KreuArt

“Shembja e shtëpisë Asher” në Teatrin Kombëtar të Kukullave

Iniciativa për të çelur skenën e Teatrit Kombëtar të Kukullave për “të rriturit” ka rezultuar e suksesshme me rikthimin e “Shembja e shtëpisë Asher”. Një tregim terrori me autor Edgar Allan Poe, i shqipëruar nga Laert Vasili dhe me regji të Luli Hoxhës, që kërkon guxim për t’u vendosur në skenë dhe që i bën publikut një ftesë për të dalë nga “guaska” e vet. Duket i emocionuar dhe i lumtur aktori Laert Vasili për këtë nismë që i shtoi kryeqytetit edhe një skenë tjetër. “Është një skenë e vogël, që jep shumë emocione, pikërisht kjo distancë e vogël mes aktorit dhe publikut krijon një marrëdhënie intime, edhe për mendimin tim është pikërisht ky Teatri i vërtetë!”, thotë Laerti në një intervistë për “Bordo”.

“Shembja e shtëpisë Asher”, sa e vështirë ishte ta shqipëroje dhe të zgjidhje fjalët e duhura për t’ia transmetuar publikut?

Më janë dashur dy-tre muaj kohë, pasi Edgar Allan Poe nuk është një autor për teatrin, dhe fjalori i tij është i pasur me fjalë të zgjedhura. Shkrimtari amerikan është i njohur për poezitë e tij dhe për historitë e shkurtra, veçanërisht tregimet e tij të misterit dhe makabër. Ai konsiderohet si një figurë qendrore e Romantizmit dhe Fan Noli, që më ka shërbyer edhe si poet orientimi në këtë rast, ka përkthyer dy poemat më të njohura të tijat : “Korbi” dhe “Anabel Li”.

 Çfarë të tërhoqi apo frymëzoi nga kjo vepër që vendose ta shqipërosh edhe të luash në skenë një nga personazhet për më tepër?

Arsyeja e përzgjedhjes në fakt lidhet me regjisoren Luli Hoxha. Ishte ajo që  e përzgjodhi këtë pjesë,  një tregim ku pasqyrohet një realitet universal. Njeriu në këtë rrëfim përpiqet të promovojë dhe të vihet në qendër të realitetit me unin e tij që e ngujon brenda vetes, dhe është pikërisht ky motivi që sjell fundin e tyre. Është kjo edhe një zgjedhje e mirë për t’i bërë thirrje publikut të sotëm për të dalë jashtë guaskës.

Edhe të interpretoja rolin e Rodrigut ishte një vendim i përbashkët me regjisoren. Gjithçka ka rrjedhur në mënyrë të natyrshme në të vërtetë. Të dy kishim punuar me këtë tregim prozë dhe fjalët na ishin ngulitur në mendje, duke i përsëritur, e gjetëm veten duke bërë provat. Ky është në fakt një projekt  që lindi nga dashuria për teatrin. Përpos saj mundësitë ekonomike ishin të limituara dhe koha në dispozicion ishte e paktë, por arsyeja më e rëndësishme është se ne kishim punuar imtësisht me “Shembja e shtëpisë Asher”, prandaj ishim në brendësi të personazheve.

Ky është viti i dytë në fakt që vihet në skenë vepra e Edgar Allan Poe, si mendoni se u prit vitin që shkoi. A ka ndonjë ndryshim këtë vit?

Nuk mendoj se ka ndonjë ndryshim. Por interesant është fakti se pas një viti rolet besoj se janë pjekur më tepër, sepse shpeshherë teksti pasi kalon një farë kohe mishërohet më mirë. Edhe vitin që kaloi shfaqja u prit shumë mirë nga publiku. U pëlqye dhe madje është kërkuar të vihet përsëri në skenë, dhe ja ku jemi. Jam shumë i lumtur dhe mirënjohës, për emocionet e mëdha që ka shprehur spektatori pas shfaqjes, na bënë një pritje të ngrohtë, duartrokitjet dhe komentet e tyre pozitive në rrjetet sociale na bëjnë të ndihemi edhe më mirë.

Shfaqja është dhënë pikërisht në skenën e “Teatrit të kukullave”. Si ndiheni ndaj kësaj iniciative të drejtoreshës së Teatrit të Kukullave?

Kjo është një mrekulli! E përshëndes këtë iniciativë që i shtoi kryeqytetit edhe një skenë tjetër. Është një skenë e vogël, që jep shumë emocione, pikërisht kjo distancë e vogël mes aktorit dhe publikut krijon një marrëdhënie intime, edhe për mendimin tim është pikërisht ky Teatri i vërtetë! Është një mundësi që spektatori t’i vërejë nga afër gjestet e spektatorit, lëvizjet, mimikën, lotin që ndoshta në një sallë të madhe nuk përçohen të gjitha! Mendoj se spektatorët janë ndjerë në këto dy ditë fatlum pas shfaqjes. Barrierat e realizmit socialist bëjnë që ndonjëherë mendimet të devijojnë nga ajo që është më e mira për artin, dhe shpesh mendohet se Teatri më i mirë bëhet në sallat e mëdha, por është e kundërta.

Ndjesitë e Laertit pasi ka interpretuar rolin e Rodrigut ?

Mendoj se rolin e Rodrigut do ta kishte pasur zili çdo aktor, pasi kalon në spektrin e të gjitha ngjyrave të ylberit. Një rol i tillë është një provë për çdo aktor dhe mund të krahasohet pa frikë me sprovat e personazheve Shekspirian.

Subjekti:

Protagonisti dhe narratori i tregimit, merr një letër nga miku i tij i fëmijërisë Rodrig Asher, në të cilën ai  e fton në shtëpinë e familjes së tij. Protagonisti shkon në shtëpinë e familjes Asher, të errët dhe të shkatërruar, dhe pushtohet menjëherë nga një ndjesi e fortë trishtimi dhe braktisje. Gjatë takimit me Rodrig Asher, ai vë re se miku i tij i vjetër është i sëmurë: Rodrig është i zbehtë, i dobësuar dhe në gjendje të vazhdueshme nervozizmi dhe eksitimi. Këto gjendje shpirtërore janë rënduar edhe nga sëmundja e së motrës, Madlene, që pas pak ditësh do të ndahet nga jeta papritur. Në këtë pikë Rodrig vendos, që me qëllimin për ta ruajtur trupin e të motrës nga kurioziteti i mjekëve,ta konservojë dhe ta varrosë atë përkohësisht me ndihmën e mikut të tij në bodrumin e shtëpisë.

Pak ditë më vonë gjatë natës, as Rodrig as miku i tij, nuk arrijnë të flenë për shkak të një uragani të papritur: miku vendos që të lexojë me zë të lartë një roman mesjetar për të qetësuar Rodrig, gjithmonë më i shqetësuar dhe i nervozuar. Gjatë leximit, në brendësi të shtëpisë dëgjohen tinguj të njëjtë me ata që tregohen në  libër duke i shtuar edhe më shumë ankthin Rodrigut. Protagonisti kërkon të qetësojë mikun duke i shpjeguar se zhurmat janë frutë i një koincidence. Por Rodrig nervozohet gjithnjë edhe më shumë derisa shfaqet Madlen që hidhet mbi të vëllain.

Narratori i frikësuar nga shfaqja e gruas, ia mbath, duke lënë pas shtëpinë Asher tanimë të katandisuar një grumbull rrënojash.

 

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF