuar nga kompania Macron, fitoi plot 26 mijë vota duke u pozicionuar e para, duke u ndjekur Turqia me 24,000 vota në vendin e dytë, ndërsa në të tretin u rendit Gjermania me 4,600 vota.
Uniforma e kombëtares
Fanella e kombëtares shqiptare të futbollit është dizajnuar nga Glon Bakalli. Në të spikat simboli i shqiponjës së stilizuar në pjesën ballore. Në bluzë është shkruar edhe një varg i poetit kombëtar Naim Frashëri “Ti Shqipëri më jep nder”, i cili supozohet të motivojë dhe frymëzojë futbollistët që e mbajnë atë të veshur gjatë sfidave ndërkombëtare. Për veshjen zyrtare të kombëtares shqiptare kompania Macron ka përdorur teknologjinë M performance System, e cila lejon ajrosjen e trupit. Ajo ka një material rrjetë të vendosur në të dyja supet duke lejuar që lëvizja e futbollistëve të jetë më e lehtë. Tipari kryesor i uniformës është shqiponja e stilizuar me dy koka, e cila krijohet bukur edhe përmes jakës mandarin. Tre ngjyrat me të cilat do të vijë uniforma kombëtare është e kuqja, e bardha dhe e zeza.
Vëmendja ndaj fanellës së kombëtares tonë të futbollit tërhoqi edhe interesin e medias ndërkombëtare, ku prestigjiozia britanike “Daily Mirror”, e listoi si më të shtrenjtën, por edhe më cilësoren. Kundrejt 78.33 euro, ajo mund të blihet në faqen zyrtare të FSHF-së dhe Macron. Federata Shqiptare e Futbollit nënshkroi një kontratë me “Macron” për të veshur për gjashtë vitet e ardhshme futbollistët e kombëtares. Zgjedhja e “Macron”, nuk ishte rastësi, pasi e njëjta kompani prej vitesh vesh skuadra prestigjioze të futbollit si: Lazio, Aston Villa, Crystal Palace apo Ajaccio, duke spikatur për cilësinë e tyre.
Ngjarja më e rëndësishme futbollistike evropiane, në vendin tonë sivjet ka një rëndësi historike, pasi është hera e parë që kombëtarja jonë garon me skuadrat më të mëdha të kontinentit. Në vigjilje të fillimit të Kampionatit Euro 2016, BORDO rezervon disa surpriza për lexuesit, e njëkohësisht fansat e kombëtares, të cilat do t’i zbulojmë në numrin e ardhshëm.
Deri atëherë, i urojmë djemve të kombëtares suksese dhe të nderojnë uniformën kuq e zi.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF