Intervistë | nga Andri Xhahu
E kanë krahasuar me të madhen Vaçe Zela për artin e bukur, dhe me Elizabeth Taylor për portretin gjithë shprehi. Këngëtarja Mimoza Selimi prej më shumë se dhjetë vitesh jeton në Lozanë të Zvicrës por asnjëherë nuk e ka lënë pas Shqipërinë dhe muzikën shqiptare. E këndon kaq bukur këngën e lehtë dhe qytetare sa kur zviceranët dëgjojnë të këndojë “Moj e bukura More” nuk kursehen me fjalët: “Zonjë, ne nuk dimë asnjë fjalë në gjuhën tuaj, por falë muzikës e zërit tuaj, kemi bërë një udhëtim të mrekullueshëm në Shqipëri”. Një intervistë e realizuar në distancë por me shumë mall dhe nostalgji. Këngëtarja e dashur e publikut shqiptar, Mimoza Selimi, rrëfehet për BORDO…
Mimoza përshëndetje. Po e realizojmë këtë intervistë në distancë, ne në Tiranë e ju në Lozanë. Ku ju gjen ky moment që jemi duke komunikuar bashkë?
Përshëndetje Andri! Jam buzë liqenit, aty ku gjej qetësinë, marr energji, dhe falenderoj Mëmën Natyrë për mrekullitë që na ka falur!
Sa kohë keni pa ardhur në Shqipëri?
Ka tre muaj që nuk kam ardhur në Shqipëri.
Çfarë ju mungon më shumë nga Shqipëria?
Më shumë nga gjithçka më mungon familja, nëna ime e shtrenjtë! Më mungojnë miqtë e mi të mirë, më mungon skena e publiku i mrekullueshëm, kafeja e mëngjesit me kolegë të mirë. Kam nostalgji për kohën kur punoja në Radio-Televizionin Publik.
Çfarë ju mban ende lidhur me Shqipërinë?
Familja, e gjithçka që thashë më lart. E dua Shqipërinë me shpirt, më besoni, për mua nuk ka vend më të bukur!
Megjithatë, përmes videove ‘livestream’ jeni shpesh në kontakt me njerëzit që ju duan. E shkurton distancën kjo mënyrë?
Mundohem të jem në kontakt me njerëzit që më duan, që nuk më harrojnë e që më japin aq shumë dashuri. Distanca nuk ekziston kur duam vërtetë, është më e pakta që mund të bëj për t’ju shprehur mirënjohjen e dashurinë time të gjithëve që më janë pranë.
Mimoza, prej më shumë se një dekade ju jetoni në Zvicër. Si është jeta juaj atje?
Jam e integruar shumë mirë këtu dhe e dua Zvicrën si atdheun tim për gjithçka që më ka dhënë. Sigurisht që jeta ime profesionale nuk është e njëjta, por e kompensojnë gjëra të tjera. Mbi gjithçka respekti, vlerësimi.
Dimë që nuk i jeni larguar muzikës asnjë çast atje ku jetoni. Po sa ju mungon të kënduarit në Shqipëri?
Jam prezente, megjithëse nuk është aspak e lehtë. Më dhemb kur ju them që shumë më tepër më vlerësojnë zviceranët sesa shqiptarët. Jap koncerte ku prezantoj muzikën tradicionale shqiptare, të pasqyruara këto dhe në gazetat këtu. Publiku shqiptar është i paktë, sepse për fat jo të keq, por shumë të keq, në Zvicër mbizotëron muzika tallava. Është e vështirë të gjesh një ambient ku këndohet vërtetë shqip.
Çfarë mendojnë zviceranët për muzikën shqiptare? A kanë ata një këngë të preferuar?
E pëlqejnë shumë! Ne kemi muzikë të mrekullushme, e pasur në melodi e ritme. Asnjëherë nuk mungojnë komplimentet që më bëjnë të ndjehem shumë mirë e që më emocionojnë. Si mund të mos të të mbushen sytë me lot kur të thonë: “Zonjë, ne nuk dimë asnjë fjalë në gjuhën tuaj, por falë muzikës e zërit tuaj, kemi bërë një udhëtim të mrekullueshëm në Shqipëri”. “Moj e bukura More” është një nga këngët e preferuara, dhe në përgjithësi kënga e parë që këndoj në çdo paraqitje para publikut. Për “Festën e Muzikës”, më 21 qershor, këndova në Lozanë. Koncerti ishte planifikuar 45 minuta. Kam kënduar tri orë, pa ndaluar. U krijua një atmosferë e mrekullueshme, të huajt kërcenin nën tingujt e ritmet e mrekullushme shqiptare. Një festë e vërtetë.
“Flas me shiun”, “Eja o engjëll”, “Të pres”, janë vetëm disa nga një mori këngësh që publiku i do dhe i kujton. A ka mes tyre vend për preferencë nga ana juaj?
Për mua janë të dashura të gjitha, por do veçoja “Të pres”.
Shpesh dëgjojmë dhe lexojmë nga ju urimin e bukur “mos harroni me dasht”. Mimoza nuk harron me dasht…
Faleminderit që ma bëre këtë pyetje. Me dasht, është fjala më e bukur për mua. Fjalë nga e cila vinë vetëm të mira. Me dasht prindërit, familjen, njerëzit, të njohur e të panjohur, natyrën. Me dasht është e barabartë me respektin, e aty ku ka respekt e dashuri, gjërat shkojnë mire. Mimoza gjithçka që bën, e bën me dashuri. Nuk e njoh urrejtjen dhe xhelozinë, nuk bëjnë pjesë në botën time. I dua njerëzit, natyrën, kafshët, artin, sportin e shumë të tjera.
Ju ka ndodhur te jeni pranë dikujt, pothuaj pa folur, dhe më pas keni patur ndjesinë sikur keni bërë bisedën më të bukur ndonjëherë?
Sigurisht, është një ndjesi që e kam provuar jo vetëm një here. Janë njerëzit e bukur në shpirt, bukuri që nuk venitet asnjëherë, që ma kanë dhënë këtë ndjesi.
Sot është më e vështirë të duash apo të të duan?
Kjo është shumë personale, varet nga karakteri i njeriut dhe si e koncepton ai dashurinë. Është shumë e thellë. Mendoj se nuk ka të bëjë me kohën.
A ka ndryshuar tek ju ajo që ju lumturon sot nga ajo që ju bënte të lumtur para 10 vitesh le të themi?
Jo, për mua lumturi është e mbetet familja, kënga dhe paqja me vetveten dhe përreth. Jam e lumtur kur dëgjoj mirë, e trishtohem kur dëgjoj keq!
Mimoza, ju keni një marrëdhënie të ngushtë me poezinë. Cilat vargje përshkruajnë më mirë gjendjen tuaj shpirtërore këto kohë?
Është një poezi që e lexoj shpesh, e që e dua shumë, “Lentamente muore” e Pablo Nerudës.
A mund ta mbyllim këtë bisedë më një premtim për një rikthim tuajin te publiku shqiptar në Shqipëri me një këngë apo koncert?
Premtimet duhen mbajtur. Dëshira është e madhe, por preferoj t’ja lë kohës. E si gjithmonë, nuk mund të ndahem pa ju thënë: “Mos harroni me dasht!”.



















