KreuBusull

Diana Çuli: Si ta gjejme librin e duhur?

Diana Çuli: Si ta gjejme librin e duhur?

Shpesh dëgjojmë të thuhet: nuk e dimë se çfarë të lexojmë. Nuk  kemi asnjë orientim. Shkojmë në librari dhe moria e librave më shumë na çorienton se sa na ndihmon të gjejmë atë libër që do të pëlqenim.

Le të përpiqemi të kuptojmë se sa të vërtetë ka në këtë mendim, që mbizotëron nganjëherë në diskutimet mbi librat në përgjithësi në një bisedë mes miqsh ose në një debat se çfarë ose jo mund të lexojmë. Panairi i librit 2015, i cili qëndroi hapur disa ditë në Pallatin e Kongreseve, dukej se e përgënjeshtronte këtë  opinionin, me morinë e njerëzve që kalonin mes stendave, me morinë e prezantimeve të librave, me numrin jo të vogël të shkrimtarëve shqiptarë dhe të huaj që firmosnin veprat e tyre për lexuesit. Do të thoni përsëri se ishte rrëmujë e madhe dhe se nuk dinim ku të ndalnim për të blerë një libër dhe, cilin libër?

Ja disa orientime: në panair kërkoni gjithnjë programin e panairit, i cili gjendet lehtë, mjaft të pyesni në stendat e para që hyni. Në program shikoni se cilët autorë prezantohen dhe ku? Kush i prezanton? Cila shtëpi botuese i boton? Ky është një orientim i parë dhe ju mund të kuptoni se ato libra që paraqiten në një sallë, me kritikë e shkrimtarë që flasin për ta, mund t’iu orientojnë mjaft mirë. Nëse jeni shumë skeptik, shkoni në një nga paraqitjet dhe dëgjoni specialistët çfarë thonë për librin. Së dyti: mund të shfletoni herë pas here suplementin ‘Milosao’ të Gazetës Shqiptare dhe aty do të gjeni një informacion shumë të përpunuar për librat që doni të lexoni. Të njëjtën gjë e bëjnë edhe faqet e shumta të MAPO Libri, te gazeta MAPO, çdo të shtunë, ku do të lexoni për  libra të rinj të vlerësuar të autorëve shqiptarë dhe të huaj, për përkthime të mira, për shtëpi botuese prestigjioze.

Doni më shumë për letërsinë shqipe, që shpesh e anashkaloni? Lexoni  gazetën ‘Nacional’, që del dhe ajo një herë në javë dhe ka shumë krijime të të rinjve e të të vjetërve, poezi dhe prozë dhe nuk do të jeni aq të painformuar. Por, edhe tek ‘Telegrafi’ gjeni faqe letrare, edhe te DITA gjeni rubrikë për librin, edhe në gazeta e revista të tjera. Pra, nuk është kaq e keqe gjendja, përkundrazi! Informacion ka pa masë. Do të pyesni: E çfarë solli për shembull Panairi këtë vit? Do t’iu përgjigjesha: Autorin e madh italian, Alberto Moravia, me ‘Konformisti’ dhe ‘Mërzia’, të përkthyer mrekullisht e përkatësisht nga Klara Kodra dhe Erion Gjatolli. Autorin gjigand francez Albert Cohen, përkthyer po aq shkëlqyeshëm nga Amantia Kapo, nga shtëpia botuese ‘Toena’. Autorë shqiptarë? Poeti Ilirian Zhupa me një libër fantastik me poezi ‘Të gjallë dhe të vdekur’, Ben Blushi me ‘Kandidatin’, Grigor Banushi me romanin ‘Mëria e Zanave’ e shumë të tjerë…

Pra, libri është gjithnjë pranë nesh…mjaft të zgjatim pak dorën…dhe ai do të hyjë në mendjen e në shpirtin tonë…

Tags:

Home Dossier

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF